ekonomi globale

Pesë trende strukturore që po transformojnë ekonominë globale

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Dambisa Moyo, ekonomiste ndërkombëtare, është autore e librit Edge of Chaos: Why

Mes rritjes së paqëndrueshme, forca të fuqishme demografike, teknologjike dhe financiare po e drejtojnë ekonominë globale drejt pasigurive gjithnjë e më të mëdha. Vendimmarrësit më të përgatitur do të jenë ata që i kuptojnë herët këto rreziqe dhe përshtaten me to.

Londer Ngadalësimi i rritjes, përshkallëzimi i luftërave tregtare, shtrëngimi i flukseve ndërkufitare të kapitalit dhe rritja e presioneve migratore kanë dominuar titujt e lajmeve, dhe me të drejtë. Së bashku, këto forca kërcënojnë të minojnë multilateralizmin dhe të përshpejtojnë ngritjen e blloqeve si grupi BRICS+, i përbërë nga ekonomitë kryesore në zhvillim, duke përgatitur terrenin për një riorganizim të thellë të ekonomisë globale.

Por pesë trende të tjera strukturore mund të rezultojnë po aq, nëse jo më shumë, transformuese. I pari është ndryshimi demografik. Ndërsa popullsia botërore parashikohet të arrijë kulmin rreth 10.3 miliardë mes viteve 2080, ky numër fsheh zhvendosje të fuqishme themelore. Popullsia globale po plaket me shpejtësi dhe, me raportin e individëve në moshë pune ndaj pensionistëve që pritet të bjerë nga 9.4 në vitin 1997 në 3.9 deri në vitin 2050, sistemet e pensioneve dhe financat publike do të vihen nën presion gjithnjë e më të madh.

Sigurisht, prirjet e popullsisë ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin. India e ka tejkaluar Kinën si vendi më i populluar në botë, ndërsa popullsia e Kinës, tani rreth 1.4 miliardë, pritet të bjerë nën 750 milionë deri në vitin 2100. Popullsia e Italisë parashikohet të ulet nga 60 milionë në 27 milionë në të njëjtën periudhë, dhe ajo e Japonisë mund të bjerë nga 128 milionë në 53 milionë. Popullsia e Nigerisë, në kontrast, pritet të trefishohet në 791 milionë, duke e bërë vendin e dytë më të populluar në botë pas Indisë.

Pasojat ekonomike dhe gjeopolitike mund të jenë të thella. Qindra miliona njerëz në botën në zhvillim pritet të hyjnë në tregun e punës gjatë çerek-shekullit të ardhshëm, ndërkohë që shumë ekonomi të përparuara përballen me rënie demografike afatgjata. Hendeku në zgjerim do të intensifikojë presionet në tregun e punës dhe ekonomi, duke nxitur migracionin në një kohë kur sistemet globale tashmë po përballen me nivele rekord zhvendosjeje.

Këto zhvendosje demografike do të ndryshojnë gjithashtu modelet globale të konsumit, veçanërisht për energjinë dhe ushqimet. India mund të ketë popullsi më të madhe se Kina, por të ardhurat për frymë të Kinës, rreth 13,300 dollarë, gati pesë herë më të larta se ato të Indisë, sugjerojnë se rritja e popullsisë po zhvendoset drejt ekonomive me të ardhura më të ulëta që konsumojnë mallra me vlerë më të ulët.

Trendi i dytë strukturor është përçarja e tregut të punës e nxitur nga inteligjenca artificiale (IA). Ndërsa super-cikli i IA premton rritje të produktivitetit dhe të ekonomisë, ai mund të zhvendosë miliona punëtorë, veçanërisht ata në punë rutinë me detyra të përsëritura. Edhe pse parashikimet e ekonomistëve ndryshojnë, madje edhe vlerësimet konservatore tregojnë shfaqjen e një nënshtrese pa punë, me pasoja serioze sociale dhe makroekonomike.

Për më tepër, nëse rritja e nxitur nga IA përfiton në mënyrë disproporcionale kapitalin në krahasim me punën, pabarazia do të rritet dhe qeveritë do të vihen nën presion për të ndërhyrë. Si rrjedhojë, korporatat, veçanërisht sektori i teknologjisë, mund të përballen me barrë më të lartë tatimore për të financuar programe mirëqenieje, përfshirë të ardhurat bazë universale.

Trendi i tretë strukturor lidhet me kufizimet e burimeve natyrore, të cilat kërcënojnë të ngadalësojnë rritjen ekonomike dhe të thellojnë përçarjet gjeopolitike. Bakri, për shembull, është tashmë në deficit strukturor, dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëron për një mungesë prej 30% deri në vitin 2035 pa investime të konsiderueshme në projekte të reja minerare. Inpute të tjera kritike si litiumi, nikeli dhe kobalti përballen me presione të ngjashme të ofertës, duke rritur rrezikun e mungesave të rënda që mund të paralizojnë prodhimin e baterive dhe të pengojnë tranzicionin drejt energjisë së pastër.

Mungesa e ujit është një tjetër kufizim i madh i burimeve. Rreth 25% e bujqësisë globale zhvillohet në zona me stres të lartë ujor, duke i bërë sistemet ushqimore të cenueshme ndaj mungesave dhe rritjeve të çmimeve. Dhe meqë uji është thelbësor edhe për ftohjen e qendrave të të dhënave dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve, adoptimi i shpejtë i IA do të ushtrojë presion shtesë mbi furnizimet.

Së katërti, oreksi për rrezik në Shtetet e Bashkuara është rritur ndjeshëm, duke ushqyer një valë të re investimesh spekulative. Në kontrast me Bashkimin Evropian, mjedisi rregullator në SHBA vazhdon të inkurajojë marrje më të madhe rreziku, si nga investitorët individual, ashtu edhe nga ata institucionalë. Si rezultat, tregjet e aksioneve mbeten pranë niveleve historike, me raportin çmim/fitim (PE) të S&P 500 rreth 30 herë, shumë mbi mesataren historike. Investitorët po derdhin gjithashtu më shumë para në kapital privat, kredi private, kapital sipërmarrës, kriptomonedha, “meme coins” dhe ar (i cili është rritur me më shumë se 50% gjatë vitit të kaluar).

Rritja e spekulimit afatshkurtër nuk ka gjasa të ngadalësohet, pasi pritet që “baby boomers” t’u kalojnë brezave më të rinj rreth 100 trilionë dollarë deri në vitin 2048. Ky transferim masiv pasurie ndërbrezore do të injektojë më shumë kapital investimi në tregjet financiare, duke fryrë çmimet e aktiveve, edhe pse vëllimi i madh i kursimeve ushtron presion rënës mbi normat reale të interesit.

Fluksi i kapitalit të ri mbart rreziqe të konsiderueshme. Bastet me leva po kanalizohen gjithnjë e më shumë përmes sistemit bankar në hije, larg mbikëqyrjes rregullatore, duke krijuar dobësi që mund të derdhen në ekonominë reale. Zhvendosja e aktivitetit të kreditimit nga bankat tradicionale dobëson efektivitetin e politikës monetare. Edhe nëse Rezerva Federale ul normat e interesit, këto ulje mund të mos arrijnë kurrë te huamarrësit, duke kufizuar aftësinë e politikëbërësve për të stimuluar rritjen.

Së fundi, shmangia e shtuar ndaj rrezikut në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Evropë po shndërrohet në një problem strukturor më vete. Për dekada, perspektivat e rritjes së Evropës janë rënduar nga pengesa burokratike, kërkesa të rrepta rregullatore dhe tregje kapitale të fragmentuara. Shifrat flasin vetë: investimet e kapitalit sipërmarrës në SHBA janë zakonisht 8-10 herë më të larta se në BE, dhe rreth 70% e familjeve të eurozonës thonë se nuk janë të gatshme të marrin rreziqe financiare, krahasuar me më pak se 40% të amerikanëve.

Tregu i aksioneve në Londër nënvizon thellësinë e kësaj gjendjeje të dobët financiare. Në gjysmën e parë të vitit 2025, kompanitë mblodhën vetëm 160 milionë paund (214 milionë dollarë) përmes listimeve në Londër – minimum i 30 viteve të fundit, duke e nxjerrë City-n jashtë 20 tregjeve kryesore botërore për IPO. Fondet e pensioneve në Mbretërinë e Bashkuar kanë ulur gjithashtu alokimin e tyre në aksione vendase nga 53% në 6% gjatë 25 viteve të fundit, duke tkurrur rezervën e kapitalit të disponueshëm për kompanitë britanike.

Ky nuk është thjesht një problem financiar, pasi roli ekonomik në rënie i Evropës po gërryen konkurrueshmërinë e saj afatgjatë. Pa një ndryshim të fortë, kontinenti rrezikon të humbasë super-ciklin e IA dhe të shndërrohet në një koloni teknologjike, në vend që të jetë një nxitës i inovacionit.

Secili nga këto pesë trende strukturore mund të transformojë ekonominë globale,- duke rishkruar rrugët tregtare, ridrejtuar flukset e investimeve, ndryshuar shpërndarjen dhe çmimet e ushqimeve kryesore dhe mineraleve kritike, dhe duke detyruar qeveritë të rishqyrtojnë menaxhimin e zinxhirëve të furnizimit, alokimin e kapitalit dhe investimet ndërkufitare. Vendimmarrësit më të përgatitur do të jenë ata që i kuptojnë herët këto rreziqe dhe përshtaten në përputhje me to.

Project Syndicate

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top