Rachel

Po, mund të bëhesh milioner, ja çfarë mund të mësosh nga një histori e vërtetë suksesi

Pesë vite më parë, Rachel Jimenez vendosi t’i japë fund punës së saj të lodhshme në administratën e arsimit të lartë. Ajo ndiente se puna e përditshme 9 me 5 nuk i sillte më as kuptim, as kënaqësi. Pa shumë përvojë biznesi, vendosi të provonte diçka ndryshe: nisi të shiste produkte digjitale në Etsy.

Sot, Rachel fiton mesatarisht 14 mijë dollarë në muaj nga të ardhura pasive, të krijuara përmes shtatë burimeve të ndryshme: dyqani i saj në Etsy, blogu personal, investimet në pasuri të paluajtshme dhe aksione. Ajo është tashmë milionere e vetëbërë dhe e ka ndërtuar këtë sukses hap pas hapi, duke mësuar nga çdo gabim.

“Nuk ishte një rrugë e lehtë,” – thotë ajo. “Por mësova si të gjej fushën time, si të drejtoj një biznes dhe, mbi të gjitha, si të ndërtoj jetën që dua duke bërë atë që dua.”

Ja këshillat e saj më të vlefshme për këdo që dëshiron të nisë një punë dytësore fitimprurëse:

1. Mos u shpërnda shumë

Gabimi më i zakonshëm, sipas Rachel, është përpjekja për të bërë gjithçka njëherësh: investime në aksione, hapje dyqani online, kërkim për pasuri të paluajtshme… Rezultati? Lodhje, stres dhe shpesh borxhe.

“Ndërto fillimisht një burim të fortë të ardhurash, mëso ta menaxhosh mirë dhe vetëm më pas kalo tek i radhës.”

2. Mos u dorëzo shpejt

Në fillim, fitimet e saj nga Etsy ishin simbolike, disa dollarë në muaj. Por ajo vazhdoi të eksperimentonte dhe pas nëntë muajsh arriti të gjeneronte të ardhura që i mundësuan të linte punën e përditshme.

“Suksesi nuk vjen nga një postim viral apo një lançim i vetëm. Ai vjen nga këmbëngulja dhe nga fakti që vazhdon të paraqitesh çdo ditë.”

3. Investo në njohuri të vlefshme

Në fillim, Rachel u përpoq të mësonte gjithçka vetë: video falas, artikuj online, libra. Por e kuptoi se kjo e ngadalësonte shumë.

“Kur investova në një kurs për shitje në Etsy, gjithçka ndryshoi. Mësova më shpejt, mora ndihmë dhe pashë rezultate të vogla që më motivuan të vazhdoj.”

Ajo thekson se arsimi dhe komuniteti janë dy nga investimet më të mençura për këdo që dëshiron të ndërtojë një biznes.

4. Mos harro të jetosh

“Kam njohur shumë sipërmarrës që kanë shumë para, por asnjë minutë për veten,” – thotë Rachel. Për të, suksesi nuk është vetëm financiar, por edhe personal.
Nëse zgjedh një aktivitet anësor, pyet veten sa kohë kërkon dhe nëse je gati ta sakrifikosh. “Mos e ndërto biznesin që të merr gjithçka; ndërto atë që ta jep lirinë që kërkon.”

5. Mos ki frikë nga e panjohura

Sipas saj, njerëzit me sukses kanë mentalitet rritjeje, besojnë se aftësitë mund të zhvillohen përmes përkushtimit dhe përpjekjes.

“Ata që besojnë se mund të mësojnë, provojnë. Dhe ata që provojnë, rriten. Gabimet janë pjesë e procesit, çdo gabim të çon një hap më afër qëllimit.”

Sot, Rachel Jimenez është sipërmarrëse, profesore dhe nënë e dy fëmijëve. Ajo menaxhon blogun Money Hacking Mama, ku ndan këshilla për financat, karrierën dhe mënyrën si të ndërtohen të ardhura pasive.

Historia e saj është dëshmi se suksesi nuk vjen nga perfeksioni, por nga përparimi i vazhdueshëm.

“Do gabosh, do rrëzohesh, por çdo herë do mësosh diçka që të çon më afër ëndrrës tënde.

.

cnbc.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top