Arben Malaj

Prof. Arben Malaj mbi librin e Stokes: Pse liderët minojnë demokracinë e atyre që i sollën në pushtet?

PROF. DR. ARBEN MALAJ

“Demokracia nuk vdes papritur ajo gërryhet dalëngadalë, ajo që e shpëton është integriteti dhe jo vetëm i liderëve, por i gjithë shoqërisë”.

Nga Susan Stokes, Autore e librit “The Backsliders”

Demokracitë moderne nuk rrëzohen më me tanke në sheshe, por me stilolaps në duart e liderëve të zgjedhur. Ky është thelbi i librit të studiueses së njohur Susan Stokes, një analizë brilante dhe paralajmëruese për mënyrat se si udhëheqësit politikë dëmtojnë gradualisht themelet e demokracisë, ndërsa vazhdojnë të mbajnë pushtetin përmes zgjedhjeve. Stokes sqaron se degradimi demokratik është një proces i heshtur, i dendur dhe i qëllimshëm, i kryer nga individë që e përdorin legjitimitetin elektoral si mburojë për të dobësuar mekanizmat që kufizojnë pushtetin e tyre.

Libri është një thirrje e rëndësishme për të kuptuar se integriteti politik nuk është luks, as dekor etik është kusht bazë për mbijetesën e demokracisë dhe pikërisht këtu, Stokes bën dallimin më të rëndësishëm: demokracitë nuk shemben sepse qytetarët i braktisin, por sepse liderët i tradhtojnë. Liderët që rrëshqasin mbrapa. Termi “backsliders” u referohet udhëheqësve që, megjithëse kanë ardhur në pushtet me votë të lirë, fillojnë të manipulojnë institucionet që i kontrollojnë. Nga kufizimi i medias, tek dobësimi i gjykatave, nga ndryshimet procedurale që duken teknike, tek përdorimi i administratës publike si instrument politik, Stokes tregon se secila prej këtyre veprimeve është një gur më pak në murin e demokracisë. Ajo përdor një metaforë të fuqishme: “demokracia shpesh vdes si një bretkosë në ujë që ngrohet dalëngadalë, jo si viktimë e një shpërthimi të menjëhershëm”.

Liderët autoritarë demokratikë nuk ndërmarrin hapa radikalë menjëherë; në vend të kësaj, ata godasin aty ku shkelja është më e vështirë të perceptohet tek detajet juridike, procedurat administrative, rregullat e zgjedhjeve, financimi i partive, emërimet në institucione. Procesi është i mjegullt, dhe pikërisht kjo e bën të rrezikshëm. Pse e bëjnë këtë? Standardi i ulët i integritetit. Stokes thekson se udhëheqësit shpesh sfidojnë normat demokratike jo sepse janë diktatorë në shpirt, por sepse përballen me presione të forta politike:

(i) frikë nga humbja e pushtetit;

(ii) rritje e pakënaqësisë,

(iii) hetime të mundshme, parti të brendshme të fragmentuara.

Deri këtu, dinamika politike është normale. Por çfarë i kthen këta presione në rrezik demokratik?

Mungesa e integritetit personal. Stokes e lidh regresin demokratik me cilësinë morale dhe institucionale të liderit.

Kur një udhëheqës e sheh pushtetin si të drejtë absolute dhe jo si përgjegjësi të përkohshme, kur ai beson se fitorja justifikon çdo mjet, kur nuk ekziston autokontroll moral apo kulturë përgjegjësie, rruga drejt abuzimit është e pashmangshme. Demokracitë e forta mbështeten te lidershipi me standarde të larta etike, liderë që e kufizojnë veten edhe kur kanë mundësi ligjore për të abuzuar. Ky është dimensioni i integritetit që Stokes e vendos në thelb të debatit. Pse qytetarët e tolerojnë? Kur normalizohet e keqja. Një nga kontributet më të vlefshme të librit është shpjegimi se pse qytetarët, analistët dhe institucionet shpesh i pranojnë këto devijime. Arsyet janë disa: Shkeljet janë të vogla dhe teknike, aq sa shumica nuk i vëren. Polarizimi e bën secilën palë të pranojë sjelljen e gabuar të liderit të vet “për të mos ia dorëzuar pushtetin armikut”.

Rritja ekonomike përdoret si justifikim, si lloj “pazari, ku qytetarët tolerojnë sjelljet jodemokratike në këmbim të stabilitetit apo përfitimeve. 

Kultura politike e dobët, ku nuk ka ndëshkim moral për autokratët e butë. Ky tolerim shndërrohet në një mekanizëm normalizues: një shkelje e vogël i hap rrugën një tjetre më të madhe. Në këtë kuptim, libri i Stokes është një manual për të identifikuar fazat e hershme të degradimit demokratik, përpara se ato të bëhen të pakthyeshme. Rëndësia e kësaj analize për vendet në tranzicion. Vendet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Serbia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut shfaqin shumë nga simptomat që përshkruan Stokes:

(i) polarizim akut,

(ii) institucione të kapura,

(iii) parti të personalizuara

(iv) media të ekspozuara ndaj presioneve politike.

Në këtë rajon, ku demokracia është ende në ndërtim, çdo devijim etik në lidership amplifikohet shumë më tepër sesa në demokracitë e konsoliduara. Argumenti i Stokes është i qartë: pa integritet personal në lidership, institucionet nuk kanë kapacitet të mbrohen vetë. As kushtetutat, as ligjet, as reforma teknike nuk e ndalin autoritarizmin kur liderët vendosin t’i shkelin ato. Demokracia është sistem që presupozon vetëkontroll, prandaj në mungesë të tij, ajo degjeneron. Pikërisht për këtë arsye, analiza e Stokes duhet të lexohet si paralajmërim për rajonin tonë: jo çdo lider autoritar duket autoritar, por çdo lider pa integritet ka potencial të rrezikshëm.

Si ndalohet rrëshqitja?

Roli i normave, kulturës dhe shoqërisë civile.

Stokes ofron disa rrugëzgjidhje për të frenuar degradimin demokratik:

(i) Forcimi i normave të integritetit në politikë, përmes transparencës, etikës publike dhe standardeve të sjelljes.

(ii) Mbështetje për institucionet e pavarura, sidomos gjyqësorin dhe median, të cilat duhet të kenë imunitet nga presionet politike.

(iii) Mobilizimi i shoqërisë civile dhe opinionit publik, si barriera morale kundër abuzimit.

(iv) Koalicione të gjera politike kundër autokratizimit sepse vetëm një front i gjerë e ndalon rënien e një demokracie të brishtë. Megjithatë, ajo sqaron se institucionet e forta nuk mjaftojnë pa karakter të fortë. Integriteti nuk zëvendëson ligjin, por mund të shpëtojë demokracinë kur ligji nuk mjafton.

Pse ky libër është i domosdoshëm sot?

“The Backsliders” është më shumë sesa një analizë politike; është një manual etik për lidershipin demokratik. Në një epokë ku demokracia në shumë vende lëkundet, Stokes na tregon se rreziku më i madh nuk vjen nga armiqtë e jashtëm, por nga mungesa e integritetit përballë tundimit të pushtetit.

Libri i kujton çdo shoqërie, përfshirë edhe tonën, se demokracia nuk është kontratë mes institucioneve, por mes qytetarëve dhe ndërgjegjes së liderëve të tyre. Dhe aty ku ndërgjegjja mungon, asnjë mekanizëm teknik nuk e shpëton sistemin. Në një botë ku shumë liderë mendojnë se fitorja në zgjedhje u jep të drejtën të bëjnë çfarë të duan, Susan Stokes na kujton të kundërtën: në demokraci, fuqia e liderit matet nga kufijtë që ai i vendos vetes, jo nga liritë që i merr vetes. Ky është mesazhi më i rëndësishëm i librit dhe leksioni më i fuqishëm për politikën moderne.

Libri i Stokes nuk është thjesht një analizë akademike, por një thirrje për vigjilencë.

Demokracia nuk dëmtohet vetëm nga liderët me ambicie autoritare, por edhe nga qytetarët që dorëzohen, që heshtin, që lejojnë justifikime, që pranojnë normalizimin e shkeljes së rregullave. Demokracia kërkon: një kulturë të integritetit publik, një kulturë ku rregullat janë më të forta se njerëzit, ku pushteti shihet si shërbim, jo si pronë personale, dhe ku qytetarët reagojnë ndaj çdo abuzimiedhe atij më të voglit. Susan Stokes na kujton se: demokracia nuk vdes papritur, ajo gërryhet dalëngadalë. Dhe ajo që e shpëton është integriteti jo vetëm i liderëve, por i gjithë shoqërisë.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top