Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka miratuar strategjinë e saj të re për Shqipërinë për periudhën 2025–2030, duke u fokusuar në përshpejtimin e tranzicionit drejt një ekonomie të gjelbër, përgatitjen e sektorit privat për integrimin në BE dhe forcimin e qeverisjes me qëllim përmirësimin e klimës së investimeve.
Strategjia e re për Shqipërinë synon të mbështesë me financime tri prioritete kryesore:
Së pari, përshpejtimi i tranzicionit të ekonomisë së gjelbër. Shqipëria ka një intensitet të ulët karboni prej varësisë së lartë nga energjia hidrike, por kjo e bën vendin të ndjeshëm ndaj kushteve klimatike.
Në marrëveshjen e re 2025–2030 BERZH do të mbështesë diversifikimin e burimeve energjetike, duke nxitur investime dhe projekte në energjinë diellore dhe të erës, për të rritur kapacitetet prodhuese dhe sigurinë energjetike. Strategjia përfshin edhe modernizimin e rrjetit elektrik dhe integrimin rajonal me tregjet evropiane.
Së dyti, përgatitja e sektorit privat për integrimin në BE. Me nisjen e negociatave për kapitujt themelorë të BE-së në tetor 2024, integrimi evropian mbetet prioritet strategjik për Shqipërinë. Për këtë, BERZH synon të përmirësojë aksesin në financime për bizneset e vogla dhe të mesme (SME-të), të mbështesë inovacionin dhe digitalizimin dhe të forcojë kapitalin njerëzor përmes programeve të trajnimit dhe aftësimit profesional.
Së treti financimet dhe programi i ri do të mbështesin forcimin e qeverisjes ekonomike dhe përmirësimin e klimës së investimeve.
Në programin e ri të bashkëpunimit BERZH do të mbështesë qeverinë shqiptare në përmirësimin e qeverisjes së ndërmarrjeve shtetërore, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies dhe do të vazhdojë të japë asistencë teknike për përafrimin me acquis-n e BE-së. Strategjia përfshin edhe përmirësimin e infrastrukturës së transportit, rrjetit hekurudhor dhe infrastrukturës digitale, duke nxitur integrimin rajonal dhe global.
Në periudhën 2020-2024, BERZH investoi rreth 900 milionë euro në Shqipëri, duke mbështetur projekte në energjinë e rinovueshme, infrastrukturë dhe SME. Rezultatet e kësaj periudhe përfshijnë krijimin e kapaciteteve shtesë në energjinë diellore dhe të erës, përmirësimin e qeverisjes së ndërmarrjeve publike dhe mbështetjen e inovacionit në sektorin privat.
BERZH vlerëson se sfida kryesore në implementimin e strategjisë së re mbeten kapacitetet e kufizuara institucionale në sektorin publik, emigracioni që ndikon tregun e punës dhe ekspozimi ndaj ndryshimeve klimatike. Për këtë, BERZH do të përdorë instrumente financiare, asistencë teknike dhe dialog politik të koordinuar ngushtë me donatorë si BE, KfW dhe Banka Botërore, për të siguruar realizimin efektiv të objektivave strategjikë.