Progresi në zhvillimin global u ngadalësua në vitin 2024, duke ngritur shqetësime se arritjet në vitet e fundit mund të jenë duke u pakësuar, sipas një raporti të ri të OKB-së të publikuar të martën.
Raporti vjetor i Indeksit të Zhvillimit Njerëzor (HDI) nga Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara (UNDP) tha se pavarësisht rimëkëmbjes së vërejtur pas pandemisë COVID-19 deri në vitin 2023, rimëkëmbja tani po humbet vrullin — me jetëgjatësinë dhe rritjen e të ardhurave që kanë ngecur dhe numrin e konflikteve të vazhdueshme që është në rritje.
Shefi i UNDP-së, Achim Steiner, paralajmëroi se ky ngadalësim “shqetësues” mund të shkaktojë që zhvillimi njerëzor “të vonohet me dekada – duke e bërë botën tonë më pak të sigurt, më të ndarë dhe më të ndjeshme ndaj goditjeve ekonomike dhe ekologjike”.
Shtajner tha se shkurtimet e fundit të ndihmës ndërkombëtare nga disa vende, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Donald Trump , vetëm sa do t’i bëjnë pasojat më të rënda.
Qasja në inteligjencën artificiale është e kufizuar në vendet më të varfra
Raporti paralajmëroi epokën e inteligjencës artificiale (IA) duke thënë se ajo ofron shpresë për rigjallërimin e zhvillimit, por paralajmëroi se përfitimet e saj duhet të ndahen në mënyrë të barabartë për të shmangur thellimin e përçarjeve.
Ai vuri në dukje se qasja në inteligjencën artificiale është e kufizuar në vendet më të varfra krahasuar me ato më të pasura, dhe paragjykimet kulturore mund të ndikojnë në mënyrën se si është projektuar teknologjia.
“Vendet me të ardhura të larta si Shtetet e Bashkuara, Republika e Koresë, Japonia dhe Gjermania, në atë renditje, kanë infrastruktura dixhitale të mirë-vendosura, duke u dhënë atyre një avantazh të madh në zhvillimin e IA-së”, tha raporti, duke theksuar se investimi më i madh global në IA shkoi në SHBA në vitin 2024, duke përbërë 70.2%.
“Nëse nuk arrijmë t’i adresojmë padrejtësitë dhe përçarjet që vazhdojnë sot, inteligjenca artificiale vetëm sa do t’i thellojë ato më tej”, tha Steiner .
Islanda në krye, Gjermania e pesta në renditje
Në renditjen e HDI-së, ndërsa Islanda dhe Norvegjia kryesuan listën, Gjermania dhe Suedia ndanë vendin e pestë.
SHBA-të u renditën të 17-tat, pak poshtë Kanadasë. India dhe Bangladeshi u barazuan në vendin e 130-të, me Pakistanin në vendin e 168-të. Çadi, Republika Qendrore Afrikane, Somalia dhe Sudani i Jugut zunë vendet e fundit, duke u renditur nga vendi i 190-të deri në të 193-tin.
Nga të gjitha rajonet, Azia Jugore dhe Afrika Subsahariane panë më pak zhvillim, sipas raportit i cili vlerëson progresin në tre fusha kryesore: shëndeti dhe jetëgjatësia, njohuritë dhe standardi i jetesës.