Shpesh mendojmë se njeriu, falë qytetërimit dhe teknologjisë, e ka “mposhtur” natyrën. Disa besojnë madje se kemi dalë përtej evolucionit, duke qenë se kemi zhvilluar aftësi të veçanta dhe arrijmë të kontrollojmë mjedisin tonë.Kjo ide është e gabuar sepse ashtu si çdo qenie tjetër e gjallë, ne vazhdojmë të evoluojmë.
Antropologët tregojnë se njerëzit vazhdojnë të evoluojnë, duke u përshtatur me mjediset ku jetojnë. Adaptimi mbetet çelësi i mbijetesës dhe i ndryshimit tek ne.
Njeriu ka duar të afta për ti përdorur, ecën në dy këmbë duke i liruar duart për detyra precize dhe posedon një tru që i mundëson arsyetim, krijim idesh dhe bashkëjetesë në komunitet. Të gjitha këto tipare na kanë lejuar të zhvillojmë kulturën ,gjithçka që lidhet me idetë, besimet, mënyrën si planifikojmë dhe si ndërhyjmë në mjedisin tonë, nga ndërtimi i shtëpive deri te kultivimi i ushqimit.
Megjithatë, edhe pse kultura ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën si jetojmë, ajo nuk na ka shkëputur nga evolucioni biologjik. Ne evoluojmë ende, por ndryshe nga paraardhësit tanë, sepse sot mjediset tona shpesh janë krijuar ose modifikuar prej vetë nesh.
Mjedisi nuk është vetëm klima, bimët apo kafshët, por edhe ushqimi që hamë dhe sëmundjet që na kërcënojnë. Edhe pse ndërtojmë shtëpi, përdorim sistemet e ngrohjes apo kondicionerët, kultura nuk na mbron plotësisht nga nxehtësia, i ftohti apo rrezet e diellit.
Mbrojtja nga rrezet e diellit
Dielli është i domosdoshëm për jetën, por rrezet ultraviolet mund të dëmtojnë rëndë lëkurën. Lëkura e hapur digjet shpejt dhe rrit rrezikun e kancerit, ndërsa lëkura e errët, falë melaninës, siguron mbrojtje më të madhe.
Në zonat tropikale, lëkura e errët është një avantazh mbijetese. Por kur paraardhësit tanë u zhvendosën drejt rajoneve të ftohta e me pak diell, ky pigmentim i lartë nuk ishte më i domosdoshëm. Përkundrazi, pengonte prodhimin natyral të vitaminës D,thelbësore për rritjen dhe zhvillimin e kockave.
Gjenet që kontrollojnë sasinë e melaninës u ndryshuan për t’u përshtatur me kushte më të zbehta diellore, një shembull i qartë i evolucionit të drejtuar nga mjedisi.
Ushqimet dhe përshtatja gjenetike
Rreth 10.000 vite më parë, njerëzit filluan të zbutnin kafshët për ushqim. Pak më vonë, mësuan të shfrytëzonin qumështin e tyre.
Por atëherë, ashtu si shumica e gjitarëve, njeriu i rritur nuk mund ta trette laktozën.Megjithatë, disa individë kishin mutacione që u lejonin të përpunonin qumështin edhe në moshë të rritur. Meqë qumështi ishte burim i rëndësishëm ushqyes, ata që e përpunonin më lehtë kishin më shumë gjasa të mbijetonin e të linin pasardhës. Brenda pak mijëvjeçarësh, ky aftësim u përhap pothuajse te gjithë popullsitë që ushqeheshin me produkte të bagëtive.
Ky është një shembull klasik i bashkëveprimit mes kulturës dhe biologjisë pasi zakonet e reja ushqimore sollën ndryshime gjenetike.
Popullsitë e tjera zhvilluan po ashtu përshtatje specifike. Inuitët në Groenlandë, për shembull, kanë gjenet që i ndihmojnë të përballojnë dietën shumë të pasur me yndyrna pa rrezikuar sëmundjet kardiovaskulare. Ndërsa te Turkana në Kenia, një gjen i veçantë u mundëson të rezistojnë gjatë pa ujë, gjë që për shumë njerëz të tjerë do të shkaktonte dëmtim të veshkave.
Sëmundjet dhe evolucioni
Epidemitë kanë qenë ndër shtytësit më të fuqishëm të evolucionit të njeriut. Gjatë shekullit XIV, murtaja bubonike shfarosi rreth një të tretën e Europës. Ata që i mbijetuan shpesh posedonin një gjen mbrojtës, i cili u trashëgua në brezat pasues dhe rriti rezistencën e popullsisë ndaj shpërthimeve të tjera.
Edhe në kohët moderne, sëmundje si COVID-19 kanë zbuluar ndryshime gjenetike që u japin disa njerëzve imunitet të natyrshëm më të fortë. Vitet në vijim, këto karakteristika mund të bëhen më të përhapura, duke forcuar mbrojtjen biologjike të njerëzimit kundër viruseve të ardhshëm.
Pavarësisht zhvillimit teknologjik, ndërhyrjeve kulturore dhe ndryshimeve në stilin e jetesës, evolucioni i njeriut është një proces i gjallë dhe vazhdon sot e kësaj dite. Ne përshtatemi vazhdimisht ndaj klimës, ushqimit, sëmundjeve dhe sfidave të reja që sjell mjedisi ynë qoftë natyror apo i krijuar nga vetë ne.
