Aplikacioni “A je gjallë?” është një risi digjitale që po përhapet me shpejtësi në Kinë, veçanërisht mes të rinjve që jetojnë vetëm në qytetet e mëdha.
Një mundësi për personat që jetojnë vetëm, përmes këtij aplikacioni konfirmojnë periodikisht se janë mirë, ndërsa në rast mungese sinjali njofton një kontakt emergjence. Fenomeni hedh dritë mbi një realitet gjithnjë e më të përhapur të jetesës urbane dhe vetmisë moderne.
I lançuar në maj të vitit të kaluar pa shumë vëmendje, aplikacioni është kthyer së fundmi në më të shkarkuarin mes aplikacioneve me pagesë në Kinë, veçanërisht nga të rinjtë që jetojnë vetëm në qytetet e mëdha.
Sipas të dhënave të cituara nga mediat shtetërore kineze, deri në vitin 2030 Kina mund të ketë rreth 200 milionë familje me një person. Pikërisht këtyre njerëzve u drejtohet aplikacioni, duke u vetëpërshkruar si një “shoqërues sigurie” për punonjës, studentë apo këdo që zgjedh të jetojë vetëm.
Pse aplikacioni “A je gjallë?” po bëhet kaq i përdorur
Në rrjetet sociale kineze, shumë përdorues thonë se frika më e madhe e të jetuarit vetëm është ideja se dikush mund të humbasë jetën pa u vënë re nga askush. “Ndonjëherë mendoj: nëse do të vdisja vetëm, kush do ta merrte vesh?”, shkruan një përdorues.
Gjithashtu Wilson Hou, 38 vjeç, që punon në Pekin larg familjes, thotë se ky ishte motivi që e shtyu ta shkarkonte aplikacionin. Ai ka vendosur nënën si kontakt emergjence, nga frika se një incident mund t’i ndodhte pa e marrë vesh askush.
Megjithatë, emri i aplikacionit ka nxitur edhe kritika. Disa e konsiderojnë ogurzi dhe kërkojnë që të ndryshohet në diçka më pozitive, si “A je mirë?” apo “Si je?”. Kompania zhvilluese, Moonscape Technologies, ka pranuar se po e shqyrton mundësinë e ndryshimit të emrit.
Jashtë Kinës, aplikacioni i njohur ndërkombëtarisht si Demumu, renditet ndër më të shkarkuarit në SHBA, Singapor, Hong Kong, Australi dhe Spanjë, kryesisht falë përdoruesve kinezë që jetojnë jashtë vendit.
Fillimisht falas, aplikacioni tani kushton vetëm 8 juanë, rreth 1 euro. Krijuesit e tij, tre të rinj të lindur pas vitit 1995, thonë se ndërtimi i aplikacionit u ka kushtuar vetëm 1,000 juanë, ndërsa sot vlera e kompanisë është rritur ndjeshëm dhe ata synojnë të tërheqin investitorë.
Ndërkohë, Moonscape po mendon të zgjerojë shërbimin edhe për të moshuarit, në një shoqëri ku më shumë se një e pesta e popullsisë është mbi 60 vjeç. Në një postim të fundit, kompania u ka bërë thirrje njerëzve t’u kushtojnë më shumë vëmendje të moshuarve që jetojnë vetëm, duke theksuar se ata “meritojnë kujdes, respekt dhe mbrojtje”.
