punë

Pse disponueshmëria e vazhdueshme në punë e lodh trurin?

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Prindërit e rinj shpesh tregojnë se pas lindjes së fëmijës, gjumi nuk është më kurrë i njëjtë. Edhe kur gjithçka shkon mirë, një pjesë e trurit qëndron vazhdimisht në gatishmëri, duke pritur tingullin e vogël që sinjalizon se dikush ka nevojë për ndihmë. Kjo krijon një llojge lodhjeje, që buron nga të qenit gjithmonë në alert.

E njëjta gjendje vërehet edhe në mjediset e punës ku disponueshmëria e vazhdueshme bëhet pritshmëri. Edhe kur punonjësit nuk po reagojnë aktivisht ndaj kërkesave, një pjesë e vëmendjes së tyre mbetet e angazhuar, në pritje të email-it, mesazhit apo telefonatës së radhës. Studiuesit e quajnë këtë gjendje mbetje e vëmendjes”, një fenomen ku vëmendja nuk shkëputet kurrë plotësisht, sepse ndërpritet vazhdimisht ose mbahet në pritje. Me kalimin e kohës, kjo gjendje e zgjatur vigjilence e lodh trurin në mënyrë të ngjashme me atë që përjetojnë prindërit e rinj, pasi mendja nuk pushon realisht asnjëherë.

Kur disponueshmëria e vazhdueshme kthehet në normë, truri qëndron i aktivizuar në mënyrë konstante, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë shkëputjen mendore. Me një foshnjë, kjo gjendje vigjilence është e domosdoshme. Në punë, ndonëse ekzistojnë më shumë zgjedhje, pritshmëria për të qenë gjithmonë i arritshëm e shtyn vëmendjen të sillet njësoj.

Mendja nuk arrin të qetësohet plotësisht, sepse është gjithmonë në pritje të një ndërprerjeje, pyetjeje apo kërkese të re. Kur vëmendja qëndron pjesërisht e angazhuar gjatë gjithë ditës, në vend që të lëvizë natyrshëm mes fokusit dhe pushimit mendor, përqendrimi dobësohet dhe të menduarit kërkon më shumë energji. Shumë njerëz ndihen të rraskapitur edhe në ditë që nuk duken veçanërisht të ngarkuara, pikërisht për shkak të kësaj vigjilence të vazhdueshme.

Pse disponueshmëria e vazhdueshme krijon “mbetje të vëmendjes”

Psikologët përdorin termin “mbetje e vëmendjes” për të përshkruar atë që ndodh kur vëmendja zhvendoset vazhdimisht nga një detyrë në tjetrën. Një pjesë e saj mbetet e lidhur me detyrën e mëparshme ose zhvendoset drejt asaj që mund të vijë më pas.

Çdo ndërrim fokusi kërkon kohë dhe energji për riorientim. Në vend që vëmendja të përqendrohet plotësisht në detyrën aktuale, një pjesë e saj mbetet “pezull”. Edhe pa ndërrime të shpeshta detyrash, ndjenja e pritjes së vazhdueshme për një ndërprerje të mundshme mjafton për ta mbajtur trurin të tensionuar.

Në mjediset e punës ku ndërprerjet janë të paparashikueshme, kjo mbetje e vëmendjes shtohet. Me kalimin e kohës, vëmendja shpërndahet në shumë drejtime dhe fokusi fillon të fragmentohet. Kjo i ngjan gjendjes së një prindi që përpiqet të pushojë, por mendërisht mbetet gjithmonë në gatishmëri.

Disponueshmëria e vazhdueshme në punë ndikon edhe në mënyrën se si merren vendimet. Vigjilenca e zgjatur ndryshon procesin e vlerësimit të opsioneve dhe zgjidhjes së problemeve. Mendimi anon drejt përgjigjeve më të shpejta dhe më të njohura, duke lënë më pak hapësirë për reflektim të thelluar.

Në praktikë, kjo çon në mbështetje më të madhe te zakoni sesa te analiza dhe në zgjedhjen e zgjidhjeve që kërkojnë më pak përpjekje mendore. Problemet komplekse fillojnë të duken më të vështira jo sepse janë më të ndërlikuara, por sepse truri është tashmë i lodhur nga gjendja e vazhdueshme e gatishmërisë.

Rikuperimi i vërtetë kërkon që vëmendja të çlodhet për periudha të caktuara. Kur disponueshmëria e vazhdueshme është normë, kjo ndodh rrallë. Edhe jashtë orarit të punës, shumë punonjës vazhdojnë të kontrollojnë mesazhet ose të mendojnë për kërkesat e mundshme që mund të vijnë.

Kjo gjendje e mban trurin të lidhur vazhdimisht me punën. Edhe praktikat e ndërgjegjësimit, të cilat synojnë rikthimin e fokusit dhe qetësimin e mendjes, bëhen më të vështira për t’u zbatuar kur vëmendja nuk arrin kurrë të shkëputet plotësisht nga gatishmëria.

Kur disponueshmëria e vazhdueshme është e pritshme, punonjësit shpesh ndihen të pafuqishëm për të vendosur kufij. Megjithatë, disa ndryshime të vogla mund të reduktojnë ngarkesën mendore. Një prej tyre është përcaktimi i momenteve të caktuara për përgjigje, në vend të reagimit të menjëhershëm ndaj çdo njoftimi.

Kjo përfshin përfundimin e një detyre përpara hapjes së një mesazhi tjetër, komunikimin e qartë me kolegët për afatet e përgjigjes dhe krijimin e hapësirave për punë të pandërprerë. Këto praktika ndihmojnë në uljen e ndjesisë së pritjes së vazhdueshme.

Roli i drejtuesve në uljen e kostos së disponueshmërisë

Drejtuesit luajnë një rol kyç në formësimin e kulturës së disponueshmërisë. Sjellje të tilla si dërgimi i mesazheve jashtë orarit, përgjigjet e menjëhershme në çdo kohë apo vlerësimi i shpejtësisë mbi cilësinë e mendimit krijojnë pritshmëri të forta për gjithë organizatën.

Disponueshmëria e vazhdueshme e mban trurin në një gjendje alarmi të zgjatur, të ngjashme me atë që përjetojnë prindërit e rinj. Kjo gjendje mund të jetë e dobishme për periudha të shkurtra, por bëhet e dëmshme kur shndërrohet në normë.

Me kalimin e kohës, gjykimi dobësohet, rikuperimi bëhet më i vështirë dhe puna perceptohet si më e lodhshme sesa duhet. Të kuptuarit e kostos njohëse të disponueshmërisë së vazhdueshme është thelbësore për krijimin e mjedise pune më të shëndetshme dhe më efektive.

forbes.com

Citimi i Ditës
Albanian Edition

Nëse do të shkosh shpejt, shko vetëm; nëse do të shkosh larg, shko me të tjerët.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top