Kthimi në punë pas pushimeve të fundvitit shpesh shoqërohet me lodhje dhe mungesë motivimi. Por sot, për shumë punonjës, ekziston një ngushëllim i madh, puna hibride.
Për profesionet që e lejojnë, modeli hibrid, kombinimi i punës nga shtëpia dhe asaj në zyrë është kthyer në normën e re. Megjithatë, ky transformim po sjell edhe ndryshime të thella kulturore, duke i detyruar punonjësit dhe drejtuesit të gjejnë mënyra të reja për të ruajtur lidhjen, shoqërinë dhe mirëqenien në një ambient pune të përzier.
Si mund të ndërtohet kultura e ekipit në këtë realitet të ri të punës? Thirrjet me video nuk arrijnë të zëvendësojnë ndërveprimet ballë për ballë, ndërsa aktivitetet tradicionale për ndërtimin e moralit shpesh humbasin efektin kur zhvendosen në format online.
Kjo çështje ka marrë vëmendje të veçantë edhe në kërkime akademike që fokusohen në aspektet sociale të jetës profesionale, përfshirë argëtimin, humorin dhe lumturinë në vendin e punës.
Për të kuptuar se si po përshtaten kompanitë me këtë realitet të ri, autorja e studimit u përfshi nga afër në dy biznese lokale, duke vëzhguar mënyrën se si ato ruanin një kulturë pozitive pune në kushte ku një pjesë e punonjësve punonin online dhe të tjerët në zyrë. Ajo intervistoi punonjës nga të gjitha nivelet e hierarkisë, ndoqi ndërveprime fizike dhe digjitale dhe zhvilloi biseda edhe me punonjës nga sektorë të ndryshëm. Këto kërkime u përmbledhën në librin e saj të sapobotuar Hybrid Happiness: Fun and Freedom in Flexible Work.
Rezultatet treguan kultura pune energjike dhe dinamike, për të cilat kompanitë shpreheshin krenare dhe të vendosura për t’i ruajtur. Megjithatë, studimi nxori në pah se argëtimi në vendin e punës është subjektiv dhe se imponimi i tij, veçanërisht në një mjedis hibrid, mund të sjellë pasoja negative.
Punonjësit ishin pothuajse unanimë në një pikë, puna hibride duhet të vazhdojë. Sipas tyre, ky model i bën më të lumtur për shkak të fleksibilitetit, autonomisë dhe mbi të gjitha, ndjenjës së besimit që u jep kompania.
Përfitimet janë tashmë të njohura, kursimi i kohës dhe i parave që do të shkonin për udhëtime të përditshme, mundësia për të menaxhuar kujdesin për familjen apo kafshët shtëpiake, shëtitjet në natyrë gjatë ditës së punës apo edhe puna nga një kafene.
Gjetja e ekuilibrit
Pavarësisht këtyre përfitimeve, puna hibride nuk është gjithmonë e lehtë apo argëtuese. Studimi evidenton edhe raste dështimi dhe pakënaqësie. Aktivitetet e etiketuara si “argëtuese” nuk përfshijnë gjithmonë të gjithë, veçanërisht punonjësit që e konsiderojnë veten introvertë.
Një punonjës i ri tregoi se ishte ndier i detyruar të merrte pjesë në një aktivitet mode të organizuar në zyrë, pavarësisht se kjo situatë e bënte shumë të parehatshëm. Po ashtu, një kuiz online i organizuar në fund të ditës mund të perceptohet si një detyrë shtesë, në vend që të shërbejë si çlodhje.
Edhe përdorimi i emoji-ve mund të keqinterpretohet ose të bezdisë, veçanërisht kur përdoren me tepri. Teprimi me aktivitete argëtuese shpesh krijon ndjesinë e artificialitetit dhe mund të shpërqendrojë punonjësit nga detyrat dhe afatet e tyre.
Përfundimi i studimit është i qartë, argëtimi nuk mund të imponohet. Mundësia për të mos marrë pjesë është thelbësore për të shmangur presionin dhe ndjesinë e sikletit.
Në këtë drejtim, puna hibride shihet si një avantazh. Është më e lehtë të mos marrësh pjesë në një aktivitet online kur je i zënë ose kur nuk të përshtatet, ndërsa shmangia e presionit social është më e vështirë në ambientin fizik të zyrës.
Pse ka rëndësi e gjithë kjo? Sepse punonjësit kërkojnë zgjedhje dhe fleksibilitet, lirinë për të punuar nga shtëpia, por edhe mundësinë për t’u lidhur me kolegët dhe për të ndërtuar marrëdhënie në zyrë.
Disa punonjës janë më produktivë kur janë fizikisht pranë kolegëve të tyre, ndërsa të tjerë performojnë më mirë larg zhurmës, por të lidhur përmes teknologjisë. Puna hibride i përfshin të gjitha këto modele.
Kur njerëzit punojnë në mënyrën që u përshtatet më mirë, ata janë më të lumtur. Kjo lumturi reflektohet drejtpërdrejtë në kulturën e punës, duke krijuar ekipe më të motivuara, më bashkëpunuese dhe më elastike.
Një kulturë e shëndetshme pune ndërtohet mbi angazhimin dhe dëshirën e vetë punonjësve. Prandaj, pavarësisht sfidave, gjithçka tregon se kultura e zyrës jo vetëm që mund të mbijetojë në epokën e punës hibride, por në disa raste mund të dalë edhe më e fortë.
