Dy kometa të reja, të zbuluara së fundmi, po ofrojnë një spektakël të rrallë në qiell teksa afrohen më shumë se kurrë me Tokën gjatë këtij muaji. Astronomët thonë se është një moment ideal për t’i vëzhguar, pasi pas kësaj periudhe ato do të zhduken për qindra vjet.
Kometa Lemmon dhe SWAN
Lemmon u zbulua nga Observatori Mount Lemmon në Arizona, ndërsa SWAN u identifikua falë instrumentit SWAN në anijen hapësinore Solar and Heliospheric Observatory një projekt i përbashkët i NASA-s dhe Agjencisë Evropiane të Hapësirës.
Të dyja kometat janë përbërë nga akull, gazra të ngrira dhe shkëmbinj, dhe ndërsa afrohen me Diellin, nxehtësia bën që ato të lëshojnë pluhur dhe gaz, duke krijuar bishtin karakteristik të ndritshëm.
Kur do të jenë më afër Tokës
Sipas astronomëve, kometa SWAN do të afrohet më shumë me Tokën më 20 tetor, në një distancë prej rreth 38.6 milionë kilometrash, ndërsa kometa Lemmon do të kalojë më afër një ditë më pas, më 21 tetor, në një distancë prej 88.5 milionë kilometrash.
SWAN nuk do të rikthehet pranë Tokës për 650–700 vjet, ndërsa Lemmon do të mbetet e padukshme për rreth 1,300 vjet.
Si t’i shihni
Sipas ekspertëve, SWAN është më e dukshme në mbrëmjet e hershme, menjëherë pasi errësohet qielli, ndërsa Lemmon mund të shihet para agimit, dhe shumë shpejt do të bëhet e dukshme edhe në mbrëmje.
Kometa Lemmon pritet të ndriçohet ndjeshëm në javët në vijim dhe mund të jetë e dukshme me dylbi ose edhe me sy të lirë nga vende të errëta, larg ndotjes së dritës.
Astronomët rekomandojnë përdorimin e aplikacioneve si Stellarium apo KStars për të gjetur me saktësi pozicionin e kometave në qiell. Gjithashtu, për ata që nuk kanë mundësi t’i shohin drejtpërdrejt, projekti Virtual Telescope do të transmetojë një livestream të dy kometave më 20 tetor nga Italia.
Këto kometa përfaqësojnë kapsula kohore të sistemit tonë diellor, që kanë qëndruar të ngrira për miliarda vjet në skajet e tij. Studimi i tyre ndihmon shkencëtarët të kuptojnë më mirë se si janë formuar planetët dhe sistemet diellore si i yni.Këto kometa janë një mundësi e rrallë për të parë materiale që nuk janë ndryshuar që nga fillimi i sistemit tonë diellor,thotë astronomja Carrie Holt nga Las Cumbres Observatory.