Në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve të Shqipërisë, e mbajtur në Tiranë nga 26 deri më 28 gusht, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë gjithnjë e më të madhe që rajoni përfaqëson për Shqipërinë, duke njoftuar hapjen e një shërbimi diplomatik në Bosnjë dhe Hercegovinë. Rama shtoi se po shqyrtohet edhe mundësia për të hapur një ambasadë shqiptare në Kenia, Afrikë.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri vlerësoi punën e diplomatëve shqiptarë nëpër botë, duke përmendur veçanërisht shembullin pozitiv të shërbimit diplomatik në Greqi. Ai përgëzoi ambasadoren shqiptare në Athinë për transformimin e jashtëzakonshëm të shërbimit konsullor, i cili është një nga shërbimet më të ngarkuara për shkak të pranisë së madhe të shqiptarëve në Greqi.
“Natyrisht që ka nevojë për përmirësime të mëtejshme, por edhe ai atje në Athinë është një shembull që asgjë nuk mund të jetë jashtë mundësive tona në rast se ne kemi vullnetin dhe angazhimin e duhur për t’u kujdesur siç duhet për shqiptarët jashtë atdheut,” tha Rama.
Në konferencë u diskutuan edhe sfidat dhe prioritetet e diplomacisë shqiptare, me fokus në forcimin e marrëdhënieve rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.