pagat në BE

Renditja e pagave në Europë, cilat vende ofrojnë pagat mesatare më të larta?

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Fillimi i vitit të ri është një periudhë kyçe për ndryshime në karrierë, ku paga mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm në vendimmarrjen e punonjësve. Por sa fitojnë realisht punëtorët në vendet europiane?

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2024, pagat ndryshojnë ndjeshëm mes vendeve të Europës, si në vlerë nominale, ashtu edhe kur llogaritjen sipas fuqisë blerëse.

Paga mesatare vjetore për punonjës në Bashkimin Europian arrin në 39,808 euro. Mes vendeve anëtare, ajo varion nga 15,387 euro në Bullgari deri në 82,969 euro në Luksemburg një diferencë prej 5.4 herësh.

Përveç Luksemburgut, paga mesatare vjetore tejkalon 50,000 euro edhe në Danimarkë, Irlandë, Belgjikë, Austri dhe Gjermani.

Në fund të renditjes, përveç Bullgarisë, paga mesatare vjetore është nën 20,000 euro edhe në Greqi dhe Hungari.

Eurostat i ka përshtatur shifrat për të reflektuar pagën mesatare sikur të gjithë punonjësit të punonin me orar të plotë, duke marrë parasysh faktin se në shumë vende një pjesë e konsiderueshme e forcës së punës është e punësuar me kohë të pjesshme.

Në përgjithësi, pagat janë më të larta në Europën Perëndimore dhe Veriore, ndërsa më të ulëta në Europën Lindore dhe Juglindore.

Pse ekzistojnë këto diferenca pagash?

Sipas Giulia De Lazzari, ekonomiste pranë Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), struktura ekonomike dhe produktiviteti janë faktorët kryesorë që shpjegojnë ndryshimet mes vendeve.

“Produktiviteti më i lartë u mundëson vendeve të mbështesin paga më të larta,” shprehet ajo për Euronews Business.

Sipas saj, vendet ku dominojnë sektorë me vlerë të shtuar të lartë  si financa, teknologjia e informacionit dhe industria e avancuar ofrojnë paga më të mira krahasuar me ekonomitë e mbështetura në bujqësi, tekstile apo shërbime bazë.

Gjithashtu, roli i sindikateve, niveli i marrëveshjeve kolektive dhe paga minimale ligjore ndikojnë ndjeshëm në nivelin e pagave.

Ndërkohë, Dr. Agnieszka Piasna, studiuese e lartë në Institutin Europian të Sindikatave (ETUI), thekson se nivelet e ulëta të sindikalizimit dhe papunësia e lartë dobësojnë fuqinë negociuese të punëtorëve.

“Kjo shpesh shpjegon pjesën e ulët të pagave në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ku normat e sindikalizimit janë ndër më të ulëtat në BE,” thotë ajo.

Kur pagat krahasohen sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS) që merr parasysh kostot e jetesës, hendeku mes vendeve zvogëlohet ndjeshëm.

Pagat e përshtatura për punë me kohë të plotë variojnë nga 21,644 PPS në Greqi deri në 55,051 PPS në Luksemburg, duke ulur raportin mes më të lartës dhe më të ulëtës në 2.5 herë.

Pas Luksemburgut, vendet me pagat më të larta në PPS janë Belgjika, Danimarka, Gjermania dhe Austria, të gjitha mbi 48,500 PPS.

Pesë vendet me pagat më të ulëta në PPS janë Greqia, Sllovakia, Hungaria, Bullgaria dhe Estonia, të gjitha nën 28,000 PPS.

Sipas ILO-së, niveli i çmimeve dhe kostoja e jetesës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në pagat nominale. “Vendet me çmime më të larta për konsumatorët priren të kenë edhe paga më të larta,” shpjegon De Lazzari.

Krahasimi mes pagave nominale dhe PPS ndryshon ndjeshëm renditjen e disa vendeve. Për shembull, Rumania ngjitet nga vendi i 22-të në të 13-in kur llogaritet sipas fuqisë blerëse, ndërsa Estonia zbret nga vendi i 16-të në të 22-in.

Nëse ritmi mesatar i rritjes së pesë viteve të fundit vijon, paga mesatare në BE pritet të arrijë 41,600 euro në vitin 2025 dhe 43,400 euro në 2026, megjithëse rritja do të mbetet e pabarabartë mes vendeve.

euronews.com

Citimi i Ditës
Albanian Edition

"Mos lejo që frika të vendosë për të ardhmen tënde."

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top