Pavarësisht se çfarë kishte paralajmëruar qeveria franceze, as trazirat e brendshme dhe as ato ndërkombëtare nuk pasuan menjëherë pas rënies së kabinetit të kryeministrit Barnier dhe dorëheqjes së tij. Por pa një buxhet të vlefshëm, deficiti publik mund të rritet më tej, si dhe pasiguria që po rrit kostot e rifinancimit të borxhit tashmë të madh të vendit.
Presidenti Macron tani do të duhet të emërojë një kryeministër të ri, i cili do të ketë për detyrë të formojë një qeveri të re. Por shanset për të miratuar një buxhet të ri para fundit të vitit janë shumë të pakta.
Nëse deri më 20 dhjetor nuk votohet buxheti, një nga mundësitë është që buxheti i 2024-ës të zgjatet deri në vitin 2025.
“Një zhvendosje e buxhetit të 2024 në të gjithë vitin fiskal 2025 ka të ngjarë të sjellë një deficit buxhetor të qeverisë prej rreth 6.3-6.6% të PBB-së, nga rreth 6.1% e GDP në 2024”, thuhet në një analizë të Banka Barclay’s.
Franca tashmë është nën një presion të konsiderueshëm për mbishpenzime, rregullat fiskale të BE-së kërkojnë që çdo shtet anëtar i eurozonës të mbajë deficitin e tij nën 3% të PBB-së.
Barclay shtoi në analizën e tyre se peizazhi politik është shumë i rrjedhshëm për të ndryshuar ende parashikimet e tyre, duke e lënë derën e hapur për një qeveri të re dhe miratimin e shpejtë të një buxheti të vitit 2025 deri në tremujorin e parë të 2025 “që do të jepte njëfarë rregullimi fiskal”, analiza shton se: “Në këtë rast, ne mendojmë se parashikimi ynë i deficitit të përgjithshëm të qeverisë prej 5.8% të PBB-së, i cili tashmë përfshin një qëndrim më të lirë fiskal dhe më të ulët sesa buxheti i z. Barnier, do të ishin ende gjerësisht të arritshme.”
A mund të ketë një mbyllje të qeverisë në Francë?
Jo, Franca ka një kuadër ligjor që pengon mbylljen e qeverisë. Për të siguruar fondet e nevojshme për angazhimet tashmë të miratuara në vitin e ri, skenari më i mundshëm për çdo qeveri të re, apo aktualisht në përkujdesje duket të jetë “prezantimi i një ligji të posaçëm në Parlament përpara datës 19 dhjetor për të siguruar mbledhjen e vazhdueshme të taksave ekzistuese“, theksohet në analizë.
Sa i përket fondit të Sigurimeve Shoqërore, legjislacioni nuk është i qartë se çfarë ndodh nëse projektligji i financimit të sigurimeve shoqërore refuzohet. Përfitimet sociale franceze nuk do të ndërpriteshin dhe kontributet do të mblidheshin vazhdimisht. Çështja më urgjente duket të jetë mungesa e autorizimit të operatorit pas sistemit të sigurimeve shoqërore, i cili zakonisht mbledh fonde në tregjet financiare deri në një tavan të miratuar.
“Raportuesi i financimit të sigurimeve shoqërore të Senatit francez sugjeroi më herët se kufijtë e huamarrjes mund të përfshiheshin në një mjet legjislativ ad-hoc, duke lejuar që fondet e sigurimeve shoqërore të vazhdojnë të funksionojnë sipas dispozitave të përcaktuara në kodin e sigurimeve shoqërore”, thuhet në analizë. Pushtetet vendore u lihet të jenë “vetëqeverisëse”, sipas nenit 72 të kushtetutës, ndaj vendosin lirisht shumën dhe ndarjen e shpenzimeve të tyre në një skenar pa buxhet, sipas pritshmërive të Barclay. Analiza e bankës lë hapësirë për mundësinë që buxheti i vitit 2025 të miratohet në muajt e parë të vitit të ardhshëm, në këtë rast mendohet se parashikimet fiskale do të ishin ende gjerësisht të arritshme.
Edhe me buxhetin aktual, Barclays nuk pret asnjë reduktim të ndjeshëm të deficitit në vitin 2025 dhe ka parashikuar një deficit prej 5.8% të PBB-së vitin e ardhshëm, shumë mbi objektivin e qeverisë prej 5%. Banka llogarit me 0.7% rritje ekonomike, ndërsa qeveria 1.1%.