Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka raportuar mbi gjendjen aktuale të lumit Vjosë dhe përpjekjet për ta mbrojtur atë pas shpalljes së luginës si Rezervë e Biosferës nga UNESCO, një status që synon ruajtjen e ekosistemeve të rralla dhe të brishta të planetit.
Në artikullin e publikuar muajin e kaluar, Reuters përshkruan se si era e fortë shpesh përhap copa plastike nga vendgrumbullimet e hapura të mbeturinave në ujërat e lumit, ndërsa në pjesë të tjera shkarkohen ujëra të zeza ose nxirret zhavorr nga shtrati i lumit, një praktikë që ekspertët e konsiderojnë të dëmshme për rrjedhën natyrore dhe stabilitetin e brigjeve.
Pavarësisht statusit të ri mbrojtës, ambientalistët mbeten të shqetësuar. “Dokumentet ndërkombëtare të njohjes si UNESCO nuk i zgjidhin problemet,” tha për Reuters Besjana Guri nga organizata mjedisore Lumi, gjatë një vizite të fundit në luginë.
Reuters citon gjithashtu ministrin shqiptar të Mjedisit, Sofjan Jaupaj, i cili pranoi vështirësitë ekzistuese dhe deklaroi se qeveria planifikon të investojë mbi 150 milionë euro për përmirësimin e trajtimit të ujërave të zeza dhe mbylljen e deponive të hapura përgjatë lumit.
Lumi Vjosë, që buron në Greqinë veriore dhe derdhet në Adriatik, njihet si një nga rrjedhat e fundit të pandërprera ujore në Evropë. Ai është shpallur Park Kombëtar në vitin 2023, dhe është shtëpi për qindra specie të rralla, përfshirë vidrën dhe shkabën egjiptiane të kërcënuar.
Sipas Reuters, ndonëse statusi i UNESCO-s përfaqëson një arritje të rëndësishme për Shqipërinë, sfidat për ruajtjen e pastërtisë dhe ekuilibrit natyror të lumit mbeten të mëdha.