Digjitalizimi po transformon çdo industri përfshirë edhe fushën e bukurisë dhe mirëqenies në Shqipëri. Vaspas ka kontaktuar bashkëthemeluesen e platformës BeautyBooking, një prej iniciatoreve që po e udhëheq projektin e digjitalizimit të menaxhimit të klinikave dhe salloneve të bukurisë.
Ajo është Denisa Zotaj, profesioniste që e njeh nga afër mënyrën se si funksionojnë klinikat dhe sallonet, si dhe sfidat që ato hasin në menaxhimin e përditshëm. BeautyBooking është renditur mes 10 startup-eve finaliste në “Women Startup Competition Albania 2025”.
Çfarë është BeautyBooking, si lindi dhe cili ishte problemi kryesor që dëshironit të zgjidhnit?
BeautyBooking është një platformë digjitale për rezervime dhe menaxhim në fushën e bukurisë, wellness dhe estetikës.
Ajo lindi nga një nevojë reale që pashë gjatë eksperiencës sime 7-vjeçare në industrinë e dermoestetikës. Klinikat dhe sallonet funksiononin ende me mënyra tradicionale si kalendar, lista me dorë ose komunikime përmes WhatsApp-it. Kjo sillte kaos, humbje kohe dhe humbje klientësh. Nga ana tjetër, klientët nuk kishin transparencë ose mënyra të shpejta për të bërë rezervime. BeautyBooking u krijua për të përmbushur pikërisht këto boshllëqe.
Si ka ndikuar eksperienca juaj në lindjen e idesë së BeautyBooking dhe në zhvillimin e saj?
Gjatë punës sime kam parë nga afër sfidat e bizneseve dhe klientëve. Një klient është i motivuar të bëj blerje në moment sepse nëse procesi zgjat më shumë, e humbet interesin. Pikërisht kjo ndodhte çdo ditë në klinikat me të cilat bashkëpunoja. BeautyBooking nuk lindi si një ide teknologjike, por si një mënyrë për të përmirësuar funksionimin e qendrave estetike, duke e bërë procesin e rezervimit të thjeshtë, të shpejtë dhe të këndshëm.
Cilat janë funksionalitetet kryesore që ofron BeautyBooking për klientët dhe bizneset që e përdorin, çfarë ka ndryshe kjo platformë?
Parimi ynë është i qartë, të vlerësojmë kohën e klientit dhe të biznesit. Sot, një klient mund të rezervojë shërbimin e dëshiruar në më pak se një minutë. Në profilin e Instagramit klikon linkun, zgjedh shërbimin, fut të dhënat dhe realizon një rezervim. Platforma i kujton automatikisht klientët për takimet e tyre, duke ulur ndjeshëm rastet e mosparaqitjeve. Ndërkohë, BeautyBooking u automatizon bizneseve menaxhimin e agjendës, shmang gabimet njerëzore dhe optimizon oraret. Punonjësi mund të gabojë, por algoritmi BeautyBooking jo. Çdo sallon ka profil të personalizuar me shërbime, çmime, galeri dhe renditje në Google, gjë që ndihmon në tërheqjen e klientëve të rinj, madje edhe nga jashtë vendit.
Industria estetike shqiptare meriton të funksionojë me të njëjtat standarde si ajo europiane dhe ne po sjellim pikërisht këtë nivel profesionalizmi.
Si është pritur platforma nga bizneset që e përdorin? A ofron platforma mundësi personalizimi për bizneset apo fushata promocionale?
Është pritur mjaft mirë. Bizneset që kanë përqafuar digjitalizimin kanë parë rritje të ndjeshme të rezervimeve, menaxhim më të qetë dhe më pak anulime. Për shumë prej tyre, është bërë mjeti kryesor i organizimit të përditshëm. Gjithashtu, BeautyBooking ofron personalizim të plotë nga dizajni i profilit të biznesit deri te ofertat, paketat dhe fushatat promocionale që i mbështesim aktivisht për secilin partner.
Cila ka qenë sfida më e mëdha dhe mësimet më të vlefshme që keni marrë nga kjo eksperiencë?
Siç e thashë në fillim, sfida më e madhe ishte ndryshimi i mentalitetit. Shumë biznese nuk ishin mësuar ta shihnin teknologjinë si ndihmesë, ndaj kemi investuar shumë kohë në edukim dhe mbështetje. Nga ana teknike, sfida kryesore ishte krijimi i një platforme të qëndrueshme dhe të lehtë për përdorim, veçanërisht nga telefoni. Sot kemi një ekip që reagon shpejt ndaj çdo kërkese dhe punon vazhdimisht për tu përmirësuar. Për të arritur sukses, duhet të jesh i saktë, i shpejtë dhe i kujdesshëm në çdo hap të procesit. Përveç kësaj, eksperienca më ka mësuar të kuptoj në detaj si funksionon një klinikë ose sallon. Sot përveç platformës, ofrojmë edhe konsulencë për menaxhim dhe organizim.
A planifikoni zgjerim në tregje të tjera jashtë Shqipërisë? Çfarë planesh keni për zhvillimin e mëtejshëm të BeautyBooking?
Synimi ynë është të zgjerohemi fillimisht në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, ku tregu është i ngjashëm dhe ka interes të madh për digjitalizimin e shërbimeve estetike. Jemi duke zhvilluar një aplikacion të dedikuar për klientët dhe bizneset, me synimin që BeautyBooking të jetë në telefonin e çdo personi që kërkon shërbime estetike në Shqipëri dhe jashtë saj.
Si mund të modernizohen klinikat sot, a keni një rast konkret që tregon efektin e BeautyBooking?
Klienti nuk duhet të presë për një përgjigje në DM. Rezervimi duhet të jetë aq i lehtë sa një klikim. Automatizimi nuk zëvendëson kujdesin njerëzor, por e plotëson atë. Një rast konkret ishte një sallon në qytetin e Lezhës, i cili mori dhjetëra rezervime nga klientë të huaj vetëm sepse u rendit lart në Google përmes profilit të BeautyBooking. Janë momente si këto që na konfirmojnë se platforma jonë po ndihmon në mënyrën e duhur bizneset lokale.
Si arrini të ruani frymën e ekipit në kushte sfiduese dhe çfarë do t’u këshillonit të rinjve që duan të krijojnë platforma inovative?
Në një startup, ekipi është gjithçka. Secili jep më shumë seç pritet dhe kjo energji na ka sjellë deri këtu. Sfida më e madhe është ritmi, duam të ecim akoma më shpejt, por pasioni i ekipit e kompenson çdo mungesë dhe çdo sfidë.
Këshilla ime është: Flisni me klientët tuaj, mos supozoni dhe dëgjoni. Çdo ide bëhet produkt vetëm kur lind nga një nevojë e vërtetë dhe çdo përmirësim fillon nga një bisedë e sinqertë me përdoruesin.