Kompania ndërkombëtare e sigurisë kibernetike Cloudflare ka pësuar një ndërprerje të gjerë sot, duke shkaktuar probleme në aksesimin e shumë faqeve dhe shërbimeve në mbarë botën, përfshirë X (Twitter), ChatGPT, si edhe platforma të tjera të përdorura gjerësisht.
Cloudflare bëri të ditur se ndërprerja u shkaktua nga një problem i brendshëm, të cilin kompania e përshkroi si “degradim i shërbimeve të brendshme”, i lidhur me një rritje të pazakontë të trafikut drejt një prej shërbimeve të saj. Kjo ngarkesë e papritur shkaktoi gabime në kalimin e trafikut në rrjetin e Cloudflare.
Sipas njoftimit zyrtar, kompania ka nisur rikthimin gradual të shërbimeve, por përdoruesit mund të vazhdojnë të përjetojnë gabime dhe vonesa më të larta se normalja derisa problemet të zgjidhen plotësisht.
Ndikimi i ndërprerjes ka qenë i gjerë, pasi rreth 20% e faqeve të internetit në botë përdorin teknologjinë e Cloudflare për siguri, mbrojtje ndaj sulmeve kibernetike dhe menaxhim trafiku.
Mes shërbimeve të prekura u raportuan gjithashtu:
-
Ikea
-
Canva
-
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i Mbretërisë së Bashkuar (FCA)
-
Agjencia britanike e inteligjencës MI5
Cloudflare ka deklaruar se ekipet teknike janë “në gatishmëri të plotë” për të rikthyer funksionimin normal të trafikut dhe më pas për të hetuar shkakun e rritjes së papritur të trafikut që solli ndërprerjen.
