ekonomi

Rritja ekonomike e eurozonës mbetet me ritme të ngadalta, tregon PMI

 

Ekonomia e eurozonës në gusht vahzdoi me hapa shumë të ngadalshëm zgjerimin, pasi dobësimi i sektorit të shërbimeve kompensoi përmirësimin e prodhimit në industri. Kjo ndodhi edhe pse për herë të parë që nga maji i vitit të kaluar u regjistrua një rritje e re e porosive, sipas një ankete të publikuar.

Indeksi i Përbashkët i Blerjeve (HCOB Eurozone Composite PMI), i përgatitur nga S&P Global, u rrit lehtë në 51.0 në gusht nga 50.9 dhe në korrik niveli më i lartë në 12 muaj. Megjithatë, kjo tregon vetëm rritje të lehtë, pasi çdo vlerë mbi 50 sinjalizon zgjerim ekonomik.

Porositë e reja në ekonomi u rritën për herë të parë pas më shumë se një viti, kryesisht falë kërkesës së brendshme, ndërsa eksportet ranë me ritmin më të shpejtë që nga marsi.

Nga ekonomitë kryesore të eurozonës, Spanja mbeti performuesi më i mirë, edhe pse rritja u ngadalësua. Italia shënoi një përmirësim të lehtë, ndërsa Gjermania pati një ngadalësim. Franca vazhdoi të mbetet në territor kontraktues, por PMI i saj u rrit në 49.8, nivelin më të lartë në 12 muaj.

“Kur i jep biçikletës  shumë ngadalë, rrezikon të biesh. Kjo është edhe situata e eurozonës. Po, ka rritje që nga fillimi i vitit, por ritmi është tepër i ngadalshëm,” tha Cyrus de la Rubia, kryeekonomist në Hamburg Commercial Bank. Ai shtoi se tensionet politike në Francë e Spanjë, pasiguria për marrëveshjen tregtare BE-SHBA dhe problemet në sektorin e automobilave po ndikojnë negativisht.

Bashkimi Evropian dhe SHBA arritën një marrëveshje kornizë tregtare në fund të korrikut, por deri tani është zbatuar vetëm tarifa bazë prej 15%.

Sektori i shërbimeve, që përbën pjesën më të madhe të ekonomisë së eurozonës, ngadalësoi ritmin, me PMI që ra në 50.5 nga 51.0 në korrik. Ndërkohë, prodhimi në industri shënoi rritjen më të fortë në gati 3 vite e gjysmë, duke qenë një nga pikat e ndritshme të panoramës ekonomike.

Punësimi në tërësi u rrit në nivelin më të lartë të 14 muajve, me kompanitë e shërbimeve që shtuan staf, ndërsa fabrikat vazhduan të ulin numrin e punëtorëve.

Megjithatë, presionet mbi çmimet u rritën në gusht: kostot e inputeve u rritën me ritmin më të shpejtë që nga marsi dhe kompanitë rritën çmimet e tyre me normën më të lartë në katër muaj. Kjo mund ta komplikojë perspektivën e Bankës Qendrore Evropiane për inflacionin. Inflacioni në eurozonë u ngjit lehtë në 2.1% në gusht, pranë objektivit prej 2% të BQE-së, duke forcuar pritshmëritë se normat e interesit do të mbeten të pandryshuara për momentin.

Megjithatë, besimi i bizneseve mbeti pothuajse i pandryshuar nga korriku dhe nën mesataren afatgjatë, çka tregon se kompanitë vazhdojnë të jenë të kujdesshme për perspektivën e ardhshme ekonomike.

Reuters

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top