Rritja ekonomike e Shqipërisë nuk mjafton për të zhdukur varfërinë

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Sipas projeksioneve më të fundit të Institutit të Vjenës për Studime Ndërkombëtare (WIIW) mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ekziston një hendek i qartë midis rritjes ekonomike dhe përmirësimit të mirëqenies sociale në vend.

Të dhënat tregojnë se, edhe në një skenar optimist, Shqipërisë mund t’i duhen rreth 30 vite për të arritur mesataren e PBB-së për frymë të vendeve të BE-së. Megjithatë, për të eliminuar varfërinë, procesi do të jetë shumë më i ngadaltë, mbi një shekull. Kjo tregon se rritja e të ardhurave për frymë nuk po përkthehet automatikisht në një nivel më të lartë jetese për shtresat më të varfra.

Konvergjenca e të ardhurave për frymë me mesataren e BE-së është më e shpejtë, pasi PBB-ja për frymë mat një mesatare që mund të ndikohet nga performanca e pak sektorëve të caktuar. Për shembull, sektori i ndërtimit ose energjisë mund të rrisë PBB-në, por një pensionist apo një familje në zonat rurale mund të mbeten të njëjtën gjendje ekonomike, duke lënë nivelin e varfërisë pothuajse të pandryshuar. Madje, statistikat e PBB-së shpesh duken më optimiste për shkak të tkurrjes së popullsisë.

Ky raport evidenton gjithashtu një ndarje rajonale të theksuar: zonat qendrore dhe bregdetare i afrohen më shpejt nivelit të BE-së, ndërsa zonat rurale dhe qytetet periferike mbeten të bllokuara në një cikël të vazhdueshëm varfërie.

Analiza tregon se, edhe nëse rritja ekonomike përshpejtohet përmes integrimit tregtar, shpërndarja e mirëqenies dhe reduktimi i varfërisë janë procese shumë më të ngadalta. Pa reforma rrënjësore në sistemin e pensioneve, në pagën minimale dhe në politikat për të zvogëluar pabarazinë ekstreme, rritja e PBB-së do të mbetet kryesisht një statistikë iluzive. Në këtë skenar, konvergjenca sociale mund të mbetet një objektiv i paarritshëm, duke lënë pas breza të tërë që nuk përjetojnë realisht përmirësimin e jetës që shfaqet vetëm në shifra.

PBB-ja e Shqipërisë

Monitor

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top