Dhoma e Biznesit të Diasporës ka njoftuar zyrtarisht pezullimin e Samitit të Gruas së Diasporës 2025, i cili ishte planifikuar të mbahej më 18 dhjetor 2025 në Parma, Itali.
Sipas njoftimit për shtyp, samiti do të organizohej në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe GIZ Albania, duke vijuar traditën e një platforme ndërkombëtare të rëndësishme për fuqizimin ekonomik, social dhe profesional të grave shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në diasporë.
Interesimi për këtë edicion kishte qenë i lartë, me pjesëmarrje të gjerë nga vende të ndryshme të botës. Megjithatë, zhvillimi i aktivitetit është pezulluar pas një ngjarjeje tragjike që ka prekur drejtpërdrejt organizatorët.
Më 12 dhjetor 2025, një aksident tragjik automobilistik i mori jetën dy figurave kyçe të kësaj nisme: Elisabeta Katiaj, organizatorja kryesore dhe një nga shtyllat themelore të Samitit të Gruas së Diasporës, si dhe Eorda Sinollari, anëtare e ekipit organizator dhe eksperte e Dhomës së Biznesit të Diasporës.
Në njoftimin e saj, Dhoma e Biznesit të Diasporës thekson se humbja e tyre ka lënë një boshllëk të madh njerëzor, profesional dhe emocional, jo vetëm për ekipin organizator, por edhe për komunitetin e grave të diasporës që prej vitesh e kanë konsideruar këtë samit një pikë referimi në rrugëtimin e tyre.
Në respekt të jetës dhe kontributit të dy bashkëpunëtoreve, si dhe për të ruajtur seriozitetin dhe misionin e këtij aktiviteti, është marrë vendimi që samiti të mos zhvillohet gjatë vitit 2025.
Dhoma e Biznesit të Diasporës shpreh angazhimin për vijimin e misionit të saj dhe bën të ditur se Samiti i Gruas së Diasporës pritet të rikthehet në një moment të përshtatshëm në të ardhmen, si një homazh ndaj vizionit dhe trashëgimisë së atyre që i dhanë jetë kësaj nisme.
Në përfundim, organizatorët falënderojnë të gjithë partnerët, pjesëmarrëset dhe mbështetësit për mirëkuptimin dhe solidaritetin e treguar në këtë periudhë të vështirë.
