Andale

“Seanca e Parë” – Rubrika më e re te “The Dalina Show”, me psikologe Jonarda Kërkurti

“Seanca e Parë” është një nga rubrikat e podcast-it “The Dalina Show”, një format unik, i pari i dedikuar emocioneve, ndjenjës dhe psikikës njerëzore me ndjeshmëri.

Ndarja e përvojave të dhimbjes, trajtimi i tyre me dëgjim dhe kujdes është më i nevojshëm se kurrë në shoqëri që i ‘shtypin emocionet.

Dalina

Një mendje futuriste, e bërë bashkë me ndjeshmërinë, me këtë mision shkon tek qoshet e errëta të ndërgjegjes kolektive. Aty ku frika, zërat dhe stigma ka mbajtur të kyçur rrëfimet, u bën vend fjalëve të marrin peshë dhe emocionet të gjejnë zë. Dhe ky ndryshim ka nisur tashmë. Psikologu si profesion ka më pak se 30 vjet që ekziston tek ne. Dhe ende, vetëm një përqindje e vogël e popullsisë është në gjendje t’i përgjigjet pyetjeve: “A e dini se çfarë shërben një psikolog?”

Mbi të gjitha, a e dini se kur një njeri ka nevojë për ndihmë? Sepse problemet mendore ashtu si shoqëritë, evoluojnë. Forma e ankthit që ndiente një njeri 50 vjet më parë nuk është e njëjta me atë tek një njeri sot. Dhimbja shpesh vishet me një maskë që askush nuk e sheh. Por ajo që nuk shprehet, gërryen nga brenda. Dhe njerëzit duhet të dinë si ta ndihmojnë veten.

Por si bëhet kjo? Duke ditur dhe kuptuar më shumë.

Këto mungesa mbi shëndetin mendor kanë qenë një nga boshllëqet më të mëdha që ne si psikologë kemi dashur të mbushim. Por nuk e kisha imagjinuar që një ditë Dalina, me ndjeshmërinë e saj për këtë temë, do ta përshpejtonte këtë proces. Dëgjojmë që emocionet shtypen. Ndjenjat konsiderohen dobësi. Dhimbja? Ajo “duhet hequr” ..

Duhej diçka që ta thyente këtë rreth vicioz.

Një hapësirë e re. Një qasje ndryshe. Një revolucion në mënyrën se si flasim për shëndetin mendor.

Për shumë kohë, fëmijëve u është mësuar të jenë të fortë, por jo të ndjeshëm. Të durojnë, por jo të flasin. Të përballojnë sfidat, por jo të shprehin ndjenjat. Të heshtin. Të vazhdojnë përpara. Të mos ndalen asnjëherë për të kuptuar veten.

Por sa gjatë mund të vazhdojë kjo? Sa gjatë mund të injorojmë dhimbjen pa paguar një çmim të lartë për shëndetin tonë mendor?

Çfarë ndodh tek Seanca e Parë?
Çfarë ndodh tek Seanca e Parë?

Seanca e Parë’ fton dikë të ndajë historinë, jo si një rast studimi, por si një eksperiencë njerëzore të vërtetë.

Ndryshe nga një seancë terapie kofidenciale 1:1, këtu jemi në një hapësirë publike, ndaj është e rëndësishme që të mos japim interpretime apo përfundime të shpejta, pasi çdo histori ka shtresëzimet e saj.

Në vend të kësaj, nxjerrim në pah elementët me vlerë universale – ankthin, dhimbjen, frikën, shpresën – dhe i eksplorojmë ato.

Nga këto tri episode që kemi realizuar deri tani, kemi kuptuar diçka thelbësore: ndarja e një historie ka efekt jo vetëm tek ai që flet, por edhe tek ata që dëgjojnë.

Krijon një efekt valëzimi sic thot Yalom tek libri i tij “Të shohesh diellin në sy”. Personi qe ndan ndihmon dikë tjetër aty jashtë.. ai tjetri dikë tjetër e kështu me rradhë dhe kjo i jep një vlerë tjetër ndarjes.

Poashtu kur një person rrëfen një përjetim të vështirë dhe ndihet i/e dëgjuar, truri prodhon oksitocinë – hormonin e lidhjes dhe besimit. Ky është i njëjti efekt që ndodh në terapi, por këtu ndodh në një shkallë më të gjerë.

Kur audienca dëgjon, ata lidhen me historinë, e reflektojnë tek vetja dhe ndoshta për herë të parë ndihen të kuptuar, edhe në heshtje.

Pse ka rëndësi kjo?
Pse ka rëndësi kjo?
“Talking Cure” osë “Kura e të folurit”

Sigmund Freud e zbuloi fuqinë e rrëfimit në terapi dhe ne duam ta japim këtë mundësi për folësin dhe dëgjuesin ku ndarja e historive mund të jetë çliruese edhe pa trajtim specifik.

“Seanca e parë” mund të nxis një kulturë të re të të folurit për problemet tona.

Nga episod në episod, shohim se ky format ndihmon në:

  • Rritjen e ndjeshmërisë për emocionet – Publiku fillon të kuptojë më mirë ndjenjat e të tjerëve.
  • Uljen e gjykimit – Kur dëgjojmë historitë e njerëzve të zakonshëm, mësojmë të mos gjykojmë kaq shpejt.
  • Hapjen dhe normalizimin e kërkimit të ndihmës – Ndjenja e turpit për të folur për shëndetin mendor fillon të zbehet.

Fraza si “Mos e nxirr jashtë atë që ndjen,” ky format do t’i sfidojë pasi është një hap përpara drejt një ndryshimi kolektiv.

Një rrezik që ja vlen të merret

Në çdo seancë, ne marrim një lloj rreziku – rrezikun e ndërtimit të një hapësire ku emocionet janë të hapura dhe të pambrojtura.

Por ky është një rrezik i domosdoshëm.

Nuk ndjekim manuale të ftohta, nuk aplikojmë protokolle të ngurta – jemi aty si njerëz për njerëzit që guxojnë të ndajnë historinë e tyre.

Çdo javë, ‘Seanca e Parë’ po merr gjithnjë e më shumë formë.

Po kuptojmë si ta forcojmë më shumë mesazhin dhe si ta bëjmë këtë hapësirë akoma më të vlefshme. Nuk është thjesht një segment mediatik– është një eksperiment dhe edukim psikosocial mbi fuqinë e ndarjes dhe dëgjimit.

Po ti? A do të flisje në ‘Seancën e Parë’?

Nëse po lexon këtë artikull dhe ndjen se ke diçka për të ndarë, diçka që ke mbajtur për vete për shumë kohë, ndoshta është koha të mendosh: A do të guxoja të flisja?

Sepse ndonjëherë, një histori mund të ndryshojë jo vetëm atë që e rrëfen, por edhe ata që e dëgjojnë.

Dhe kur dhimbja ndahet, ajo fillon të peshojë më pak.

Jonarda

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top