SHBA dhe BE arrijnë marrëveshjen tregtare. Tarifë doganore 15% për mallrat e BE

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian arrijnë marrëveshjen tregtare, duke i dhënë fund ngërçit disa muajsh mes dy prej partnerëve ekonomikë më të mëdhenj në botë.

Pas negociatave vendimtare mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Skoci, palët ranë dakord për një tarifë doganore amerikane prej 15% mbi të gjitha mallrat e BE-së.

Kjo është gjysma e normës prej 30% që Trump kishte kërcënuar se do të vendoste që nga e premtja. Ai tha se blloku me 27 anëtarë do të hapte tregjet e veta për eksportuesit amerikanë me tarifa zero për disa produkte të caktuara.

Von der Leyen gjithashtu përshëndeti marrëveshjen, duke thënë se ajo do të sillte stabilitet për të dy aleatët, të cilët së bashku përbëjnë gati një të tretën e tregtisë globale.

Trump ka përdorur tarifat kundër partnerëve të mëdhenj tregtarë të SHBA-së për të riorganizuar ekonominë globale dhe për të ulur deficitin tregtar amerikan.

Përveç BE-së, ai ka arritur marrëveshje tarifore me Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë, Indonezinë, Filipinet dhe Vietnamin, megjithëse nuk e ka arritur objektivin e tij të “90 marrëveshjeve në 90 ditë”.

Ministri francez për çështjet evropiane, Benjamin Haddad, reagoi të hënën herët për marrëveshjen, duke thënë se ajo kishte disa përparësi – si përjashtimet për sektorë kyç të biznesit francez, si pijet alkoolike – por ishte e paekuilibruar.

“Marrëveshja tregtare e negociuar nga Komisioni Evropian me Shtetet e Bashkuara do të sjellë stabilitet të përkohshëm për aktorët ekonomikë të kërcënuar nga përshkallëzimi i tarifave amerikane, por ajo është e paekuilibruar”, shkroi Haddad në X.

Marrëveshja e tarifave SHBA-BE, një fitore e madhe për Trump, por jo një humbje totale për Brukselin

Marrëveshja u njoftua pas bisedimeve private mes Trump dhe Von der Leyen në fushën e golfit Turnberry në South Ayrshire.

Trump, i cili ndodhet për një vizitë pesë-ditore në Skoci, tha pas takimit të shkurtër: “Kemi arritur një marrëveshje. Është një marrëveshje e mirë për të gjithë. Do të na afrojë më shumë”.

Von der Leyen e quajti gjithashtu marrëveshjen “shumë të rëndësishme”, pas “negociatave të vështira”.

Ajo e përshkroi marrëveshjen si një “marrëveshje kornizë”, me detaje të tjera teknike që do të negociohen “në javët e ardhshme”.

Komisioni ka mandatin për të negociuar marrëveshje tregtare për të gjithë bllokun, por ende kërkohet miratimi nga shtetet anëtare të BE-së, ambasadorët e të cilave do të mblidhen të hënën për një informim nga Komisioni.

Trump tha se BE-ja do të rrisë investimet e saj në SHBA me 600 miliardë dollarë, përfshirë pajisje ushtarake amerikane dhe do të shpenzojë 750 miliardë dollarë për energji.

Këto investime gjatë tre viteve të ardhshme në gaz natyror të lëngshëm amerikan, naftë dhe lëndë bërthamore, sipas Von der Leyen, do të ndihmojnë në zvogëlimin e varësisë evropiane nga burimet ruse të energjisë.

Disa mallra nuk do të tarifohen fare, duke përfshirë avionë dhe pjesë avionësh, disa kimikate dhe disa produkte bujqësore. Një marrëveshje e veçantë për gjysmëpërçuesit mund të shpallet së shpejti.

Një fushë kyçe ku ende nuk është arritur një marrëveshje është ajo e pijeve alkoolike, me Francën dhe Holandën që kërkojnë përjashtime për verën dhe birrën.

Por, tarifa 50% që Trump ka vendosur globalisht për çelikun dhe aluminin do të qëndrojë në fuqi, tha ai.

“Dua ta falënderoj personalisht Presidentin Trump për përkushtimin e tij personal dhe udhëheqjen për të arritur këtë përparim,” tha Von der Leyen.

“Është një negociator i fortë, por gjithashtu një njeri që arrin marrëveshje.”

Të dy palët mund ta paraqesin marrëveshjen si njëfarë fitoreje.

Për BE-në, tarifat mund të kishin qenë më të këqija: nuk është aq e favorshme sa norma 10% e Mbretërisë së Bashkuar, por është e njëjtë me atë prej 15% që Japonia negocioi javën e kaluar.

Për SHBA-në kjo do të thotë rreth 90 miliardë dollarë të ardhura nga tarifat, bazuar në shifrat tregtare të vitit të kaluar, përveç qindra miliarda dollarëve të investimeve që pritet të hyjnë në SHBA.

 

BBC

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top