Projekti, sipas burimeve, synon të ofrojë qasje në përmbajtje të ndaluar nga disa qeveri, duke hapur debat të ri mbi kufirin mes lirisë së shprehjes dhe rregullimit ligjor të hapësirës digjitale.
Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë një portal online që do t’u mundësojë përdoruesve në Evropë dhe rajone të tjera të aksesojnë përmbajtje që është e ndaluar nga qeveritë e tyre, përfshirë materiale të cilësuara si gjuhë urrejtjeje apo propagandë terroriste. Lajmi bëhet i ditur nga Reuters, duke cituar tre burime të njohura me planin.
Faqja pritet të operojë nën domenin freedom.gov. Një nga burimet tha se zyrtarët kanë diskutuar edhe përfshirjen e një funksioni të ngjashëm me një rrjet privat virtual (VPN), që do ta bënte trafikun e përdoruesit të dukej sikur vjen nga Shtetet e Bashkuara. Sipas të njëjtit burim, aktiviteti i përdoruesve në portal nuk do të gjurmohet.
Projekti drejtohet nga Nënsekretarja për Diplomacinë Publike, Sarah Rogers, dhe sipas burimeve ishte parashikuar të prezantohej në Konferencën e Sigurisë në Mynih javën e kaluar, por u shty pa një shpjegim publik. Dy burime thanë se disa zyrtarë të Departamentit të Shtetit, përfshirë këshilltarë ligjorë, kanë ngritur shqetësime, pa specifikuar natyrën e tyre.
Në një deklaratë për Reuters, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit mohoi ekzistencën e një programi specifik për Evropën që synon anashkalimin e censurës, por theksoi se “liria digjitale është një prioritet” dhe përfshin mbështetjen për teknologji privatësie dhe mjete që shmangin kufizimet, si VPN-të.
Përplasje qasjesh mes SHBA dhe BE për rregullimin e përmbajtjes
Nisma vjen në një moment tensionesh të vazhdueshme mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë për çështje tregtare, luftën në Ukrainë dhe politikat e sigurisë, ndërsa mund të shtojë edhe përplasjen mbi mënyrën se si rregullohet fjala e lirë në internet.
Ndryshe nga SHBA, ku Amendamenti i Parë i Kushtetutës mbron gjerësisht shprehjen, vendet e Bashkimit Evropian kanë vendosur kufizime ligjore ndaj përmbajtjeve që konsiderohen nxitëse të urrejtjes, ekstremizmit apo dezinformimit—një qasje e ndikuar historikisht nga përvoja e propagandës naziste.
Rregullore si Digital Services Act i BE-së dhe Online Safety Act në Mbretërinë e Bashkuar kërkojnë nga platformat digjitale të heqin me shpejtësi përmbajtje të klasifikuara si të paligjshme. Autoritetet evropiane kanë kompetencë të kërkojnë heqjen e materialeve dhe, në raste ekstreme, të vendosin gjoba apo kufizime ndaj platformave.
Sipas të dhënave të cituara nga Reuters, vetëm në Gjermani gjatë vitit 2024 u lëshuan 482 urdhra për heqjen e materialeve të lidhura me mbështetjen ose nxitjen e terrorizmit, duke çuar në fshirjen e mbi 16 mijë njësive përmbajtjeje.
Kenneth Propp, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit dhe aktualisht në Atlantic Council, e cilësoi projektin si “një sfidë të drejtpërdrejtë” ndaj kuadrit ligjor evropian, duke paralajmëruar se mund të perceptohet si përpjekje për të anashkaluar ligjet kombëtare.
Pyetje mbi efektivitetin dhe implikimet ligjore
Ende nuk është e qartë se çfarë avantazhesh konkrete do të ofronte një portal qeveritar amerikan krahasuar me shërbimet ekzistuese komerciale të VPN-ve, të cilat përdoren gjerësisht globalisht.
Domeni freedom.gov u regjistrua më 12 janar, sipas regjistrit federal get.gov. Në momentin e raportimit nga Reuters, faqja nuk kishte përmbajtje aktive dhe shfaqte vetëm logon e National Design Studio dhe një formular hyrjeje.
Para mandatit të dytë të Presidentit Donald Trump, qeveria amerikane kishte financuar mjete të ngjashme për të ndihmuar përdoruesit në vende me kufizime të forta të informacionit, si Kina, Irani, Rusia, Bjellorusia, Kuba dhe Mianmari, si pjesë e programeve për promovimin e demokracisë dhe aksesit në informacion.
Nëse realizohet, projekti mund të vendosë SHBA-në në një pozicion të pazakontë diplomatik: mbështetjen e mjeteve që potencialisht u mundësojnë qytetarëve të vendeve aleate të shmangin rregullat e brendshme ligjore për hapësirën digjitale.
