Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) po planifikojnë një studim të gjerë mbi një lidhje të mundshme midis vaksinave dhe autizmit, pavarësisht nga hulumtimet e shumta që deri më tani nuk kanë arritur të gjejnë prova të tilla. Lajmi u raportua nga Reuters, duke cituar burime të njohura me çështjen.
Ende nuk është e qartë nëse Sekretari i Shëndetësisë i SHBA-së, Robert F. Kennedy Jr., i cili prej kohësh ka promovuar pikëpamje skeptike mbi vaksinat, ka ndonjë rol në këtë studim ose se si do të realizohet ai. Autoritetet përkatëse nuk kanë dhënë ende komente mbi këtë çështje.
Ky zhvillim ndodh në një moment kur SHBA po përballet me një shpërthim të madh të fruthit, me mbi 150 raste dhe dy viktima në Teksas dhe New Mexico. Rënia e shkallës së vaksinimit në disa shtete amerikane është cilësuar si një faktor kyç në përhapjen e sëmundjes, pasi një pjesë e prindërve kanë refuzuar imunizimin, të ndikuar nga pretendime të pabazuara mbi sigurinë e vaksinave.
Kennedy, i cili ka pasur ndikim në politikat e CDC, ka shprehur shpesh dyshime mbi sigurinë e vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR). Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, ai minimizoi rëndësinë e vdekjes së një fëmije nga fruthi në Teksas – rasti i parë fatal i këtij lloji në një dekadë – dhe nuk përmendi rolin e vaksinimit në parandalimin e sëmundjes.
Megjithatë, gjatë fundjavës, Kennedy botoi një opinion në Fox News, ku theksonte rëndësinë e vaksinave, por njëkohësisht i linte prindërve zgjedhjen personale për vaksinimin e fëmijëve të tyre, duke i inkurajuar të konsultohen me mjekët.
Debati mbi autizmin dhe vaksinat
Numri i diagnozave të autizmit në SHBA është rritur ndjeshëm që nga viti 2000, gjë që ka nxitur shqetësime në publik. Shumica e studiuesve e lidhin këtë rritje me diagnostikim më të avancuar dhe një përkufizim më të gjerë të çrregullimit. Megjithatë, disa figura publike kanë promovuar idenë se vaksinat mund të jenë shkaku, një teori që e ka origjinën nga një studim i diskredituar i vitit 1998 nga Andrew Wakefield.
Hulumtimet e shumta shkencore nuk kanë gjetur ndonjë lidhje mes vaksinave dhe autizmit. Ekspertët sugjerojnë se faktorët neurologjikë mund të zhvillohen që në mitër, ndërsa disa studime kanë identifikuar ndikime të mundshme nga komplikimet gjatë shtatzënisë ose lindjes.
Presidenti Donald Trump e përmendi rritjen e rasteve të autizmit në një fjalim në Kongres këtë javë, duke thënë se administrata e tij do të ndihmojë në gjetjen e shkaqeve të tij. Ai vlerësoi Kennedy-n dhe ekipin e tij për përpjekjet e tyre në këtë drejtim.
Pikëpamjet e Kennedy-t mbi vaksinat kanë shkaktuar debat edhe brenda Partisë Republikane. Gjatë një seance të konfirmimit për pozicionin e tij, senatori Bill Cassidy – një mjek nga Luiziana – e sfidoi atë që të mohonte çdo lidhje mes vaksinave dhe autizmit. Kennedy mohoi se ishte kundër vaksinave, por nuk pranoi qartë se një lidhje e tillë ishte hedhur poshtë nga shkenca.
Ndërkohë, këtë javë, gjatë një seance për konfirmimin e Dr. Jay Bhattacharya si drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit, senatori Cassidy kërkoi që ai të shprehte qëndrimin e tij mbi këtë çështje. Bhattacharya tha se, sipas literaturës shkencore, nuk ka prova për një lidhje mes vaksinave dhe autizmit, por shtoi se është e rëndësishme të vazhdohet me kërkime për të kuptuar më mirë këtë çrregullim.