Shembja e akullnajës Birch në Zvicër, e cila fshiu nga harta fshatin Blatten, është cilësuar si një fatkeqësi e pashembullt, me dëme që pritet të kapin shifrën e qindra milionë dollarëve, njoftoi Shoqata Zvicerane e Sigurimeve (SIA) të hënën.
“Bëhet fjalë për një katastrofë të madhe që është pothuajse e paprecedent në përmasat dhe ndikimin e saj te popullsia e prekur,” thuhet në deklaratën e SIA-s.
Sipas ekspertëve, ende nuk ka një vlerësim të saktë të dëmeve. Megjithatë, Eduard Held, specialist për fatkeqësitë natyrore në shoqatë, parashikon “një humbje që arrin në disa qindra milionë franga (dollarë)”.
Fshati i shkatërruar dhe një liqen artificial
Akullnaja Birch është shembur, duke sjellë me vete gurë, akull dhe baltë që rrëshqitën me shpejtësi drejt luginës Lotschental, në kantonin jugor të Wallis në Zvicër.
Katastrofa zhduku pothuajse të gjithë fshatin Blatten, i cili kishte rreth 300 banorë dhe ishte evakuuar një javë më parë për shkak të rrezikut të pritshëm.
Edhe shtëpitë që i shpëtuan rrëshqitjes së dheut janë tashmë nën ujë, pasi grumbulli dy-kilometërsh i mbeturinave ka bllokuar lumin Lonza, duke krijuar një liqen artificial në fund të luginës.
Vijon kërkimi për personin e zhdukur
“Gjithë mendimet tona janë me viktimat që ndodhen në një situatë tepër të vështirë,” tha Held. “Siguruesit privatë po përpiqen t’i ndihmojnë sa më shumë dhe pa burokraci të panevojshme.”
Një 64-vjeçar, që mendohet të ketë qenë në zonën e rrezikut në momentin e shembjes, vazhdon të jetë i zhdukur. Kërkimet për të rifilluan të hënën me ndihmën e ekspertëve të maleve dhe qenve kërkues, të cilët u transportuan me helikopter në zonën e demarkuar. Në ndihmë është angazhuar edhe një eskavator mekanik.
A kishte sinjale paralajmëruese?
Akullnaja Birch ndodhej nën majën Kleines Nesthorn, në një lartësi prej 3,342 metrash. Në dy javët para shembjes, rreth 3 milionë metra kub shkëmbinj kishin rënë nga mali dhe ishin grumbulluar mbi sipërfaqen e akullit, duke rritur ndjeshëm peshën.
Me akullnajën të vendosur në një pjerrësi të theksuar, rrëshqitja u bë e pashmangshme, duke sjellë shkatërrimin tragjik.
Ekspertët ende nuk e lidhin drejtpërdrejt këtë ngjarje me ndryshimet klimatike, por kanë theksuar se shkrirja e përmafrostit – ngricës së përhershme në çarjet e shkëmbinjve – mund të ketë ndikuar në destabilizimin e strukturës së malit.
“Një paralajmërim i fuqishëm për botën që ngrohet”
Gjatë një konference në Gjenevë, Celeste Saulo, drejtore e Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), e quajti këtë ngjarje “një paralajmërim të fuqishëm për botën tonë që po ngrohet”.
“Por përtej tronditjes, kjo është edhe një histori shprese,” shtoi ajo. “Veprimet e hershme shpëtuan jetë. Nga kuptimi i rrezikut te parashikimet efektive, komunikimi dhe evakuimi, sistemi i paralajmërimit të hershëm funksionon. Ai shpëton jetë.”
Maarten van Aalst, drejtor i Institutit Mbretëror Meteorologjik të Holandës, shtoi:
“Ngjarja në Blatten na kujton se sistemet e paralajmërimit të hershëm janë thelbësore në një klimë që ndryshon. Edhe në vendet më të përgatitura, ka ende punë për të bërë dhe rreziqe të reja për të përballuar.”