korale

Shkëmbinjtë koralorë në kolaps: raporti paralajmëron pikën e parë katastrofike të ndryshimit klimatik

Nëse ngrohja globale nuk ulet “sa më shpejt të jetë e mundur” në 1.2°C, shkëmbinjtë koralorë të ujërave të ngrohta nuk do të mund të mbijetojnë “në asnjë shkallë domethënëse”, paralajmëron një raport i udhëhequr nga 160 shkencëtarë i 23 vendeve.

Sipas raportit, planeti ka arritur tashmë pikën kulmore katastrofike të lidhur me emetimet e gazeve serrë. Shkëmbinjtë koralorë të ujërave tropikale janë në rënie, duke vënë në rrezik jetesën e qindra milionë njerëzve që varen prej tyre.
Kjo, sepse shkëmbinjtë koralorë nuk janë vetëm struktura nënujore, por ekosisteme jetike që sigurojnë ushqim, të ardhura dhe mbrojtje natyrore për komunitetet bregdetare.
Ato strehojnë peshq e organizma detarë që mbështesin peshkimin lokal, tërheqin miliona turistë çdo vit dhe veprojnë si barriera natyrore që zbutin fuqinë e dallgëve dhe stuhive. Humbja e tyre do të thotë më pak ushqim, më pak të ardhura dhe më shumë rrezik për jetën në zonat bregdetare.

Pika të tjera kritike, përfshirë tharjen e Amazonës, kolapsin e rrymave të mëdha oqeanike dhe humbjen e shtresave të akullit.

Megjithatë, disa ekspertë kanë vënë në dyshim përfundimet mbi fatin e shkëmbinjve koralorë, duke argumentuar se ndonëse ata janë në rënie, ekziston evidencë që disa mund të mbeten të qëndrueshëm edhe në temperatura më të larta se ato të parashikuara.

“Përveç nëse rikthejmë temperaturën mesatare të sipërfaqes së Tokës në 1.2°C (dhe eventualisht në të paktën 1°C) sa më shpejt që të jetë e mundur, nuk do të mund të ruajmë më shkëmbinjtë koralorë të ujërave të ngrohta në asnjë shkallë të konsiderueshme,” thuhet në raport.

Që nga janari 2023, shkëmbinjtë koralorë kanë hyrë në një valë globale të zbardhësie, ku më shumë se 80% të tyre në mbi 80 vende të prekura nga temperaturat ekstreme të oqeaneve. Shkencëtarët thonë se kjo ngjarje i ka çuar ekosistemet detare në “territor të pashkelur”.

Raporti global “Global Tipping Points”, i udhëhequr nga Universiteti i Exeter dhe i financuar nga fondi i themeluar nga Jeff Bezos, përfshin kontributet e 160 shkencëtarëve nga 87 institucione në 23 vende. Ai vlerëson se shkëmbinjtë koralorë arrijnë në pikën e tyre të kthesës kur temperaturat globale rriten midis 1°C dhe 1.5°C krahasuar me periudhën e dytë të shekullit XIX, me një vlerë mesatare prej 1.2°C. Aktualisht, ngrohja globale ndodhet rreth 1.4°C.

Sipas raportit, pa ndërprerje të menjëhershme dhe drastike të gazeve serrë, pragu i sipërm prej 1.5°C pritet të arrihet brenda dhjetë viteve të ardhshme.
“Ne nuk mund të flasim më për pikat e kthesës si një rrezik i së ardhmes,” tha profesori Tim Lenton nga Instituti i Sistemeve Globale në Universitetin e Exeter. “Rënia e gjerë e shkëmbinjve koralorë të ujërave të ngrohta ka filluar tashmë.”

Ai shtoi se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qindra milionë njerëzve që varen nga këta ekosisteme për ushqim dhe ekonomi. Raporti përmend shembuj në Karaibe, ku valët e nxehtësisë detare, sëmundjet dhe mungesa e diversitetit biologjik kanë çuar shumë shkëmbinj drejt kolapsit.

Profesor Peter Mumby, ekspert i njohur i Universitetit të Queensland në Australi, tha se ndonëse pranon se shkëmbinjtë po pësojnë rënie, ka prova që disa lloje koralesh mund të përshtaten dhe të mbeten të qëndrueshme edhe me një ngrohje deri në 2°C.
Ai bëri thirrje për veprim të “ashpër” kundër ndryshimeve klimatike dhe për menaxhim më të mirë lokal, por paralajmëroi se raporti mund të interpretohet gabim si një paralajmërim për “kolaps të plotë” të habitateve koralore, diçka me të cilën ai nuk është dakord.
“Shoqëria mund të heqë dorë nga përpjekjet për shpëtimin e shkëmbinjve koralorë nëse mendon se ata nuk mund të shpëtohen më,” tha ai.

Dr. Mike Barrett, këshilltar shkencor në WWF-UK dhe bashkautor i raportit, tha se “konservimi i shkëmbinjve koralorë është tashmë më kritik se kurrë më parë. Loja ka ndryshuar dhe përgjigjja duhet të jetë urgjente.”
Sipas tij, ekzistojnë zona të njohura si refugia, vende ku ndikimi i klimës nuk është aq i theksuar dhe mbrojtja e tyre është thelbësore.
“Duhet të sigurojmë që të kemi ‘fara të rikuperimit’ për një botë të ardhshme ku klima do të jetë stabilizuar,” shtoi ai.

Dr. Tracy Ainsworth, zëvendëspresidente e Shoqatës Ndërkombëtare të Shkëmbinjve Koralorë, tha se në shumë zona këto ekosisteme janë transformuar tashmë dhe nuk dominohen më nga koralet, duke humbur gjithnjë e më shumë diversitetin.
“E ardhmja e shkëmbinjve koralorë është ajo e transformimit dhe ristrukturimit ekologjik,” u shpreh ajo. “Sfida jonë është të kuptojmë se si po riorganizohen këto ekosisteme dhe si mund të sigurojmë që ato të vazhdojnë të mbështesin jetën detare dhe komunitetet përreth.”

Në një deklaratë, Instituti Australian i Shkencës Detare theksoi se interpretimi i shifrave globale “duhet bërë me kujdes”, pasi ato maskojnë variacionet e mëdha rajonale dhe sepse temperaturat ende nuk janë stabilizuar gjë që tregon se “ende ekziston një dritare e ngushtë veprimi”.

Toka po hyn në “zonën e rrezikut”

Sipas profesor Lenton, pjesë të fletës perëndimore të akullit në Antarktidë dhe Grenlandë po i afrohen rrezikshëm pikës së tyre të kthesës, pasi po humbasin masë akulli me ritme në rritje. Humbja e akullit të lidhur me tokën shkakton rritje të nivelit të detit.

“Me projeksionet aktuale, do të kalojmë 1.5°C të ngrohjes globale rreth vitit 2030,” paralajmëroi ai. “Kjo e fut botën në një zonë rreziku të shtuar me pasoja të mundshme të pakthyeshme.”

Amazonia, nën presionin e krizës klimatike dhe shpyllëzimit, sipas raportit është më afër se kurrë arritjes së pikës së saj kritike.

Megjithatë, raporti sjell edhe një fije shprese: ekzistojnë të ashtuquajturat “pika pozitive të kthesës” në shoqëri si adoptimi masiv i makinave elektrike, që mund të kenë efekte përshpejtuese në uljen e emetimeve.
“Gara tashmë ka filluar për të përshpejtuar këto pika pozitive, në mënyrë që të shmangim pasojat e pakontrollueshme të pikave të tjera të kthesës në sistemin e Tokës,” tha Lenton.

theguardian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top