shkodër

Shkodër, maratona në mbështetje të sëmurëve me sklerozë të shumëfishtë

Në pikën turistike të Shirokës, buzë liqenit më të madh të Ballkanit, atë të Shkodrës, u bashkuan sot sportistë amatorë dhe profesionistë nga Shqipëria, Mali Zi, Kosova dhe shqiptarët e Amerikës, në edicionin e 13-të të maratonës “Triathlon Labeat”, e cila bashkon në 1 sportin e notit, çiklizimit dhe vrapimit, Organizuar nga “Shkodra Sport”.

Edicioni i këtij viti u zhvillua me moton “Nuk i dorëzohem sklerozës së shumëfishtë”, duke synuar ndërgjegjësimin e qytetarëve, Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë, që këtyre të sëmurëve t’u ofrohen të gjithë shërbimet e nevojshme.

Sipas fondacionit “Pema e Jetës”, në Shqipëri janë më shumë se 1800 persona të prekur nga skleroza e shumëfishtë dhe vetëm pak prej tyre arrijnë të marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore.

Drejtuesi i shoqatës së sporteve ujore, Klidi Hoti është një nga organizatorët e maratonës. Ai thotë se çdo vit shoqata është përpjekur që maratonën t’ia kushtojë një kauze.

“Vjet ishte për një zemër të shëndetshme, thotë ai, sivjet për sklerozën e shumfishtë, një sëmundje e shkatërrimit të nervave për një pjesë të pacientëve, të cilët realisht e kanë të nevojshme që Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë të ndërgjegjësohen që, edhe këto pacienta, të marrin shërbimin e nevojshëm”.

Çdo vit, maratona “Triathlon Labeat” i kushtohet kauzës së një prej sëmundjeve më problematike, përfshirë llojet e ndryshme të kancerit.

Në këtë garë ndërgjegjësuese marrin pjesë sportistë nga rajoni dhe më gjërë. I riu Endrit Idrizi ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me familjen dhe thotë se pjesëmarrjen ia kushton nevojës për më shumë ndërgjegjësimit mbi sëmundjet me rrezikshmëri për jetën.

“Unë kam ardhur nga Amerika, ashtu si edhe tre vitet e kaluara, për të promovuar luftën kundër sëmundjeve. Këtë vit është për sklerozën e shumëfishtë. Unë kam bërë skuadrën time që quhet “American Eagle” për të promovuar këtë luftë kundër sëmundjeve. Vitin e kaluar erdhëm për luftën kundër kancerit dhe për shëndetin e përgjithshëm trupor”, tregon ai.

Mes sportistëve nga rajoni, në veprimtaritë e zhvilluara sot në pikën turistike të Shirokës, ishte edhe një grup sportistësh nga Gjakova. Alban Delija thotë se po vlerësojnë jo vetëm mesazhet e maratonës, por edhe vlerat turistike të bregut të Liqenit të Shkodrës dhe pjesës veriore të Shqipërisë.

Liqeni i Shkodrës, i cili ndahet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, është një nga destinacionet e rëndësishme të turizmit në rajon. Me larminë e ekosistemit natyror, por edhe aktivitetet e shumta dhe pikat turistike përgjatë bregut, ai i tërheq turistët në të gjithë stinët e vitit.

Në përpjekje për të bashkëpunuar për zhvillimin e turizmit në Liqenin e përbashkët të Shkodrës, Shqipëria dhe Mali Zi kanë rënë dakort disa herë për hapjen e një pike të përbashkët për kalimin kufitar në afërsi të fshatit Zogaj si dhe lundrimin e lirë në të dy anët e Liqenit, por deri tani asnjëra prej tyre nuk është konkretizuar.

zeriamerikes.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top