Raporti i UNESCO-s tregon se shkrirja e akullnajave po ndodh me një ritëm të paprecedentë për shkak të krizës klimatike, duke kërcënuar ekosistemet, bujqësinë dhe burimet ujore.
OKB-ja ka paralajmëruar se tërheqja e akullnajave po rrezikon furnizimin me ushqim dhe ujë për 2 miliardë njerëz në mbarë botën. Ritmi i shkrirjes është më i larti i regjistruar ndonjëherë dhe mund të ketë pasoja të paparashikueshme.
Sipas një raporti të UNESCO-s, dy të tretat e të gjithë bujqësisë që përdor ujitje në botë mund të preken nga tërheqja e akullnajave dhe reshjet e dëborës që po pakësohen në zonat malore për shkak të ndryshimeve klimatike.
Më shumë se 1 miliard njerëz jetojnë në rajone malore ku nga ata që jetojnë në vendet e zhvilluara, gjysma e tyre tashmë përballen me pasiguri ushqimore. Kjo situatë pritet të përkeqësohet, pasi prodhimi i ushqimit në këto zona varet nga uji i maleve, shkrirja e dëborës dhe akullnajave, sipas raportit të OKB-së për Zhvillimin e Burimeve Ujore 2025.
Edhe vendet e zhvilluara janë të rrezikuara. Për shembull, në SHBA, pellgu i lumit Kolorado ka qenë në thatësirë që nga viti 2000. Temperaturat më të larta po bëjnë që reshjet të bien më shumë si shi sesa si dëborë, dhe shiu largohet më shpejt, duke përkeqësuar kushtet e thatësirës.
“Pavarësisht se ku jetojmë, të gjithë varemi disi nga malet dhe akullnajat. Por këto burime natyrore të ujit janë në rrezik të madh. Ky raport tregon nevojën urgjente për veprim,” tha Audrey Azoulay, drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s.
Sipas një studimi të Organizatës Botërore Meteorologjike, ritmi i ndryshimit të akullnajave është më i larti i regjistruar ndonjëherë. Tre vitet e fundit kanë shënuar humbjen më të madhe të masës së akullnajave ndonjëherë, në Norvegji, Suedi, Svalbardin dhe Andet tropikale si zonat më të prekura.
Në Afrikën Lindore, disa zona kanë humbur 80% të akullnajave, ndërsa në Ande, një e treta deri në gjysma e akullnajave janë shkrirë që nga viti 1998. Në Alpe dhe Pirenej, akullnajat janë tkurrur me rreth 40% gjatë të njëjtës periudhë.
Shkrirja e akullnajave sjell pasoja të tjera të rrezikshme
Drejtori i shkencave të ujit në UNESCO, Abou Amani, tha se humbja e akullnajave ka edhe një efekt tjetër negativ, ajo zëvendëson një sipërfaqe reflektuese me një tokë të errët që thith më shumë nxehtësi. “Kjo do të ndikojë në të gjithë sistemin e klimës,” paralajmëroi ai.
Shiu që bie mbi dëborë mund të shkaktojë më shumë ortekë, ndërsa uji i akumuluar nga shkrirja e akullnajave mund të çlirohet papritur, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme në lugina apo në zonat ku jetojnë njerëz më poshtë në mal. Përveç kësaj, shkrirja e permafrostit (tokës së ngrirë) çliron metan, një gaz serrë shumë i fuqishëm.
Një studim i publikuar muajin e kaluar në revistën shkencore Nature arriti në përfundimin se nëse ngrohja globale nuk ndalet, deri në fund të shekullit do të humbasë gjysma e masës së akullnajave në botë.
Sipas Alex Brisbourne, një shkencëtar i akullnajave në British Antarctic Survey, “Akullnajat malore përmbajnë disa nga rezervat më të mëdha të ujit të freskët në Tokë. Shkrirja e tyre në verë furnizon me ujë rreth një miliard njerëz dhe mbështet industrinë dhe bujqësinë në një shkallë të madhe. Pasojat do të ndihen shumë më gjerë sesa vetëm në zonat pranë akullnajave.”
Këto ndikime po shfaqen në një kohë kur shumë burime ushqimore janë tashmë nën presion. Presidenti i Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD), Alvaro Lario, kërkoi më shumë mbështetje për njerëzit që jetojnë në rajonet malore të prekura.
“Uji rrjedh poshtë, por pasiguria ushqimore rritet lart. Malet na sigurojnë 60% të ujit të freskët në botë, por komunitetet që kujdesen për këto burime jetike janë ndër më të rrezikuarat nga mungesa e ushqimit,” tha ai.
“Duhet të investojmë në forcimin e tyre për të mbrojtur akullnajat, lumenjtë dhe të ardhmen e përbashkët për të gjithë ne.”