Së fundi, janë shfaqur në Shqipëri raste të vjedhjes së llogarive bankare të qytetarëve. Nga faqe të rreme në internet, personat që fshihen pas këtye mashtrimeve vlerësohet të jenë shtetas të huaj. Ata bëjnë oferta tërheqëse në faqet e bizneseve shqiptare, duke synuar vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë.
Lidhur me këtë situatë, Shoqata Shqiptare e Bankave (ABA) ka ftuar qytetarët të shtojnë kujdesin dhe të mos ndajnë të dhënat e tyre në faqe të dyshimta.
Spiro Brumbulli, Sekretar i ABA, theksoi se këto përpjekje mashtruese kanë kohë që qarkullojnë.
“Këto mashtrime vijnë me mesazh në telefon dhe mund të ndodhë edhe me email në adresën personale. Edhe ato që shfaqen në rrjetet sociale, pasi i klikon të kërkojnë njësoj të dhëna bankare dhe personale. Nëse ndjek linqet e sugjeruara, ato të kërkojnë të dhëna personale dhe të dhëna sigurie, si kode, PIN etj., si në një rast të vërtetë, por që paratë shkojnë në llogaritë e tyre, sepse lidhja është në një faqe të rremë”.
Ndaj ai ftoi qytetarët të mos tërhiqen nga oferta joshëse të tregtarëve të rremë, të cilës shpesh përdorin emra dhe marka të njohura për qytetarët.
“Fshini çdo mesazh, apo email të ardhur nga një burim i panjohur që ju kërkon të kryeni veprime në linqe të cituara, apo të kryeni telefonatë në numrin e treguar në tekst. Kryeni pagesa online vetëm në dyqanet dhe tregtarët e besueshëm, pasi të keni verifikuar faqen e tyre zyrtare në internet ose në qoftë se keni kryer më përpara një blerje të suksesshme. Kontrolloni në mënyrë periodike veprimtarinë e llogarisë tuaj nëpërmjet shërbimit online banking dhe aktivizoni shërbimet e njoftimeve. Njoftoni menjëherë bankën tuaj për të gjurmuar burimin e mesazhit dhe marrë masa për të bllokuar dërguesin”, theksoi drejuesi i Shoqatës Shqiptare të Bankave.