Bashkëpunimi ndërkufitar është një dukuri e rrallë në Ballkan. Organizata joqeveritare nga Greqia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po “noton kundër rrymës”, duke bashkuar forcat për të mbrojtur një pasuri të përbashkët natyrore liqenin që ndan brigje në të tria vendet.
“Tre shtete, dy liqene, një destinacion,” thotë ambientalistja greke Mirsini Malakou, e cila prej 30 vitesh punon për ta kthyer këtë vizion në realitet.
Malakou drejton “Shoqatën për Mbrojtjen e Prespës” (SPP) në Greqi një organizatë që synon ruajtjen e një prej sistemeve më të vjetra të ujërave të ëmbla në Europë, liqenet e Prespës.
Një pasuri natyrore e përbashkët
Brezat malorë që rrethojnë pellgun e Prespës janë formuar rreth pesë milionë vjet më parë, shumë kohë përpara se të ekzistonin kufijtë apo vetë shtetet. Sot, këto dy liqene mahnitëse Prespa e Madhe dhe Prespa e Vogël ndahen mes Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në një rajon ku nacionalizmi shpesh dominon politikën, bashkëpunimi mes shteteve nuk është i lehtë. Por kriza mjedisore që po përjetojnë dy liqenet ,tërheqja e vijës bregdetare dhe rrezikimi i mbi 2,000 specieve të peshqve, shpendëve dhe bimëve i ka detyruar vendet të bashkohen për një qëllim të përbashkët.
Pelikanët që nuk njohin kufij
Një nga banorët më të famshëm të Prespës është pelikani dalmat, me sqepin e madh rozë e portokalli dhe puplat e bardha. Rreth 1,500 çifte të kësaj specieje të rrallë jetojnë në Prespë, kolonia më e madhe e pelikanëve dalmatë në botë.

Këta shpendë kalojnë kufijtë çdo ditë: “Ata shumohen në Greqi, ushqehen në Maqedoninë e Veriut dhe flenë në Shqipëri,” shpjegon Malakou.
Një ndryshim në një nga këto vende ndikon menjëherë te tjetri ashtu si ndotja apo përdorimi i tepërt i plehrave bujqësore që dëmtojnë cilësinë e ujit në të tri shtetet.
Nga armiqësi historike te bashkëpunimi
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi, tensionet historike në Ballkan u rindezën. Greqia dhe Shqipëria nuk kishin nënshkruar asnjëherë një traktat paqeje pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Greqia dhe Maqedonia e Veriut ishin përfshirë në një debat të gjatë për emrin e shtetit.
Megjithatë, në këtë klimë të vështirë, organizatat mjedisore nisën të komunikojnë dhe të ndajnë ide.
SPP në Greqi, PPNEA në Shqipëri dhe Shoqata Ekologjike e Maqedonisë krijuan më vonë PrespaNet, një rrjet ndërkufitar që sheh liqenet si një çështje të përbashkët mjedisore, jo kombëtare.
Përfshirja e komuniteteve lokale
Në 20 vitet e fundit, niveli i ujit në liqenet e Prespës është ulur ndjeshëm. Daniela Zaec, nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë, thotë se shkaktarët kryesorë janë ndryshimet klimatike dhe përdorimi i ujit për bujqësi.
“Banorët kanë shumë pemishte dhe përdorin ujin e liqenit për vaditje, gjë që dëmton habitatet e lagështa,” shpjegon ajo.
Për të përballuar këtë problem, organizatat po përfshijnë komunitetet dhe sidomos të rinjtë në aktivitete edukative, si ecje në parqe kombëtare dhe mësime praktike mbi mbrojtjen e natyrës. Edhe pse qëllimi është që këto programe të zhvillohen bashkërisht në të tre vendet, politika shpesh i pengon.
Ekoturizmi, një shans për të ardhmen
Një tjetër nismë që po merr hov është zhvillimi i ekoturizmit.
Adnan Bego, 26 vjeç, inxhinier mjedisi në PPNEA, tregon:
“Kam nisur si vullnetar dhe tani punoj me kohë të plotë. Në Shqipëri është e vështirë të gjesh punë, ndaj shumë të rinj largohen. Por unë shpresoj që turizmi i qëndrueshëm të krijojë mundësi që njerëzit të qëndrojnë.”
PPNEA bashkëpunon me Parkun Kombëtar të Prespës për monitorimin e arinjve të zonës dhe organizon ture me vizitorë ndërkombëtarë për të njohur biodiversitetin e liqenit.
Banorët lokalë në të tre vendet shpresojnë se investimet në turizëm do të ringjallin ekonominë, ndërkohë që organizatat mjedisore kërkojnë që zhvillimi të mos dëmtojë natyrën.
Ideja është të krijohet një rrjet i përbashkët ekoturistik që lejon lëvizjen e lirë të vizitorëve, shëtitje ndërkufitare, produkte vendase dhe një vizion unik për gjithë rajonin e Prespës.
Një model për Ballkanin
Megjithëse sfidat janë të shumta, bashkëpunimi ndërkufitar i PrespaNet mbetet një shembull i rrallë se si mjedisi mund të bashkojë popujt përtej historisë dhe politikës.
Në një kohë kur kufijtë në Europë po mbyllen, Prespa ofron një model të hapjes, bashkëpunimit dhe shpresës.
Siç thotë Malakou:“Pelikani nuk njeh kufij dhe as natyra nuk duhet t’i njohë.”
