Shqipëria po përballet me një fenomen të ri në tregun e punës: mungesa nuk është më tek vendet e punës, por tek njerëzit që mund t’i mbushin ato. Sipas Kuadrit të ri Makroekonomik, norma e papunësisë pritet të bie gradualisht nga mbi 9% këtë vit në rreth 8.3% deri në vitin 2029, pa një rritje të ndjeshme të punësimit.
Kjo ulje e papunësisë shpjegohet kryesisht nga ndryshimet demografike: emigrimi i të rinjve dhe ulja e lindshmërisë po tkurrin forcat e punës, ndërsa plakja e popullsisë rrit numrin e personave që dalin në pension. Sektori i shërbimeve pritet të krijojë më shumë kërkesë për punë, por kjo nuk mjafton për të zëvendësuar boshllëqet që lënë brezat e rinj.
Ministria e Financave paralajmëron se me më pak punëtorë në dispozicion, rritja ekonomike mund të ngadalësohet, duke ndikuar në prodhim, investime dhe konkurrueshmëri. Të dhënat e fundit tregojnë se gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës arriti 76.5%, ndërsa shkalla e punësimit 69.4%, një rritje modeste krahasuar me vitin e kaluar.
Në këtë kontekst, Shqipëria hyri në një fazë ku sfida kryesore e tregut të punës nuk është krijimi i vendeve të reja, por sigurimi i fuqisë punëtore për t’i mbushur ato.

