Shqipëria i bashkohet edhe një herë hartës botërore të inovacionit dhe ideve të guximshme me edicionin e tretë të Global Entrepreneurship Week Albania (GEW), një javë që sjell për shtatë ditë energji, vizion dhe mundësi për gjithë komunitetin sipërmarrës shqiptar. Nën organizimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencia Startup Albania, GEW Albania synon të ndërtojë ura të reja bashkëpunimi dhe të forcojë themelet e sipërmarrjes moderne në vend. ”Java e Sipërmarrjes” këtë vit do të fokusohet mbi katër shtylla kryesore që përcaktojnë zhvillimin e qëndrueshëm të çdo ekosistemi ekonomik: politikat, ekosistemi, përfshirja dhe edukimi. Në të gjitha aktivitetet, ato shfaqen si busulla që drejton iniciativat e reja, partneritetet dhe vizionin e përbashkët.
Në frymën e angazhimeve të shprehura ndër vite, theksohet rëndësia e një mjedisi të qëndrueshëm ekonomik ku inovacioni të mos shihet si rrezik, por si mundësi. Përmes granteve, skemave mbështetëse dhe qasjeve të reja në financim, synohet që idetë e reja të mos ngecin më në fazën e konceptit, por të kthehen në biznese të vërteta me ndikim.
”Java e Sipërmarrjes” është mbi të gjitha një platformë bashkimi: startup-e, universitete, inkubatorë, investitorë, kompani të mëdha dhe partnerë ndërkombëtarë. Qëllimi është të thellohet bashkëpunimi, të krijohen sinergji të reja dhe të diversifikohen format e financimit dhe mbështetjes.
Një nga temat qendrore të javës është përfshirja e grupeve që shpesh mbeten si periferike si p.sh: të rinjte, grate sipërmarrëse, sipërmarrës të komuniteteve vulnerabël dhe profesionistë të rinj që kërkojnë të hyjnë në botën e biznesit.
Diskutimet dhe aktivitetet e dedikuara për ta synojnë të krijojnë modele frymëzuese, të ulin barrierat strukturore dhe të rrisin qasjen në rrjete, financim dhe mundësi zhvillimi.
Edukimi sipërmarrës nuk është më një koncept, por një investim i domosdoshëm për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë. Programet e aftësimit, sesionet me ekspertë, trajnimet me partnerë akademikë dhe mentorimet individuale e kthejnë javën në një shkollë intensive të inovacionit.
Studentët, talentet e rinj dhe ata që hezitojnë të hedhin hapin e parë në biznes, gjejnë këtu mjetet që u duhen: njohuri, përvojë reale dhe një komunitet që i mbështet.
Global Entrepreneurship Week Albania është më shumë se një seri eventesh, është një lëvizje që synon të ndryshojë kulturën e të bërit biznes në Shqipëri, të nxisë kurajën për të provuar, të shpërblejë kreativitetin dhe të krijojë një ekonomi të bazuar në talent dhe ide.
Shqipëria për shtatë ditë do të jetë skena ku prezantohen histori suksesi, ide të reja, projekte inovative dhe bashkëpunime që do të ndikojnë në ekonominë e viteve të ardhshme. Për sipërmarrësit me përvojë, për ata që sapo nisin udhëtimin dhe për të gjithë ata që kërkojnë një shans për të ndryshuar drejtimin profesional, GEW Albania 2025 ofron pikërisht atë që duhet: njohuri, mbështetje dhe mundësi reale.
