Shqipëria vijon të përmirësojë pozicionin e saj në hartën globale të inovacionit dhe mjedisit të biznesit. Sipas Indeksit të publikuar nga StartupBlink, vendi ynë renditet në vendin e 60-të nga 125 shtete të analizuara, ndërsa në nivel rajonal mban vendin e dytë, menjëherë pas Serbisë.
Raporti vlerëson reformat e ndërmarra vitet e fundit për përmirësimin e klimës së biznesit, duke theksuar thjeshtimin e procedurave administrative, rishikimin e kuadrit rregullator dhe rritjen e hapjes ndaj investimeve të huaja. Dixhitalizimi i proceseve të regjistrimit dhe licencimit ka përshpejtuar nisjen e aktiviteteve ekonomike, duke e bërë më të lehtë dhe më të sigurt krijimin e bizneseve të reja. Këto zhvillime kanë ndihmuar gjithashtu në ndërtimin e një komuniteti sipërmarrës më të qëndrueshëm, të mbështetur nga një forcë punëtore gjithnjë e më e kualifikuar.
Një nga fushat ku Shqipëria paraqet ende potencial për përmirësim lidhet me qasjen në kapital dhe infrastrukturën financiare. Kjo kategori përfshin tregues si disponueshmëria e kredisë, lidhja me sistemin bankar, kanalet e investimit dhe aksesueshmëria e instrumenteve financiare. Megjithatë, disa parametra kyç, si norma e taksës së korporatave, hapja tregtare, normat e huadhënies dhe marrja e kredisë, renditen brenda 25% më të mirëve të Indeksit, duke ndikuar pozitivisht në vlerësimin e përgjithshëm të vendit.
Politikat ekonomike kanë vendosur investimet e huaja në qendër të vëmendjes, me fokus në sektorë me potencial afatgjatë, si teknologjia, turizmi, bujqësia dhe energjia. Institucione si Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe dhomat e tregtisë kanë kontribuar në lehtësimin e procedurave dhe në mbështetjen e kompanive vendase dhe të huaja. Si rezultat, Shqipëria po ndërton një mjedis biznesi më transparent, më të strukturuar dhe më të parashikueshëm për investitorët.
Në tërësi, raporti evidenton se vendi ofron kushte të favorshme fiskale, përmirësime të vazhdueshme rregullatore dhe një zhvillim gradual të aksesit financiar, duke forcuar rolin e tij në rajonin e Ballkanit.
Në nivel global, renditja kryesohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndjekura nga Singapori dhe Mbretëria e Bashkuar. Në Europë, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Holanda pozicionohen ndër vendet me mjedisin më të favorshëm të biznesit. Ndërkohë, ekonomi më të vogla si Estonia, Luksemburgu dhe Zelanda e Re renditen brenda 15 vendeve më të mira në botë, duke treguar se madhësia e tregut nuk është pengesë për krijimin e një ekosistemi konkurrues për inovacionin dhe sipërmarrjen.
Scan
