Shqipëria renditet një nga vendet që ka parë rritjen më të lartë të çmimeve në vitin 2024, sipas raportit “Deloitte Property Index 2025”, ku vendi ynë është përfshirë për herë të parë.
Çmimi mesatar i apartamenteve në Shqipëri ka arritur në 1620 euro për metër katror, me rritje 16.6% në krahasim me vitin e mëparshëm, duke e renditur të dyta me shtrenjtimin më të lartë pas Polonisë (19.3%) me këtë të fundit që u ndikua nga politikat subvencionuese të qeverisë për strehimin.
Në total, nëntë vende regjistruan rritje mbi 10%, duke nënvizuar presionet e vazhdueshme të kërkesës dhe uljen e përballueshmërisë së banesave në shumë pjesë të kontinentit. (Bosnjë-Hercegovina dhe Izraeli (të dyja +12.7%); Hungaria (+11.9%); Kroacia dhe Rumania (të dyja +11.5%); Italia (+11.2%); Greqia (+10.2%). Në të kundërt, i vetmi vend që regjistroi një rënie të ndjeshme vjetore të çmimeve të ofertave ishte Turqia, ku çmimet ranë -12.0%, duke shënuar rënien më të madhe në krahasim e këtij viti.
Tirana dhe Vlora renditen gjithashtu ndër qytetet me rritjen më të lartë të çmimeve ndër vendet e përfshira në raportin e Deloitte. “Duke shqyrtuar ndryshimet vjetore të çmimeve mesatare të ofertave, disa qytete përjetuan rritje të forta. Krakovi kryesoi renditjen me një rritje prej 28.1%, i ndjekur ngushtë nga Jerusalemi (+25.2%) dhe qytetet shqiptare, Tirana dhe Vlora (të dyja me +25.0%)”. Në Beograd, për të njëjtën periudhë, çmimet ranë me 0.9%.
Në Tiranë, çmimi mesatar ka arritur në 2 mijë euro për metër katror dhe në Vlorë 2400 euro për metër katror, ndërsa në Durrës në 1350 euro për metër katror.
Të dy qytetet shqiptare kanë parë një interes të shtuar si nga blerës vendas, ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë. Veçanërisht Vlora ka përfituar nga zgjerimi i shpejtë i sektorit të turizmit dhe nga zhvillimet e mëdha infrastrukturore – përfshirë Aeroportin e Vlorës (që pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2025 ose fillim të vitit 2026), si dhe investimet strategjike në vazhdim si Bypassi i Vlorës dhe Tuneli i Llogarasë, thuhet në raport.
Në rritje kanë qenë edhe çmimet e qirave, sidomos në Vlorë (+25%) dhe Durrës (22.5%).
“Në rastin e qyteteve shqiptare si Vlora dhe Durrësi, rritja relativisht e madhe e çmimeve të qirasë u ndikua kryesisht nga kërkesa sezonale për qira afatshkurtra. Veçanërisht në këto zona bregdetare, aktiviteti turistik gjatë sezonit të verës ka ushtruar presion në rritje mbi qiratë, duke reflektuar edhe rritjen e kërkesës për akomodim të përkohshëm gjatë sezoneve kulmore.”
Në Tiranë, qiratë për apartamente 1+1 janë rritur me rreth 20%, duke shkuar në 500–800 euro në muaj, varësisht nga lokacioni dhe cilësia e banesës, sipas agjentëve të tregut të pasurive të paluajtshme. Në këto tregje bregdetare, siç është Vlorë dhe Durrësi, është vënë re një diferencë e dukshme midis tregut të qirave, duke qenë gjithnjë e më shumë e ndikuar nga sezonaliteti i turizmit dhe kostot e strehimit.
Në përfundim, raporti i Deloitte konstaton se Shqipëria përjetoi rritje çmimesh pothuajse në të gjitha qytetet kryesore, me një rritje të ndjeshme sidomos në zonat bregdetare. Indeksi i çmimeve të shitjes në Shqipëri u rrit me 16.6% në vitin 2024 krahasuar me periudhën e mëparshme dhe me 5.6% vetëm në gjashtëmujorin e dytë të vitit.
Çmimet e kërkuara nga shitësit u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2024. Për shembull, çmimi mesatar për metër katror (m²) në Tiranë u rrit në 2,000 euro/m² (nga 1,600 euro/m² një vit më parë) deri në fund të vitit 2024, i nxitur nga zhvillimi urban dhe kërkesa e lartë. Lokacionet më të kërkuara në qendër të qytetit (zona si Blloku dhe përreth Sheshit “Skënderbej”) arrijnë tashmë 3,000–3,500 euro/m² ose më shumë, ndërsa edhe lagjet periferike e kalojnë kufirin prej 1,000 euro/m².
Edhe qytetet bregdetare shënuan rritje: çmimet aktuale të apartamenteve në Vlorë variojnë mesatarisht rreth 1,500–1,800 euro/m² (më të lartat për pamje nga deti) dhe normat e qirasë arrijnë rreth 5%. Gjithashtu, projektet rezidenciale luksoze buzë detit (p.sh. Dhërmi, Sarandë) arritën në 1,500–2,500 euro/m², ndërsa njësitë premium në vijën e parë të plazhit mund të kapin deri në 3,500 euro/m².
Segmenti i qirave rezidenciale u zgjerua në vitin 2024. Statistikat zyrtare tregojnë të ardhura totale nga qiratë prej rreth 350 milionë eurosh në vitin 2024 (me rritje rreth 10% në baza vjetore).
Kërkesa e fortë nga turizmi afatshkurtër rriti qiratë me 20% në fund të vitit 2024, me apartamentet njëdhomëshe (1+1) në Tiranë që arrijnë rreth 500–800 euro në muaj (rreth 8–12 euro/m²).
Në përmbledhje, raporti Deloitte nënvizon se tregu i pasurive të paluajtshme në Evropë po përballet me sfida të mëdha në përballueshmërinë e banesave, teksa rritja e vazhdueshme e çmimeve po e bën gjithnjë e më të vështirë aksesin në strehim për shtresat e gjera të popullsisë. Shqipëria, duke u përfshirë për herë të parë në këtë indeks dhe duke u renditur ndër vendet me rritjen më të lartë të çmimeve, po hyn në vëmendjen e tregut europian si një vend me treg dinamik dhe me potencial të fortë për investime, por edhe me sfida të dukshme për përballueshmërinë e qytetarëve vendas.