klima

Shqipëria përballë krizës klimatike: sfida urgjente, zgjidhje të mundshme

Nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri

Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar përballë krizës globale të klimës. Ajo renditet më lart se çdo vend tjetër europian përsa i përket ekspozimit dhe cenueshmërisë ndaj fatkeqësive natyrore dhe ngjarjeve ekstreme të motit [1]. Këto ngjarje, që po shtohen në frekuencë dhe intensitet, përbëjnë kërcënime serioze për komunitetet dhe ekosistemet.

Shqipëria përballet me përkeqësim të dukshëm të kushteve ekstreme të motit, përfshirë përmbytje, thatësira dhe vala të të nxehtit. Nga viti 1997 deri më 2017, përmbytjet në rajone si Shkodra, Tirana, Vlora dhe Fieri shkaktuan dëme prej 218 milionë dollarësh dhe prekën mbi 550,000 njerëz [2]. Agjencia Evropiane për Mjedisin e rendit Shqipërinë me shkallën më të lartë të ashpërsisë së thatësirave në dekadë në Europë, ndërsa valët e të nxehtit e përkeqësojnë më tej situatën. Rritja e nivelit të detit dhe reshjet e dendura kërcënojnë zonat bregdetare, veçanërisht bregdetin jugor, ku erozioni arrin në 20–50 cm në vit. Për shembull, bregdeti i Nartës humbet 2.0–3.0 hektarë çdo vit [3].

Komunitetet rurale, që varen nga bujqësia dhe burimet natyrore, janë më të goditurat—veçanërisht gratë dhe grupet e margjinalizuara. Ndryshimet klimatike përkeqësojnë pabarazitë gjinore—ngjarjet ekstreme të motit lidhen me rritje të dhunës në familje në zonat e prekura, duke shtuar diskriminimin ndaj grave [4]. Analiza e UNICEF-it për Klimën dhe Fëmijët në Shqipëri thekson një boshllëk të rëndësishëm: politikat klimatike dhe mjedisore në vend shpesh nuk marrin parasysh të drejtat dhe nevojat specifike të fëmijëve. Përmbytjet, valët e të nxehtit, ndotja e ajrit dhe thatësirat ndikojnë shëndetin e fëmijëve, ndërpresin arsimin dhe thellojnë pabarazitë, duke nënvizuar nevojën për strategji klimatike që mbrojnë fëmijët [5].

Deon Gjoni“Ndryshimet klimatike po e bëjnë botën më të nxehtë, dhe kjo është e vështirë për njerëz si gjyshërit e mi. Përmbytjet dhe thatësirat po shtohen gjithashtu. Ne fëmijët mund të kursejmë ujin dhe energjinë, por duhen të rriturit të marrin drejtimin për të mbrojtur planetin.”

– thotë Deon Gjoni, “fëmija i motit” nga UNDP Albania (shih fushatën www.undp.weatherkids.org)
Foto: © UNDP në Shqipëri

Shqipëria po ndërmerr hapa për t’u përballur me këto sfida. Në vitin 2021, vendi forcoi zotimet e tij klimatike (Kontributet Kombëtare të Përcaktuara – NDC) sipas Marrëveshjes së Parisit, duke u angazhuar të ulë emetimet e CO₂ me 20.9% deri në vitin 2030 krahasuar me nivelin e vitit 2016 [6]. Ky objektiv ambicioz përforcon përpjekjet globale, por përballë rritjes së temperaturave, ndërtimi i qëndrueshmërisë përmes adaptimit është po aq i rëndësishëm.

Plani Kombëtar i Përshtatjes (NAP), i zhvilluar me mbështetjen e UNDP, ofron një udhërrëfyes strategjik të bazuar në një vlerësim të detajuar të riskut klimatik [7]. Ai identifikon bujqësinë, turizmin dhe zhvillimin urban si sektorët më të cenueshëm, të cilët kërkojnë masa të veçanta. Tetë bashki kanë hartuar plane përshtatjeje me veprime prioritare që marrin parasysh ndikimet e veçanta te burrat dhe gratë, veçanërisht gratë rurale. Tani nevojiten investime strategjike dhe zbatim i menjëhershëm.

Duke ndërtuar mbi këto përpjekje kombëtare, Shqipëria duhet të integrojë aspektet klimatike në strategjitë sektoriale dhe të zhvillojë plane konkrete investimi për përshtatje. Projektet me rrezik të lartë duhet të shmangen dhe përforcimi i sistemeve të të dhënave për të ndjekur progresin në reduktimin e karbonit është thelbësor. Përgatitja e sektorëve kyç për masa rajonale, siç është çmimi i karbonit dhe përafrimi me Sistemin Evropian të Tregtimit të Emetimeve (një mekanizëm tregu për uljen e emetimeve), do të forcojë qëndrueshmërinë e ardhshme. Gjithashtu, mobilizimi i forcave të rendit për të parandaluar dhe luftuar krimet mjedisore—si prerja e paligjshme e pyjeve, trafikimi i mbetjeve dhe ndotja—është i domosdoshëm. Këto krime dëmtojnë ekosistemet që shërbejnë si “lavamanë” natyrorë të karbonit, dobësojnë qëndrueshmërinë dhe pengojnë veprimin efektiv për klimën.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri po bashkëpunojnë për të mbështetur këto objektiva. UNDP ndihmon me masat e zbutjes, përshtatjes dhe menaxhimit të ujërave, përfshirë raportet kombëtare për klimën. UNEP vlerëson ndikimet në ekosisteme dhe mbështet qëndrueshmërinë klimatike në turizëm dhe zona urbane. UNESCO përqendrohet në menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave nëntokësore, ndërsa OBSH (WHO) forcon sistemet shëndetësore për emergjenca. UNICEF avokon për politika dhe investime klimatike që marrin në konsideratë nevojat e fëmijëve dhe të rinjve, integron aftësitë e gjelbra dhe edukimin mbi klimën në sistemin arsimor, mbështet zgjidhje në nivel komunitar për të ulur ekspozimin ndaj ndotjes, valëve të të nxehtit dhe mungesës së ujit, si dhe përfshin të rinjtë në gjetjen e zgjidhjeve lokale për ndikimet e klimës [8]. UNODC punon globalisht për forcimin e masave ligjore për të luftuar krimet mjedisore si prerja e paligjshme e pyjeve dhe ndotja, duke mbrojtur ekosistemet jetike dhe mund të mbështesë qëndrueshmërinë klimatike në Shqipëri [9]. UNFPA trajton lidhjet mes klimës, dhunës me bazë gjinore dhe shëndetit riprodhues. FAO promovon bujqësinë e qëndrueshme, ILO forcon aspektet e punës në politikat klimatike, dhe UN Women mbështet integrimin gjinor në të gjitha politikat klimatike. Së fundmi, UNEP dhe UNOPS janë bashkuar për të menaxhuar me siguri asgjësimin e 243 ton mbetjeve PCB (Poliklorobifenile), duke mbrojtur ekosistemet dhe shëndetin publik në Shqipëri.

Për të përfunduar: Sfida klimatike e Shqipërisë është urgjente, por zgjidhjet janë të realizueshme. Mungesa e veprimit sjell kosto të larta, ndërsa ndërtimi i qëndrueshmërisë sjell përfitime të mëdha. Familja e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri është gati të mbështesë këtë rrugëtim. Për brezat e ardhshëm, ka ardhur koha të veprojmë me vendosmëri, urgjencë dhe qëndrueshmëri.

  1. NAP Global Network. (2019). Përpjekje për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike: Mësime nga Shqipëria. https://napglobalnetwork.org/2019/10/striving-to-adapt-to-climate-change-lessons-from-albania/

  2. Republika e Shqipërisë. (2016). Komunikimi i Tretë Kombëtar në kuadër të Konventës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC). https://unfccc.int/sites/default/files/resource/Albania%20NC3_13%20October%202016.pdf

  3. Fondi Global për Reduktimin dhe Rimëkëmbjen nga Fatkeqësitë (GFDRR). (2017). Shqipëria: Profili i Riskut ndaj Fatkeqësive. https://www.gfdrr.org/sites/default/files/publication/drp_albania.pdf

  4. Republika e Shqipërisë. (2021). Komunikimi i Katërt Kombëtar në kuadër të UNFCCC. https://unfccc.int/sites/default/files/resource/Fourth%20National%20Communication%20of%20Albania%20to%20the%20UNFCCC_EN.pdf

  5. Keast, G. dhe Henderson, M. (2024). Analiza e Peizazhit Klimatik për Fëmijët në Shqipëri. E disponueshme në faqen e UNICEF Shqipëri: www.unicef.org/albania/documents/clac

  6. Republika e Shqipërisë. (2021). Kontributet Kombëtare të Përcaktuara (NDC) sipas Marrëveshjes së Parisit. Në dispozicion në faqen e UNFCCC.

  7. Plani Kombëtar i Përshtatjes (NAP), mbështetur nga Green Climate Fund dhe UNDP. (2020).

  8. Anketa U-Report mbi Ndryshimet Klimatike dhe COP29. https://westernbalkans.ureport.in/opinion/3920

  9. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) & World Wildlife Fund (WWF). (2022). Krimet që Ndikojnë Mjedisin dhe Ndryshimet Klimatike. https://www.unodc.org/res/environment-climate/resources_html/Crimes_that_Affect_the_Environment_and_Climate_Change.pdf

Albanian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top