shqip

Shqipëria përfshihet në operacionin e EUROPOL-it kundër gjuhës së urrejtjes në internet

Njësitë e specializuara të policisë shqiptare morën pjesë mes 12 vendeve në operacionin më të madh të organizuar kundër gjuhës së urrejtjes në internet, njoftoi të hënën Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EUROPOL).

Sipas EUROPOL-it operacioni rezultoi në identifikimin e një numri rekord të përmbajtjeve në internet.

Sipas EUROPOL-it “12 vendet, mes të cilave edhe Shqipëria, zbuluan mbi 6 350 postime nga 46 platforma online dhe 20 faqe interneti që nxisin dhunë ose përmbajnë gjuhë të urrejtjes kundër grupeve të ndryshme etnike dhe fetare”.

Platformat, sipas EUROPOL-it, përfshinin materiale të prodhuara ose të shpërndara nga organizata, individë ose grupe dhe përmbajnë gjuhë të paligjshme urrejtjeje, si gjuha e urrejtjes anti-semitike, si dhe materiale që përshëndesin ose bëjnë thirrje për akte të dhunshme ose terroriste kundër ”.

Ekspertët e EUROPOL-it koordinuan veprimin ndërkombëtar dhe mbështetën njësitë kombëtare të policisë kundër terrorizmit duke identifikuar, mbledhur dhe referuar përmbajtjen e gjuhës së urrejtjes në internet.

Kjo agjenci thekson se bashkëpunimi me ofruesit e shërbimeve në internet është thelbësor për të luftuar përmbajtjet e paligjshme në internet, të tilla si gjuha e urrejtjes, nxitja e dhunës, ekstremizmi i dhunshëm dhe terrorizmi.

EUROPOL-i u mbështet gjerësisht në këtë operacion në një vendim kuadër të Bashkimit Europian për luftimin e racizmit dhe ksenofobisë, i cili trajton përhapjen e gjuhës së urrejtjes duke siguruar që shtetet anëtare të Bashkimit Europian të kenë dënime penale dhe masa të tjera.

EUROPOL tha se ka një ekip ekspertësh në një njësie të posacme që zbulojnë e hetojnë përmbajtjet e dëmshme në internet dhe në mediat sociale.

Ky ekip sapo ka publikuar raportin “Propaganda xhihadiste në Internet, rishikim 2023”, lidhur me zhvillimet kryesore në propagandën në internet të organizatave më të njohura xhihadiste sunite : Shteti Islamik (IS) dhe Al-Kaeda (AQ) .

Raporti mbulon periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2023 dhe identifikon aktivitetet online nga të dy grupet gjatë kësaj periudhe.

VOA

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top