Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Mirela Kumbaro, thotë në një intervistë se turizmi është kthyer në industri dhe është shtrirë thuajse në të gjithë territorin, e po ashtu përgjatë gjithë vitit.
Ajo pret që fluksi i turistëve të huaj të rritet, ndërsa pranon se vendi nuk ishte i përgatitur që të përballonte bumin turistik që përjetoi në dy vjetët e fundit.
Gjithashtu ajo tregon se qëllimi është turizmi elitar, por paralajmëron lajme të mira edhe për ata që kërkojnë më shumë hapësira publike në bregdet.
Si problemet kryesore që kërkojnë zgjidhje për t’u përballur me fluksin në rritje të turizmit, Kumbaro përmend menaxhimin e mbetjeve dhe transportin publik.
Sipas raportit të publikuar nga Organizata Botërore për Turizëm e Kombeve të Bashkuara (UNWTO), Shqipëria është vendi i dytë në botë dhe i pari në Evropë që ka pasur rritjen më të madhe të turizmit. Sa i rëndësishëm është ky tregues për vendin?
Për reputacionin e imazhit të Shqipërisë në botë, por edhe për zhvillimin ekonomik, padyshim, turizmi është sektori më i rëndësishëm i ekonomisë. Prej dy vjetësh kemi filluar të flasim jo thjesht për turizmin si sektor të ekonomisë, por për industri.
Kjo do të thotë se ajo që kemi paralajmëruar rreth tetë vjet më parë, se do të ishte e ardhmja e Shqipërisë dhe zhvillimit ekonomik, sot është bërë e prekshme në ekonomi, por edhe për organizmat ndërkombëtarë, që janë matës të zhvillimit të sektorit, siç është Organizata Botërore e Turizmit.
Në barometrin e vet për 6 muajt e parë, ajo e ka renditur Shqipërinë të dytën në botë për rritjen e fluksit turistik ndërkombëtar dhe të parën në Evropë, krahasuar me periudhën para pandemisë [COVID-19].
Shqipëria, jo vetëm se është rikuperuar, por ka shkuar përtej ta gjitha pritjeve. Sipas parashikimeve tona, ne do t’i arrinim 10 milionë turistë në vitin 2027 ose 2030, por ja ku jemi, e kapëm [këtë shifër] që në vitin 2023.
Kjo falë jo një bumi që ndodhi në një vit, por falë një pune që është bërë që nga viti 2014, e që ne e konceptuam si program i “Rilindjes Urbane”. Ai solli transformim psiko-estetik, psiko-arkitekturor dhe një sinergji të re në marrëdhëniet në investime dhe vizion mes sektorit privat dhe publik.
Dy fenomene të reja shumë të rëndësishme, të konfirmuara në dy vjetët e fundit, janë: shtrirja e turizmit në territor dhe gjatë gjithë vitit.
Këto e bëjnë turizmin të qëndrueshëm, krijojnë hartë të re, bëjnë që turistët ta shohin Shqipërinë jo vetëm për bregdetin, por për shumë destinacione të pazbuluara më parë.
I njëjti raport e rendit Shqipërinë si vendin me rritjen më të madhe në botë të arkëtimeve nga turizmi. Cili ishte ndikimi te i gjithë zinxhiri i biznesit në sektorin e turizmit?
Kjo është një nga gjërat më të mira në ekonomi. Hyrjet në ekonomi nga turizmi kanë njohur rritje të madhe.
Në vitin 2022, 2.8 miliardë euro të ardhura nga turizmi; më 2023, 4.2 miliardë euro dhe, sipas burimeve të Bankës së Shqipërisë, në 6-mujorin e parë [të këtij viti] kishte 500 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nuk mjafton të themi se sa është numri i hyrjeve të vizitorëve, por e rëndësishme është se sa të ardhura sjellin.
Strategjia për turizmin 2024-2030 parashikon ndarjen e vendit në 6 rajone turistike. Çfarë do të sjellë ky plan?
Kemi një punë shumë të madhe për ta formalizuar mëtejshëm ekonominë shqiptare sa i përket turizmit.
Kjo është arsyeja që me strategjinë e re që po i propozojmë Qeverisë “Shqipëria turistike 2030” – që pritet të miratohet javët në vazhdim – parashikojmë ndërhyrje në sistemin fiskal, të informacionit, reformimin e disa prej agjencive si: Korporata Shqiptare e Investimeve, Agjencia për Investime dhe Zhvillim, Agjencia Kombëtare e Turizmit.
Kjo është një soft-diplomaci, një e mirë për kombin dhe shqiptarët kudo ku ndodhen.
Në prezantimin e strategjisë keni deklaruar se “në çdo 1 km plazh do të ketë minimumi 300 metra plazh publik”. Sa i arritshëm do të jetë ky premtim, pasi edhe ju e keni cilësuar si një sfidë të madhe?
Në ofertën turistike shqiptare, bregdeti është një nga pikat kryesore të kësaj menyje, por përvoja e këtyre viteve na ka mësuar ta menaxhojmë më mirë këtë hapësirë, për të krijuar një raport më të drejtë mes plazhit si hapësirë dhe e mirë publike, që duhet të jetë në dispozicion të publikut, por edhe ruajtjes së një ekuilibri në interes të sektorit privat.
Rregullorja e re e plazhit ka parasysh këtë ekuilibër në funksion të investimeve të qëndrueshme, serioze, afatgjate dhe të konsoliduara në fushën e hotelerisë.
Kemi fluks të madh të pushuesve vendas dhe të huaj, por nuk kemi kapacitete në shtretër për t’iu përgjigjur këtij fluksi.
Duke e konsideruar bregdetin si një të mirë, por edhe si vlerë të shtuar për atë sektor të ekonomisë që ka investuar në hotele, në akomodim, kemi gjykuar që plazhet si hapësira që mund të menaxhohen nga privati, të jenë në dispozicion të bizneseve turistike qe kanë hotele.
Do ta përmbysim tendencën që biznese të vogla të menaxhojnë hapësira në plazhe, duke ofruar një strukturë të lehtë shërbimi, pra duke e kthyer çadrën apo shezlonin në biznes kryesor.
Jo, nuk mund të jetë kështu! Plazhet janë të lira, duhet të jenë publike, bashkitë duhet t’i mirëmbajnë dhe menaxhojnë bashkë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.
Duhet ta rrisim ndërgjegjësimin e publikut, për ta mbajtur pastër. Viti 2025 do të jetë sfidues në këtë rritje të ndërgjegjësimit.
Nga ana tjetër, do të shkojmë në gati dyfishim të hapësirave publike të plazheve. Do t’u japim mundësi bashkive të ofrojnë çadra dhe shezlone me çmim më të lirë se privati, që t’i kemi disa opsione dhe pastaj klienti të zgjedhë.
Kemi futur një element të ri – që nuk është e lehtë të zbatohet për shkak të relievit – që në çdo 1 kilometër të ketë 300 metra plazh publik. Gjithashtu, aty ku është bregdet ranor, hapësira deri në 10 metra nga bregdeti do të jetë e lirë, ndërsa aty ku është shkëmbor – deri në 7 metra.
Turistët vlerësojnë bukuritë që ofron Shqipëria, por ka disa ankesa që kanë të bëjnë me transportin publik, me mbetjet, e deri diku edhe me çmimet. A jeni duke i adresuar këto problematika apo edhe të tjera?
Vërtet ka disa problematika. Sa u përket çmimeve, ka dy kritere: transparenca në çmime në çfarëdolloj shërbimi që ofrohet – t’i jepet mundësi klientit të njihet me çmimet që në hyrje dhe të zgjedhë – dhe, së dyti, janë detyrimet që kanë subjektet ndaj shtetit.
Sistemi i kuponit fiskal është një sistem që po funksionon shumë mirë. Sigurisht që ka evazion, ndaj ka edhe sistem kontrolli. Nëse çmimi është transparent dhe subjekti i paguan detyrimet, pjesa tjetër është kërkesë-ofertë.
Transporti publik është ende një problem që duhet rregulluar. Flukset u shtuan më shpejt sesa ishim të përgatitur për t’u përgjigjur.
Ministria e Infrastrukturës po përgatit ngritjen e një agjencie të re të transportit publik, që do të pajiset me flota të mjaftueshme makinash, autobusë që do të jenë publikë, për të menaxhuar në mënyrë më të kontrolluar transportin publik, sidomos drejt destinacioneve të mëdha turistike.
Do të niset me këto destinacione dhe me pikat ku ka flukse të mëdha të ardhjes së turistëve – sidomos portet, aeroporti – e më pas vazhdon rrjeti shpërndarës.
Mbetjet janë sfida më e madhe, sepse është një gjë… Ke 2.5 milionë banorë dhe përballesh me pesëfishimin e kësaj popullsie me turistë, që shpesh janë më pak të përgjegjshëm se në vendet e tyre.
Shqipëria, nga një vit në tjetrin, është shumë më e pastër, por kjo është një punë që nuk ndalet.
Kemi një operacion të dedikuar për plazhet, që nis më 15 qershor deri më 15 shtator, kur dyfishohen kapacitetet pastruese në mjete dhe njerëz në të gjithë bregdetin, me qëllim që të kemi 24 orë shërbim pastrimi.
Ky problem nuk zgjidhet vetëm duke shtuar paratë, nëse nuk kemi përfshirjen e të gjithëve. Duhet gjithëpërfshirje e privatit, publikut. Jo t’i shtojmë milionat e turistëve që janë turistë të lirë, por të ofrojmë mundësi për turizmin elitar.
Përballë bumit turistik, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se sfidë do të jetë edhe mbrojtja, ruajtja e natyrës. Si do të arrihet, si do të ruhet ky ekuilibër?
Destinacionet natyrore që lidhen me biodiversitetin dhe zonat e mbrojtura, janë gjithnjë e më shumë të kërkuara dhe shumë të rëndësishme, sepse e mbajnë turizmin gjallë gjatë gjithë vitit.
Nëse vjen të vizitojë një park natyror, kombëtar apo peizazh të mbrojtur, nuk do një shëtitje disa orë, por do të rrijë, të konsumojë.
Edhe në rishikimet ligjore kemi pasur parasysh që ta ruajmë parimin e turizmit të qëndrueshëm, në mënyrë që ekonomia lokale të qëndrojë.
Nuk është zgjidhje braktisja e fshatrave dhe lëvizja drejt jugut apo Tiranës.
Fakt është që ne shohim rritje të numrit të vizitorëve në zonat e mbrojtura. Nga 4 milionë sa ishin vjet, vetëm në dhjetë muajt e parë [të këtij viti] ishin 4.9 milionë.
Ndryshimet ligjore për Zonat e Mbrojtura i keni konsideruar si “hapje rruge zhvillimit të turizmit brenda këtyre zonave”, por ka kritika nga organizata mjedisore se, në fakt, po i hapet rrugë betonizimit të tyre…
Zhvillimi i turizmit në këto zona pa e dëmtuar mjedisin, është parimi që duam ta ndjekim.
E di që flitet shumë për betonizim, por nuk është betonizimi e vetmja mundësi për ta zhvilluar këtë sektor.
Ka modele plot në botë që mund t’i zgjedhim, pa përsëritur gabimet që janë bërë. Mjafton t’i përmendim gabimet që janë bërë në vitet ‘90, 2000 apo edhe deri më 2015, ku ndërtimet pa leje ishin kuturu.
Po kontrollohet e seleksionohet për të ruajtur biodevirsitetin dhe natyrën.
Zona veriore e Shqipërisë ka pasuri turistike ende të pashfrytëzuara. A ka ndonjë plan për ta përmirësuar këtë situatë?
Veriu i Shqipërisë ka një potencial të jashtëzakonshëm. Kemi vuajtur për dekada nga braktisja e veriut – qoftë brenda vendit apo jashtë.
Por, tani shohim se ka interes të diasporës për t’u kthyer në tokat e të parëve.
Shohim Thethin që nga një vend i braktisur, sot ka bujtina e shtëpiza, ka një kapacitet me dy mijë shtretër dhe është bërë mjaft i frekuentuar. Kjo ka ndodhur edhe falë zhvillimit të infrastrukturës.
Këto janë mundësi zhvillimi e rijetëzimi të zonave të braktisura, për t’i tërhequr banorët e tyre për të investuar në to. Po përgatiten paketa rregullash dhe ligjore, që t’i trashëgojnë pronat e tyre e t’i begatojnë ato.
Në vitin 2025, Shqipëria do të jetë vend nderi në Panairin e Berlinit. Çfarë do të thotë kjo për të?
Shqipëria është përzgjedhur nga panairi më i madh në botë, ITB Berlin, si vend nderi në vitin 2025.
Do të ketë një prezencë 100% të Shqipërisë në një treg, ku marrin pjesë tur-operatorë nga qindra vende të botës; 2025-ta meriton të jetë viti i Shqipërisë turistike, kur do ta miratojmë strategjinë kombëtare të turizmit.
Cili është niveli i bashkëpunimit rajonal që, siç jeni shprehur, “të plotësohet një hartë turistike rajonale”?
Bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm. Prurjet nga rajoni përbëjnë numrin më të madh, për shkak të afërsisë, kulturave të përbashkëta, gjuhës kur bëhet fjalë për Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi etj.
Por, kemi rritje të ndjeshme edhe të turistëve nga Bullgaria, Rumania edhe më tej nga vendet e Evropës Qendrore.
Besojmë fort që kemi mundësi që Ballkani të paraqitet si një destinacion i vetëm turistik, sidomos kur vijnë turistë nga tregje të largëta si: Amerika, Australia etj. Të kenë mundësi që në disa ditë të vizitojnë destinacione në të gjitha vendet. Hapja e tregjeve u shërben të gjitha vendeve.