Një raport i ri global për vitin 2025 e rendit Shqipërinë në vendin e katërt në botë për përdorimin e parasë fizike, me 90% të transaksioneve të përditshme që kryhen në “cash”. Kjo e vendos vendin përkrah disa prej ekonomive më të varfra dhe më pak të dixhitalizuara të globit, si Myanmar (98%), Etiopia (95%) dhe Gambia (95%).
Shqipëria, përkrah vendeve me infrastrukturë të kufizuar bankare
Sipas indeksit të publikuar nga Forex.se, i cili përfshin burime nga Statista, Numbeo, Cash Essentials, G4S, Euro Monitor, World Bank, Statrys dhe Federal Reserve niveli i lartë i përdorimit të parasë fizike në Shqipëri lidhet ngushtë me faktorë si niveli i ulët i përfshirjes bankare, penetrimi i kufizuar i internetit në zonat rurale, dhe mungesa e infrastrukturës për pagesa digjitale, veçanërisht terminalet POS për bizneset e vogla.
Në të njëjtin nivel me Shqipërinë (90%) ndodhen edhe Kamboxhia, Laosi, Libani, Nepali dhe Pakistani, duke treguar varësi ndaj pagesave në dorë. Për krahasim, Iraku dhe Irani ndodhen pak më poshtë, me 85% të transaksioneve në “cash”.
Në skajin tjetër të renditjes, vendet më të pasura po afrohen me një ekonomi gati pa para fizike. Suedia (14%), Norvegjia (10%) dhe Koreja e Jugut (10%) përfaqësojnë shoqëri ku infrastruktura digjitale është plotësisht e integruar dhe pagesat me karta apo celular janë standard.
Ndërkohë, edhe SHBA-ja (16%) dhe Britania e Madhe (20%) po shkojnë drejt të njëjtës rrugë, duke përfituar nga besimi i konsumatorëve në sistemet online dhe mbrojtja e avancuar kundër mashtrimeve.
Raporti thekson se edhe vendet me të ardhura të mesme shpesh ngecin në “kurthin” e tranzicionit digjital. Meksika (80%), India (70%) dhe Tajlanda (65%) tregojnë se rritja ekonomike nuk garanton automatikisht përhapjen e pagesave elektronike. Në rastin e Indisë, megjithëse qeveria ka shtyrë fort platforma si UPI (Unified Payments Interface), cash-i vijon të mbetet dominues në shumë rajone.
Varësia e lartë ndaj parasë fizike është një sinjal paralajmërues për procesin e formalizimit të ekonomisë dhe përpjekjet drejt digjitalizimit të pagesave. Kjo pengon gjurmueshmërinë fiskale, ul efikasitetin e tregtisë elektronike dhe kufizon aksesin e qytetarëve te shërbimet moderne financiare.
Në kohën kur vendet e zhvilluara po afrohen me ekonominë “pa para fizike”, Shqipëria vijon të mbetet pjesë e grupit të ekonomive ku “cash-i mbretëron”, përkrah vendeve të varfra të Azisë dhe Afrikës.
