“Vendi i parë është MVRDV”, projekti i studios arkitekturore holandeze është shpallur fitues i Konkursit Ndërkombëtar për Rilindjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Pas prezantimit të projekteve përpara një jurie ndërkombëtare nga 6 skuadrat finaliste, puna e bërë nga MVRDV u vlerësua si ajo që mund ta vendosë Tiranën në skenën e atyre qyteteve që zhvillojnë aktivitete ndërkombëtare sportive.
“Ekipi i katërt MVRDV, një fjalë e shpjegon të gjithë atë që bënë, ikonike, me një personalitet tejet të fortë, një identitet shumë të qartë. E fortë, e paharrueshme dhe unike. Është një projekt që mund të ishte i dallueshëm ndërkombëtarisht dhe mund ta vendosë Tiranën në skenën e atyre qyteteve që zhvillojnë aktivitete ndërkombëtare. Në fakt mund të krijojë një moment që është një shenjë një Tiranë, por gjithashtu i thjeshtë dhe kompleks”.
MVRDV është studioja prestigjioze që transformoi Piramidën e Tiranës nga një muze kushtuar diktatorit komunist Enver Hoxha, në një qendër të re kulturore. Sipas ekspertëve, projekti për Rilindjen e Pallatit të Sportit ka të njëjtin potencial si ai i Piramidës.
“Tirana është qytet i arkitekturës, por të qenit një qytet i sportit është vërtet një bonus. Ky projekt ka potencialin për të patur efektin që ka Piramida, për sa i përket funksionimit.”
Kompleksi i ri e zgjeron strukturën nga 5,000 në 13,500 metra katrorë mbi tokë. Ofron 6,000 vende, 2,500 metra katrorë zona sportive në natyrë dhe 12,500 metra katrorë parkim publik. Arena për basketboll, volejboll, hendboll, gjimnastikë, boks, taekwondo, peshëngritje dhe mundje.
Pallati i Sportit “Asllan Rusi” me një sipërfaqe prej gati 14 mijë metër katrorë do të ketë pamjen e një topi të bardhë basketbolli me strukturë xhami. Ai do të jetë shumëdimensional, ku përveç fushave stërvitore do të ofrohen edhe hapësira të tjera rekreative me shumë bimësi në brendësi të saj.
“Asllan Rusi” ndërtuar në 1963 me një kapacitet prej 4000 vendesh atëherë, tashmë do të jetë një arenë moderne dhe shumëfunksionale.