pasioni në punë

Si mund të rikthejmë pasionin dhe qëllimin në punë?

Shumë njerëz mbajnë role që do të preferonin t’i linin pas. Si mund të rilidheni me pasionin dhe qëllimin tuaj në punë? Lexues dhe ekspertë ndajnë sugjerimet më të mira.

Në një moment të karrierës së tyre, të gjithë përjetojnë ndjesinë e pakënaqësisë në punë. Megjithatë, me uljen e besimit në tregun e punës në Mbretërinë e Bashkuar dhe rritjen e konkurrencës për pozitat, gjithnjë e më shumë njerëz qëndrojnë në rolet e tyre, edhe nëse nuk ndihen më të kënaqur. Ky fenomen njihet ndonjëherë si “ngjitja pas punës” (job hugging).

Nëse po qëndroni në një punë për siguri, por jo nga pasioni, a ka mënyra për ta përballuar këtë periudhë dhe për të rigjallëruar entuziazmin?

Kujtoni pse e zgjodhët këtë punë

Është e lehtë të harroni motivin fillestar që ju tërhoqi te puna, kur ndiheni të pakënaqur. Por rikthimi i vëmendjes tek arsyet e para mund të sjellë kuptim dhe frymëzim të ri.

“Shpesh njerëzit ndihen si një pjesë e vogël në një makineri të madhe dhe sikur punojnë vetëm për të pasuruar të tjerët. Por nëse mendoni për njerëzit që ndihmoni çdo ditë dhe përse u bashkuat fillimisht me këtë punë, mund ta shihni ndryshe,” shpjegon trajnerja e karrierës Alice Stapleton. “Fokusohuni te ndikimi i përditshëm i punës suaj dhe tek personat që ndihmoni, jo vetëm tek ‘pamja e madhe’ e organizatës.”

Mendoni për përfitimet

Nëse nuk e gjeni kuptimin e punës, ndoshta është më e lehtë të fokusoheni te përfitimet praktike: paga, stabiliteti, rutina, pushimet, apo edhe aspekti shoqëror me kolegët. “Kur i shihni këto si vlera të prekshme, puna duket më e durueshme,” shton Stapleton.

Forconi marrëdhëniet me kolegët

“Mos u mjaftoni vetëm me pyetje të zakonshme si ‘Si kalove fundjavën?’. Kërkoni lidhje më të thella,” thotë trajnerja e karrierës Dina Grishin. “Kjo mund t’ju japë një ndjenjë sigurie dhe mbështetjeje që ndryshon krejtësisht përvojën në punë.”

Edhe në kohën e punës online, Grishin sugjeron të “vini veten në lojë” dhe të shfrytëzoni mentorët dhe kolegët nga departamente të tjera për të hapur rrugë të reja.

Gjeni momente argëtimi

Bibliotekari Tommy Vinh Bui ndan eksperiencën e tij: “Kur ndërtesa ishte bosh para mbylljes, ndërtoja igluje me libra. Mund të duket qesharake, por këto gjëra e thyenin monotoninë dhe më kujtonin pse puna ime ka rëndësi – për të krijuar një hapësirë komunitare të gjallë.”

Mësoni diçka jashtë punës

Një hobi i ri ose një aktivitet ndryshe mund të ndihmojë të ndiheni në rritje edhe nëse puna nuk ndryshon. Lexuesja Maya Kawashima gjeti energji të re duke iu bashkuar Toastmasters: “Tani komunikoj më qartë me kolegët dhe të afërmit. Aftësitë e fituara jashtë punës më ndihmojnë edhe brenda saj.”

Ndryshoni mjedisin

Një peizazh i ri mund të sjellë frymëzim. “U regjistrova në Trusted Housesitters për të punuar nga shtëpi të ndryshme. Është falas dhe ndjehet si pushim, edhe pse punoj normalisht,” thotë Grishin.

Personalizoni hapësirën e punës

Profesorja Gretchen Spreitzer rekomandon të mbani foto ose suvenire në tavolinë: “Këto më kujtojnë se puna ime ka kuptim, edhe kur jam në një takim të vështirë.”

Mbani një ditar

Shkruani tre gjëra për të cilat jeni mirënjohës çdo ditë. Kjo, sipas Stapleton, ju ndihmon të shihni përparimin dhe jo vetëm problemet. Grishin shton se mund të praktikoni edhe “shkrimin e lirë” çdo mëngjes për të zbuluar çfarë dëshironi realisht nga puna.

Fokusohuni tek ajo që ju pëlqen

Shumica e njerëzve nuk urrejnë çdo aspekt të punës së tyre. Stapleton sugjeron të afroheni më shumë me projektet apo detyrat që ju japin energji, përmes bashkëpunimeve ose diskutimeve me menaxhmentin.

Praktikoni “jobcrafting”

Psikologia Alison Gibbs e përshkruan kështu: “Kur përshtatni proaktivisht punën sipas forcave tuaja, merrni ndjesinë e kontrollit.” Edhe ndryshimet e vogla në detyra (“taskcrafting”) mund t’ju japin më shumë kënaqësi ditore.

Zhvilloni forcat tuaja

Marrja e një testi për të identifikuar pikat e forta, ndjekja e një kursi ose pjesëmarrja në një konferencë mund të rigjallërojë pasionin dhe të sjellë dobi edhe për kompaninë.

Konsideroni një lëvizje horizontale

Nuk keni pse të ndryshoni domosdoshmërisht kompani. Lexuesja Mathilda Chenu ndryshoi rol brenda të njëjtës organizatë dhe gjeti sfida të reja që e shpëtuan nga mërzia.

Shpërblehuni vetë

Edhe gjestet e vogla si një filxhan çaji apo një bisedë me kolegu, pas një detyre të vështirë mund të bëjnë diferencë. Mos prisni gjithmonë vlerësim nga të tjerët. Shpërblejeni veten.

Zgjidhni problemet së bashku

Në vend që të mendoni për t’u larguar, diskutoni me kolegët mbi sfidat dhe sugjeroni zgjidhje. Kjo jo vetëm që ndihmon ekipin, por ju bën edhe ju të dukeni si dikush që merr iniciativa.

Menaxhoni kohën tuaj

“Puna është vetëm një pjesë e javës, jo e gjithë jeta,” thotë lexuesi John Wilson. Ai sugjeron të shfrytëzoni momentet jashtë punës si udhëtimet dhe për gjëra që ju sjellin kënaqësi.

Praktikoni mirësinë

Falënderoni, buzëqeshni, tregoni respekt. Aktet e vogla të mirësisë krijojnë një kulturë pune më të shëndetshme dhe ju ndihmojnë të përballoni stresin.

Ndryshoni narrativën në shtëpi

Kur tregoni për punën tek familja, përqendrohuni edhe tek gjërat pozitive, jo vetëm tek ankesat. Kjo e ndryshon mënyrën si e perceptoni ditën tuaj.

Mos e bëni punën qendër të botës

Grishin paralajmëron: “Nëse e gjithë përmbushja vjen vetëm nga puna, rrezikoni lodhje të madhe kur gjërat nuk shkojnë si duhet.” Investoni kohë në miqësi, hobi dhe aktivitete jashtë punës për të ruajtur ekuilibrin.

Theguardian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top