klima

Si po e dëmton shëndetin tonë ndryshimi i klimës

Nga valët e të nxehtit e deri te përhapja e sëmundjeve tropikale, ndryshimet klimatike po kërcënojnë gjithnjë e më shumë shëndetin e njerëzve në mbarë botën, paralajmëron një raport i ri shkencor i publikuar të martën.

Raporti i “Lancet Countdown”  një ndër studimet më të besueshme që lidhin ndryshimet klimatike me shëndetin  tregon se pasojat e ngrohjes globale kanë arritur nivele alarmante.

“Pamja që paraqet këtë vit analiza jonë është e zymtë dhe e pamohueshme: dëmet që po shkakton ndryshimi i klimës në shëndetin e njeriut po prekin çdo cep të botës,” tha Marina Romanello, drejtore ekzekutive e projektit “Lancet Countdown” në University College London.

Rritje e ndjeshme e vdekjeve dhe sëmundjeve

Sipas raportit, vdekjet e lidhura me nxehtësinë janë rritur me 23% që nga vitet 1990. Temperaturat e larta tashmë marrin mbi 500 mijë jetë çdo vit, ndërsa ndotja e ajrit nga djegia e lëndëve fosile shkakton 2.5 milionë vdekje çdo vit. Vetëm në vitin 2024, tymi nga zjarret masive i është lidhur me 154 mijë vdekje, një rekord i ri.

Romanello thekson se “miliona njerëz po humbin jetën çdo vit për shkak të varësisë sonë nga karburantet fosile dhe mungesës së veprimit për të frenuar ndryshimet klimatike”.

Viti më i nxehtë në histori

Viti i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, me nivele rekord të CO₂ në atmosferë. Si pasojë, çdo person në botë ka përjetuar mesatarisht 16 ditë shtesë me temperatura të rrezikshme për shëndetin, ndërsa grupet më të ndjeshme si foshnjat dhe të moshuarit  deri në 20 ditë shtesë.

Nga 20 tregues që matin ndikimin e klimës mbi shëndetin, 13 janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit, thuhet në raport.

Pasojat fizike, psikologjike dhe ekonomike

Valët e të nxehtit janë forma më vdekjeprurëse e motit ekstrem, që mund të shkaktojnë mbinxehje trupore dhe dështim të organeve. Përmbytjet, si ato në Pakistan, ndotin ujin dhe përhapin infeksione, ndërsa thatësirat çojnë në mungesë ushqimi dhe kequshqyerje.
Në vitin 2024, zjarret pyjore dogjën një sipërfaqe më të madhe se India, duke ndikuar në shëndetin e zemrës, mushkërive dhe madje edhe të foshnjave në barkun e nënës.

Këto pasoja kanë edhe një kosto të lartë ekonomike. Vetëm nxehtësia ekstreme ka shkaktuar mbi 1 trilion dollarë humbje ekonomike në vitin 2024, për shkak të sëmundjeve dhe mungesave në punë.

Sëmundjet tropikale po përhapen edhe në Evropë

Ngrohja globale po krijon kushte ideale për përhapjen e mushkonjave, rriqrave dhe mizave që bartin sëmundje si dengue, malaria dhe leishmanioza. Për herë të parë, në vitin 2024 mushkonjat u zbuluan edhe në Islandë diçka që më parë ishte e pamundur për shkak të klimës së ftohtë.

Raporti tregon se rreziku global i transmetimit të dengues është rritur me 49% që nga vitet 1950. Vetëm në vitin 2024 u regjistruan mbi 7.6 milionë raste të kësaj sëmundjeje.

Ndikimi në shëndetin mendor

Ndryshimet klimatike po përkeqësojnë gjithashtu shëndetin mendor. Përjetimi i fenomeneve ekstreme si përmbytje, zjarre apo ciklone mund të çojë në stres post-traumatik.
Ndërkohë, humbja e të ardhurave nga thatësirat apo mungesa e ushqimit shkakton ankth dhe depresion. Edhe netët e nxehta, që pengojnë gjumin, ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen psikologjike.

Çfarë duhet bërë

Autorët e raportit kërkojnë tri masa urgjente për të shmangur një krizë të mëtejshme shëndetësore globale:

Zgjerimi i energjisë së rinovueshme për të reduktuar ndotjen dhe temperaturat. Sipas analizës, energjia e pastër ka shpëtuar mbi 160 mijë jetë mes viteve 2010–2022.

Përshtatja e infrastrukturës për t’u përballur me motin ekstrem ndërtesa më rezistente dhe sisteme më të sigurta ujësjellësi e energjie.

Forcimi i sistemeve shëndetësore, për t’u përgatitur ndaj sfidave që sjell klima e ngrohtë dhe moti ekstrem.

“Çdo ditë vonesë në veprim kushton jetë njerëzish,” paralajmëron Romanello.

dw.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top