slow tv

Si “Slow TV” po magjeps miliona shikues me pamje të drejtpërdrejta nga natyra

Një lumë që rrjedh, një zog që fluturon, një fëshfëritje e lehtë nga gjethet… dhe kaq. Shpesh, kjo është ajo që ndodh.

E megjithatë, “Slow TV” – televizioni i ngadaltë – po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në mbarë botën. Por, çfarë e bën kaq tërheqëse këtë mënyrë kaq të qetë transmetimi?

Qoftë për të parë kandilët që notojnë qetësisht, lejlekët që çelin vezët në majë të pemëve apo drerët që migrojnë drejt livadheve të gjelbra, gjithnjë e më shumë njerëz po ndjekin transmetime të drejtpërdrejta nga natyra – të njohura si Slow TV.

Ky term i referohet transmetimeve pa narrator, që zgjasin me orë të tëra dhe shpesh në kohë reale. Ai u bë i njohur për herë të parë në vitin 2009, kur televizioni publik norvegjez NRK transmetoi një udhëtim 7-orësh me tren.

Udhëtimi i gjatë dhe i qetë fitoi imagjinatën e publikut dhe hapi rrugën për transmetime të paprera të udhëtimeve me anije, netëve të qëndisjes apo zogjve që ushqehen. Kjo shënoi fillimin e një lëvizjeje që më pas u përhap edhe në vende të tjera.

Dhjetë vite më vonë, televizioni suedez SVT nisi një transmetim të pandërprerë për tre javë me titullin “Migrimi i Madh i Drerëve”, dhe emri nuk është aspak metaforik. Tridhjetë e dy kamera të vendosura në pyjet e veriut të Suedisë sjellin pamje të qeta të natyrës, dhe rrallëherë, një drer që kalon lumin.

Që në fillim, rreth 1 milionë shikues ndoqën këtë spektakël të natyrës, ndërsa vitin e kaluar, transmetimi tërhoqi mbi 9 milionë shikues nga mbarë bota. Kjo ka sjellë edhe lindjen e një grupi në Facebook, me mbi 85 mijë anëtarë që diskutojnë me pasion çdo detaj që ndodh gjatë transmetimit.

Sipas Johan Erhag, menaxher i projektit “Migrimi i Madh i Drerëve”, suksesi i kësaj iniciative qëndron në kontrastin e saj me ritmin e vrullshëm të lajmeve dhe rrjeteve sociale. “Ka një qetësi, por edhe emocion që zhvillohet në një periudhë më të gjatë. Ke kohë të reflektosh dhe të relaksohesh”, thotë ai.

Por nuk është vetëm ky transmetim që qetëson shikuesit. Edhe kopshti zoologjik në San Diego, Kaliforni, ka vendosur kamera që lejojnë publikun të shohë nga afër jetën e kafshëve ekzotike si arinjtë polarë, elefantët, pandat e kuqe dhe tigrat.

Ndërkohë në jug të Anglisë, një çift lejlekësh, Ania dhe Bartek, që janë bashkë që prej vitit 2020, kanë tërhequr mbi 55 mijë shikues këtë pranverë. Foleja e tyre ndodhet aq lart, saqë e vetmja mënyrë për t’i ndjekur është përmes një kamere të vendosur në majë. Aty, njerëzit kanë parë nga afër procesin e vezëve, çeljes dhe rritjes së katër zogjve të vegjël.

“Shumë e përshkruajnë si një eksperiencë paqësore dhe relaksuese. Është si një dritare që të çon në botën e egër,” thotë Laura Vaughan-Hirsch, drejtuese e projektit “The White Stork”. “Njëkohësisht, shikuesit mësojnë edhe rreth zhvillimit të zogjve.”

Një detoks për mendjen e lodhur

Slow TV tërheq jo vetëm audiencë ndërkombëtare, por edhe njerëz nga të gjitha moshat dhe profesionet – nga fëmijë deri te të moshuar. Të gjithë e ndjekin për arsye të ndryshme.

Ida Lindberg, edukatore në një kopsht në Sunne të Suedisë, përdor “Migrimin e Madh të Drerëve” si mjet edukativ. Ajo e ndjek me nxënësit 5 dhe 6 vjeç dy herë në ditë. “Fëmijët mësojnë për ndërveprimin shoqëror, natyrën, madje edhe matematikën,” tregon ajo. “Dhe shpresojmë që kjo përvojë t’i ndihmojë të marrin vendime të zgjuara për klimën në të ardhmen.”

Ky transmetim është kthyer në një ritual vjetor për disa. Charlotte Ottilia Campeborn, ndjekëse që nga dita e parë, pranon se është bërë e varur nga ky program. “E lë të hapur ndërkohë që punoj nga shtëpia. Të qetëson,” thotë ajo. “Në kohë të vështira, kërkojmë elementë që na japin ndjesinë e sigurisë. Dhe këtu, natyra vazhdon rrugën e saj, si gjithmonë.”

Një urë drejt ndërgjegjësimit mjedisor

Edhe pse efektet pozitive në mirëqenie janë evidente, Slow TV shkon përtej relaksit. Sipas Johan Erhag, këto transmetime ngjallin një lidhje të fortë emocionale me natyrën dhe nxisin sjellje më të ndërgjegjshme ndaj mjedisit. “Besoj fort se ‘Migrimi i Madh i Drerëve’ u ka hapur sytë njerëzve për rëndësinë e ruajtjes së natyrës,” shprehet ai.

Edhe profesorja Rebecca Mauldin nga Universiteti i Teksasit në Arlington e mbështet këtë ide. Studimet e saj tregojnë se këto transmetime ndihmojnë në krijimin e ndjeshmërisë dhe vullnetit për të mbrojtur mjedisin. “Njerëzit kanë më shumë gjasa të mbrojnë vendet dhe kafshët për të cilat janë lidhur emocionalisht,” thotë ajo.

Megjithatë, ekspertët kujtojnë se përvoja virtuale nuk mund të zëvendësojë plotësisht kontaktin real me natyrën. “Nuk është aq shëruese sa të jesh fizikisht në natyrë,” thotë Mauldin. “Por për ata që nuk e kanë këtë mundësi, livestream-et janë një alternativë shumë e vlefshme.”

Dw

 

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top