Në Durrës është hapur ekspozitë “Turistë të përgjuar” për të rrëfyer përmes dokumenteve, historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, ku turistët e huaj që u lejuan të vizitojnë Shqipërinë në periudhën komuniste, survejoheshin si në hotele ashtu dhe në rrugë.
“Turistët e përgjuar” është shtëpia-ekspozitë, që u çel këto ditë në qytetin e Durrësit. Në një rrugicë shumë pranë qendrës së qytetit, shtruar me kalldrëm, Brunilda Liçaj dhe Arjana Isaku kanë kthyer banesën e familjes Mima në një ekspozitë për periudhën e komunizmit. Ndryshe nga të tjerat, kjo ekspozitë synon të sjellë historinë e turistëve të huaj që u lejuan të vizitojnë Shqipërinë komuniste.
Dhomat e hoteleve ishin të përgjuara me “çimkat” e vendosura në tavllat e duhanit, ndërkohë që rrugëve kishte të ashtuquajtur “spiunë” të cilët shënonin gjithçka dëgjonin nga bisedat e turistëve me guidat. Po kështu veshjet ekstravagante, mbajtja e mjekrës, komunikimi me vendasit, filmimi apo fotografimi dhe sjelljet perëndimore, ishin krejtësisht të ndaluara ndërkohë që turistët duhet të bënin shkresa të tëra për të vizituar vendin nën masa të rrepta sigurie.
Shtëpia ekspozitë do të qëndroje e hapur për vendasit dhe turistët në një afat të pacaktuar, ndërsa dy autoret, pedagoge të Universitetit të Durrësit po punojnë për të mbledhur më shumë të dhëna dhe fakte.