studim

Si ta stërvitni veten për të qenë më mendjehapur

Në një epokë ku informacioni qarkullon me shpejtësi marramendëse, të dish si të dallosh faktet nga gënjeshtrat është bërë më e rëndësishme se kurrë. Deri më sot, edukimi mediatik është fokusuar kryesisht te teknikat praktike si verifikimi i burimeve, zbulimi i gabimeve logjike apo identifikimi i imazheve të manipuluara. Kjo qasje, e njohur si “paralajmërim”, ka për qëllim t’i mësojë njerëzit si të njohin taktikat e dezinformimit përpara se t’i hasin në jetën e përditshme.

Por një studim i ri sugjeron se mënyra jonë e të menduarit mund të jetë po aq thelbësore sa edhe njohuritë praktike. Sipas studiuesve, kultivimi i të pasurit mendje të hapur mund të ndihmojë në mbrojtjen nga polarizimi dhe dezinformimi. Lajmi i mirë është se kjo aftësi nuk është e lindur, por mund të stërvitet.

Çfarë zbuloi studimi

Në dy eksperimente të ndara, studiuesit testuan nëse njerëzit mund të “parapërgatiteshin” për të shmangur grackat e zakonshme të të menduarit me mendje të mbyllur.

Pjesëmarrësve iu dërgua një mesazh i shkurtër që theksonte rëndësinë e vlerësimit me kujdes të provave, një kujtesë e thjeshtë mbi normat shoqërore. Më pas, ata u paralajmëruan për pesë grackat më të zakonshme të arsyetimit:

Të jesh tepër i sigurt në qëndrimin tënd

Injorimi i pikëpamjeve alternative

Të mendosh se e kupton diçka derisa të duhet ta shpjegosh

Kërkimi vetëm i provave që mbështesin bindjet e tua

Shtrembërimi i fakteve për t’u përshtatur me mendimin personal

Kjo ndërhyrje e thjeshtë rriti ndjeshëm atë që studiuesit e quajnë Mendim Aktiv me Mendje të Hapur (MMM) ,një stil njohës që përfshin vënien në pikëpyetje të supozimeve, shqyrtimin e alternativave dhe shmangien e vetëbesimit të tepruar.

Rezultatet ishin domethënëse:

Pjesëmarrësit u bënë më pak të prirur të besonin teoritë e konspiracionit.

U treguan më të kujdesshëm për atë që ndanin në internet.

Në studimin e dytë, përmirësuan ndjeshëm aftësinë për të dalluar informacionin faktik nga gënjeshtrat.

Pse ka rëndësi

Të gjithë kemi momente kur është më e lehtë të mbrojmë qëndrimin tonë sesa ta vëmë në dyshim. Por ky hulumtim tregon se të kesh mendje të hapur nuk është një tipar i pandryshueshëm,është një aftësi që mund të kultivohet. Një kujtesë e vogël për të menduar me kujdes mund të na ndihmojë të ruajmë qartësinë në një botë të mbingarkuar me informacion.

Si të zhvilloni një mënyrë të hapur të të menduarit

Ndaloni përpara se të ndani një përmbajtje. Pyetni veten nëse ajo shmang pesë grackat e mësipërme.

Sfidojeni veten me pyetje kundërshtuese: ‘’Çfarë mund të më bindte të mendoja ndryshe?’”

Bëhuni modest për atë që dini. Nëse nuk mund ta shpjegoni qartë një ide, ka gjasa të mos e kuptoni plotësisht.

Normalizoni kuriozitetin. Krijoni hapësira ku pyetjet, verifikimi dhe pranimi i pasigurisë janë të mirëpritura.

psychologytoday.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top