qiell

Si të dalloni dronët, helikopterët ose avionët në qiell

Ata që shohim në qiell, janë dronë, helikopterë apo aeroplanë?

Ekspertët që studiojnë objektet fluturuese pa pilot – të njohur ndryshe si dronë – thonë se nga disa kilometra larg mund të jetë e vështirë ta bësh dallimin. Por megjithatë ka disa shenja që mund të ndihmojnë për këtë. ‘

Një dritë në qiell gjatë natës mund të keqinterpretohet lehtësisht, sipas drejtori të Qendrës për Kërkime dhe Operacione mbi Sistemet e Aeroplanëve pa pilot në Universitetin e Merilendit, John Slaughter.

“Nuk mund të shohësh (një objekt fluturues) e të thuash menjëherë ky nuk është një dron, ose po është një i tillë”, thotë ai.

Gjithçka që mund të thuash në fakt është: “Pashë një dritë në qiell”, thotë zoti Slaughter.

Dhjetra objekte fluturuese misterioze që janë parë gjatë natës në Nju Xhersi muajin e kaluar dhe tashmë në të gjithë Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësime tek banorët dhe zyrtarët.

Një pjesë e shqetësimit buroi prej objekteve fluturuese që u panë fillimisht pranë “Arsenal Picatinny”, objekt ushtarak që përdoret për kërkime dhe prodhim armësh si dhe mbi fushën e golfit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump në Bedminster.

A janë avionë objektet me drita që pulsojnë?

Si avionët ashtu edhe helikopterët kanë drita që pulsojnë dhe të paktën një dritë të kuqe që ndihmon kundër përplasjes duke përmirësuar shikueshmërinë, shpesh dy drita të tilla.

Ato kanë gjithashtu drita të cilat qëndrojnë të ndezura gjithë kohën, me ngjyrë të kuqe dhe jeshile, të cilat japin informacion mbi pozicionin, drejtimin ose statusin e mjetit fluturues.

Shumë kanë gjithashtu drita që pulsojnë në majë të krahëve të tyre, si dhe drita të fuqishme kur ulen.

Për dronët që fluturojnë natën kërkohet që të jenë të pajisur me vetëm një dritë të ndritshme kundër përplasjes, e cila duhet të jetë e dukshme nga 5 kilometra larg.

Por personat që e zotërojnë dronin mund t’i shtojnë atij drita të tjera, ndaj disa kanë më shumë se një.

Dronët janë më të vegjël sesa avionët dhe helikopterët, kështu që kur kanë disa drita, ato janë pranë njëra-tjetrës, dhe gjatë natës nuk është e mundur të kuptosh saktësisht se sa larg janë.

“Një dritë është vetëm një pikë e ndritshme”, tha zoti Slaughter. “Mund të jetë 100 metra apo 65 kilometra larg dhe sërish do të dukej njësoj”.

Çfarë zhurme bën një dron?

Dronët duket se bëjnë më pak zhurmë sesa zhurma që prodhojnë motorët e avionëve apo helikat e helikopterëve. Por dronët më të mëdhenj mund të bëjnë zhrumë më të fortë dhe tingulli mund të jetë i vështirë për t’u dalluar nga distanca nëse bëhet fjalë për dron apo një mjet tjetër fluturues.

Dronët më të rëndë se rreth 0,2 kilogramë mund të kenë një numër identifikimi që shfaqet në pjesën e jashtme të tyre.

“Sigurisht që ai nuk mund të shquhet gjatë natës dhe do të duhet të jesh afër për ta parë, e duhet të jetë ditë”, thotë Paul R. Snyder, drejtor i Programit të Sistemeve të Avionëve Pa pilot në Universitetin e Dakotës së Veriut.

Avionët dhe helikopterët priren të lëvizin në mënyrë të njëtrajtshme në ajër, por dronët me shumë helika mund të ndalojnë menjëherë, të rrotullohen 90 gradë dhe të ndryshojnë kursin, tha zoti Slaughter.

“Kjo lloj lëvizjeje mund të jetë një e dhënë se po shikoni një dron dhe jo një avion”, tha ai.

Shumica dërrmuese e dronëve operojnë në një lartësi më të ulët se 122 metra, bazuar në rregullat federale.

VOA

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top