Barack Obama

Si të përmirësoni aftësitë tuaja të komunikimit: 5 këshilla nga Barack Obama

Terry Szuplat, një nga ish-shkruesit e fjalimeve të Barack Obamës, tregon në librin e tij të vitit 2024 Say It Well (Harper Business) një histori që ish-presidenti i rrëfeu për një fjalim që kishte mbajtur kur ishte ende një organizator i ri komuniteti.

“Rreth e përqark kishte njerëz me kostume. Unë dukesha pak i shpërfillur dhe jashtë rrethit. Pas katër ose pesë minutash që kisha nisur prezantimin, thjesht u bllokova. Më iku filli i mendimit,” tregonte Obama. “Nisa të ndjeja pak djersë, hezitim, më iku qartësia dhe nuk isha aspak i rrjedhshëm në atë që po thoja.”

Kjo histori, për sipërmarrësit apo profesionistët që janë ende duke ndërtuar aftësitë e tyre në të folurën publike, mund të tingëllojë shumë më reale dhe e afërt, krahasuar me mënyrën e përkryer se si flet Obama sot.

Po si arriti ish-presidenti të kalonte nga një komunikues që shpesh ngatërrohej, në një ndër folësit më të mirë të kohës sonë?
Në një bisedë të fundit në Kolegjin Hamilton, Obama ndau pesë ndryshime shumë të thjeshta dhe praktike, që çdo person që dëshiron të përmirësojë aftësitë e tij të komunikimit mund t’i bëjë.

Nëse ai mund të përmirësohet kaq shumë vetëm me disa rregullime të vogla, ndoshta këto këshilla mund t’ju ndihmojnë edhe ju që të ngrini nivelin e komunikimit tuaj.

 

Ai ushtrohej shumë.

Kur presidenti i Kolegjit Hamilton, Steve Tepper, e pyeti Barack Obamën për sekretet e tij në komunikim, ish-presidenti iu përgjigj me një sinqeritet që nuk pritej: “Kur nisa si politikan dhe folës publik, shpesh isha shumë i dobët.”

Çfarë ndryshoi? Këshilla e parë e Obamës për të folur mirë është ndoshta më e thjeshta, por edhe më e rëndësishmja: Ai ushtrohej shumë.

“Besoj se gjëja e parë që duhet të dini për të folur, për të shkruar apo për të komunikuar në përgjithësi është kjo: nëse ushtroheni, si për çdo gjë tjetër, përmirësohesh,” i tha ai Tepper-it. “Kam pasur shumë përsëritje, dhe shumë eksperienca.”

Ndaj, sipërmarrës të rinj apo profesionistë që kërkoni të përmirësoni mënyrën se si komunikoni – nuk ka magji apo sekret të fshehtë që ju bën menjëherë të aftë. Sekreti është vetë një: dilni aty dhe ushtrohuni. Sa më shumë, aq më mirë.

Ai i jep përparësi bindjes, jo fjalëve të bukura.

A ka një art dhe shkencë për të ndërtuar një argument bindës? Pa dyshim. Mund të gjesh pafund artikuj me këshilla dhe teknika për të pas ndikim dhe shumë prej tyre janë të vlefshme. Por, sipas Barack Obamës, asnjë nga këto truke retorike nuk ka vlerë nëse nuk e njeh mirë temën dhe nuk beson me gjithë mend në atë që thua.

“Unë besoj se gjëja më e rëndësishme për të qenë një komunikues i mirë është të kesh bindje – të besosh vërtet në atë që thua,” thekson Obama. “Nëse e di qartë çfarë beson, atëherë natyrshëm do ta përcjellësh këtë bindje te të tjerët dhe do të dukesh i vërtetë.”

Në një intervistë për podcast-in HBR IdeaCast, Cody Keenan – ish-skenarist i Obamës – e përmblodhi këtë mësim shumë thjesht: “Folësit më të mirë janë ata që janë të sigurt në bindjet e tyre.” Sipas Obamës, kjo është “ndoshta këshilla më e rëndësishme” që mund t’u japë të tjerëve për të komunikuar me ndikim.

Ai i shkruan gjithmonë fjalimet.

Pas tetë vitesh si President i Shteteve të Bashkuara, mund të mendosh se Barack Obama ka aq shumë përvojë në komunikim sa mund të mbajë një fjalim pa shumë përgatitje. Me shumë gjasa, do t’ia dilte më mirë se shumica prej nesh edhe pa u përgatitur, por ai këmbëngul se gjithmonë përgatit gjithçka paraprakisht dhe shkruan ato që dëshiron të thotë.

“Shkruaj realisht ato që do të thuash,” këshillon ai. “Nuk më intereson sa i mirë mendon se je – do të jesh gjithmonë më i qartë dhe më i saktë nëse ulesh dhe mendon mirë paraprakisht.”

Edhe për ata që flasin shpesh në publik, ky është një kujtim i vlefshëm: përgatitja dhe strukturimi i mendimeve përpara se të flasësh, e bën çdo mesazh më të fuqishëm dhe më të kuptueshëm.

Ai zëvendësoi statistikat me histori personale.

Shumë njerëz mendojnë se mënyra më e mirë për të bindur dikë është duke përdorur fakte dhe logjikë të ftohtë. Por shkenca tregon të kundërtën: njerëzit preken dhe binden më shumë nga historitë personale dhe ndjenja, sesa nga grafiqet apo statistikat.

Kjo ishte një ndër mësimet më të rëndësishme për Obamën, që e ndihmoi të kalonte nga një organizator komuniteti që shpesh hutonte audiencën, në një nga folësit më të vlerësuar në botë.

“Nuk isha aq i mirë sa duhet kur nisa të flisja në publik. Shpesh e mbushja fjalimin me fakte dhe politika,” kujton ai. “Por kjo nuk është mënyra si ne e përthithim informacionin. Ne mësojmë përmes historive – nga përvojat tona dhe ato të të tjerëve.”

Nëse dëshiron të komunikosh në mënyrë të efektshme, “fli si një njeri i zakonshëm, jo si një libër,” thotë Obama. Dhe për fat të mirë, sot ka shumë këshilla dhe mjete që mund të të ndihmojnë të përmirësosh aftësinë për të treguar histori me ndikim.

 

Ai u bë një dëgjues më i mirë.

Kur njerëzit duan të përmirësojnë mënyrën se si komunikojnë, zakonisht mendojnë për veten: Çfarë duhet të them? Si duhet ta them më mirë? Por Obama jep një këshillë ndryshe nga sa mund të prisni. Për të qenë një folës i mirë, duhet të mësosh edhe të dëgjosh mirë.

“Nëse je një komunikues i mirë, duhet të jesh edhe një dëgjues i mirë,” thotë ai. “Në fillimet e fushatës sime, fjalimet e mia ishin të thata, plot me fakte dhe politika. Por ajo që më bëri të përmirësohesha si folës, ishte momenti kur fillova të dëgjoja vërtet historitë e njerëzve që takoja.”

Pse dëgjimi ndihmon në komunikim? Sepse kur dëgjon me vëmendje, kupton më mirë njerëzit përballë. Dhe kur i kupton më mirë, je shumë më i aftë t’u flasësh në një mënyrë që i prek dhe i frymëzon.

“Kur dëgjon dhe kupton prioritetet, jetën dhe vlerat e të tjerëve, atëherë je në gjendje t’i flasësh një audience më të gjerë,” shpjegon Obama.

Nëse nuk di nga t’ia nisësh, psikologë dhe trajnerë komunikimi ofrojnë shumë këshilla praktike se si të përmirësosh aftësinë për të dëgjuar.

Nëse funksionoi për Obamën, mund të funksionojë edhe për ty.

Barack Obama, sigurisht, tregohet modest në fjalimin e tij në Hamilton. S’ka dyshim që ai ka disa aftësi të lindura që e ndihmojnë të jetë një folës kaq tërheqës. Por kjo nuk do të thotë që ndryshimet që e ndihmuan Obamën të përmirësohet si komunikues, nuk mund të na ndihmojnë edhe ne të tjerëve.

Shumica prej nesh ndoshta nuk do të arrijnë kurrë nivelin e tij si orator, por nëse ndjekim të njëjtat hapa të vegjël dhe praktikë që ai bëri, pa dyshim mund të kalojmë nga një komunikues mesatar në një shumë më të mirë.

Inc

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top