gjumi

Si të shmangim ndjesinë e pakëndshme që lë pas gjumi i shkurtër ?

Zgjohesh nga një sy gjumë duke u ndier i përgjumur, i lodhur apo i sëmurë? Ekspertët thonë se është diçka e zakonshme. Ja çfarë mund të mos shkojë ashtu siç duhet.

Dr. Waiz Wasey, mjek i gjumit i trajnuar në Mayo Clinic, tha se ndjesitë si marramendja, të përzierat dhe plogështia pas një gjumi të shkurtër janë të zakonshme dhe mund të kenë disa shkaqe.

1. Inercia e gjumit
Wasey tha se inercia e gjumit është një nga arsyet kryesore. Ai shpjegoi se gjumi kalon në cikle rreth 90-minutëshe, që përfshijnë fazat e lehta, të thella dhe REM. Nëse zgjohesh pa përfunduar një cikël të plotë, trupi mund të reagojë me dezorientim, marramendje, të përziera apo plogështi.

Dr. Funke Afolabi-Brown, mjeke e certifikuar për mjekësinë e gjumit, tha se shumica e rasteve janë të lehta dhe zhduken brenda 20 minutash, por raste të rënda mund të zgjasin 4-6 orë dhe të shoqërohen me të vjella ose simptoma të ngjashme me panikun. Ajo shtoi se pasditja mund t’i rëndojë këto simptoma sepse trupi nuk e pret të flejë në atë orar.

Wasey tha gjithashtu se personat me pagjumësi, apne gjumi ose mungesë kronike gjumi mund t’i përjetojnë më rëndë këto.

2. Problemet gastrointestinale
Dr. Bharat Pothuri, gastroenterolog, tha se refluksi acid (urthi) mund të shkaktojë nauze, marramendje dhe dhimbje gjoksi pas pushimit, veçanërisht nëse shtrihemi menjëherë pas ngrënies. Ai shtoi se ushqimet e yndyrshme, të skuqura, qumështoret apo ushqimet shumë fibroze mund të zgjasin tretjen dhe të shtojnë simptomat.

3. Shkaqe të tjera
Wasey tha se dehidratimi, sheqeri i ulët në gjak, apneja e gjumit dhe gjendje më të rralla si disautonomia ose vertigoja pozicionale beninje mund të kontribuojnë në ndjesinë e keqe. Ai këshilloi që nëse dyshohet për këto, të konsultohemi me mjekun.

Sa duhet të zgjasi gjumi i shkurtër i drekës?

“Ne gjithmonë rekomandojmë që gjumi i shkurtër të jetë 20 minuta ose më pak,” tha Wasey. Ai shpjegoi se mbi 20 minuta mund të hysh në gjumin e thellë dhe zgjimi në këtë fazë sjell më shumë simptoma të pakëndshme. Nëse duhet më shumë pushim, ai këshilloi të bëhet një gjumë 90-minutësh për të përfunduar një cikël të plotë.

Për ata që kanë probleme me stomakun, gjumi i shkurtër duhet të jetë nën 30 minuta për të mos ngadalësuar tretjen.

Si të parandalosh ndjesitë e këqia pas gjumit të shkurtër?

Wasey tha se është e rëndësishme të flesh mjaftueshëm natën, të krijosh një rutinë para gjumit, të shmangësh dritën blu 1-2 orë para fjetjes dhe të bësh gjumin e shkurtër më herët gjatë ditës.

Afolabi-Brown tha se gjumi i gjatë ose shumë vonë në ditë mund të prishë gjumin e natës.

Dr. Rucha Mehta Shah, gastroenterologe, tha se nëse dyshohet për probleme të tretjes, duhet të pritet 3-4 orë pas ngrënies para se të shtrihemi, të shmangen ushqimet problematike dhe të përdoren jastëkë për të ngritur kokën dhe kraharorin. Ajo shtoi se antacidet mund të ndihmojnë, por nëse simptomat vazhdojnë, duhet të konsultohemi me mjekun për trajtim të mëtejshëm.

Ekspertët këshillojnë ngrënje të lehtë, kur të shtriheni mbështetuni me jastëkë dhe vendos alarmin për 20 minuta dhe do të zgjoheni i freskët dhe pa nauze.

theguardian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top