Një përpjekje ambicioze për të zhvilluar një sistem paralajmërimi të hershëm për pikat kritike të klimës do të kombinojë flota dronësh, detektimin e rrezeve kozmike dhe modelet e lulëzimit të planktonit me inteligjencën artificiale dhe modelet më të detajuara kompjuterike deri më sot.
Agjencia Britanike për Kërkime dhe Inovacion të Avancuar (Aria), e cila mbështet projekte me rrezik të lartë, por me shpërblim të madh, ka dhënë 81 milionë paund për 27 ekipe shkencore. Qëllimi është të gjenden sinjale që paralajmërojnë për katastrofat më të mëdha klimatike që mund të shkaktojë kriza klimatike. Pikat kritike ndodhin kur temperatura globale kalon një prag të caktuar, duke shkaktuar ndryshime të pandalshme në sistemin klimatik.
Programi përqendrohet në dy pika kritike që konsiderohen me rrezik shumë të lartë për t’u shkaktuar: shkrirja e shtresës së akullit në Grenlandë, e cila do të çonte në një rritje masive të nivelit të deteve, dhe kolapsi i rrymave oqeanike në Atlantikun e Veriut, që do të sillte ndryshime drastike në reshjet globale dhe do të dëmtonte rëndë furnizimin me ushqim.
Shkencëtarët tashmë kanë zbuluar shenja që tregojnë se sisteme si pyjet e Amazonës dhe shtresa e akullit në Antarktikën Perëndimore po bëhen më të paqëndrueshme. Megjithatë, deri më tani nuk kanë qenë në gjendje të parashikojnë me saktësi se kur një pikë kritike mund të tejkalohet.
Një sistem paralajmërimi si për cunamet
Detyra e parë e programit pesëvjeçar të Aria-s është të përcaktojë nëse parashikimi i pikave kritike është i mundur. Ato janë jashtëzakonisht komplekse dhe varen nga shumë faktorë, ndaj për të pasur sukses, kërkohen të dhëna shumë më të mira nga oqeanet dhe akujt – si nga e tashmja, ashtu edhe nga e kaluara – si dhe modele më të sakta kompjuterike.
“Ashtu si përdorim stacione monitorimi për të zbuluar dhe paralajmëruar për cunamet, synojmë të krijojmë një rrjet sistemesh monitorimi që do të zbulojnë shenjat e hershme të ndryshimeve kritike klimatike,” thanë drejtorët e programit, Gemma Bale dhe Sarah Bohndiek. “Nëpërmjet këtyre sistemeve, duam t’u ofrojmë vendimmarrësve të dhëna të sakta për të përballuar kërcënimin e ndryshimeve klimatike të papritura.”
Shkencëtarët kanë identifikuar të paktën 16 pika kritike të rrezikshme, nga shkrirja e permafrostit në veri deri te ndryshimi i musonit në Afrikën Perëndimore, dhe është e mundur që disa prej tyre tashmë të jenë kaluar.
Një paralajmërim që mund të ndryshojë gjithçka
Qëllimi i programit është të krijojë një sistem paralajmërimi që, kur të jetë e mundur, mund të japë një parashikim me një dekadë paraprakësi për kalimin e një pike kritike. Një paralajmërim i tillë do të ishte një nxitje e madhe për botën që të përshpejtonte masat për mbrojtjen e klimës, tha profesori Tim Lenton nga Universiteti i Exeter, i cili drejton njërin nga ekipet e Aria-s. Edhe nëse një pikë kritike nuk mund të ndalet, një paralajmërim i hershëm do të jepte kohë të vlefshme për t’u përgatitur ndaj pasojave të saj.
“Shuma prej 81 milionë paundësh është e madhe për kërkimin shkencor,” tha Lenton. “Por është shumë e vogël në krahasim me kostot e pasojave të kalimit të një ose dy pikave kritike.”
Teknologjia në shërbim të klimës
Programi i Aria-s fokusohet te Grenlanda dhe rrymat oqeanike në Atlantikun e Veriut (SPG – sub-polar gyre), të cilat luajnë një rol kyç në sistemin global të rrymave oqeanike.
Një nga projektet do të zhvillojë dronë të vegjël dhe të shpejtë me ngritje dhe ulje vertikale, të cilët do të vendosen nga hangarë robotikë për të mbledhur të dhëna më të sakta mbi Grenlandën. Një ekip tjetër po punon për pajisje autonome që lëvizin në thellësi të oqeanit për të mbledhur të dhëna mbi SPG-në.
“Nëse SPG-ja shembet, Britania dhe Evropa Veriore mund të përballen me dimra shumë më të ashpër, të ngjashëm me ata të Kanadasë,” tha Dr. Bieito Fernández Castro nga Universiteti i Southampton-it. “Ndërkohë, bregu lindor i SHBA-së mund të përjetojë një rritje dramatike të nivelit të detit.”
Një ekip tjetër fokusohet te planktonët, të cilët konsiderohen si “pulsi i oqeanit”. Shkencëtarët do të përdorin pajisje holografike të integruara me inteligjencë artificiale për të monitoruar planktonët, duke i vendosur në anije transporti, robotë nënujorë dhe madje edhe në balena.
“Duke kombinuar teknologjinë më të avancuar me dekada monitorimi të planktonëve, po krijojmë një sistem që nuk kufizohet vetëm në vëzhgimin e ndryshimeve, por parashikon edhe ndryshimet kritike në oqeane,” tha Dr. Clare Ostle nga Shoqata Biologjike Detare.
Për të matur ritmin e shkrirjes së Grenlandës, një ekip tjetër do të përdorë sensorë neutronikë të fortë për të analizuar rrezet kozmike, të dizajnuar për të përballuar kushtet e vështira të rajonit. Një tjetër projekt do të vendosë një rrjet instrumentesh sizmike të ndjeshme, të cilat mund të masin rrjedhën e ujërave të shkrirjes duke dëgjuar dridhjet që ato shkaktojnë.
Ndërkohë, ekipi i profesorit Lenton do të përdorë teori matematikore dhe inteligjencë artificiale për të identifikuar matjet kyçe që duhen bërë në oqean për të zbuluar një pikë kritike në SPG. Një hipotezë është se një model tredimensional i temperaturës dhe kripësisë së oqeanit mund të jetë një sinjal paralajmërues.
Një tjetër projekt do të zhvillojë simulime ultra të detajuara kompjuterike për të testuar besueshmërinë e sinjaleve paralajmëruese. “Do të përdorim shembuj realë të pikave kritike të kaluar për të kuptuar më mirë këto fenomene,” tha profesori David Thornalley nga University College London.
“Parashikimi i pikave kritike është një sfidë e jashtëzakonshme,” tha Dr. Reinhard Schiemann nga Universiteti i Reading-ut. “Por gama e jashtëzakonshme e ekipeve që po e trajtojnë këtë sfidë nga kënde të ndryshme, duke punuar së bashku në mënyrë të koordinuar, e bën këtë program një mundësi unike.”