Në një hap që vjen natyrshëm drejt përfshirjes, barazisë dhe zhvillimit ekonomik, SIGMA Vienna Insurance Group ka zgjedhur të mbështesë programin Women Startup Competition gjatë këtij viti, duke mundësuar trajnimin dhe mentorimin e 60 grave sipërmarrëse shqiptare në rrugëtimin e tyre drejt konsolidimit të biznesit.
Ky program i dedikuar, synon fuqizimin e kapaciteteve të grave themeluese të bizneseve të reja, duke u ofruar atyre aftësitë për të ndërtuar plane të qëndrueshme biznesi, për të prezantuar me profesionalizëm përpara investitorëve dhe për të zhvilluar strategji të strukturuara marketingu.
Roli i gruas në sipërmarrje ka rezultuar një motor i rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm, duke ndikuar pozitivisht në familje, ekonomi dhe komunitet. Për SIGMA VIG, mbështetja e këtij segmenti përfaqëson një investim afatgjatë në potencialin transformues të shoqërisë.
“Fuqizimi i gruas në sipërmarrje nuk është thjesht një akt mbështetjeje – është një strategji për të ndërtuar një shoqëri më të balancuar, më të qëndrueshme dhe më të drejtë. SIGMA synon të jetë katalizator i këtij transformimi përmes iniciativave që prekin jetën dhe vizionin e gruas shqiptare”,- shprehet Dorinela Ndrejaj, Drejtore e Marketingut dhe PR në SIGMA VIG.
Në thelb të vlerave që SIGMA përcjell, qëndron angazhimi për përfshirje dhe përfaqësim të denjë të grave në strukturat e saj, ku përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre janë shembuj konkretë të kontributit të jashtëzakonshëm që gratë japin në sektorin e sigurimeve dhe më gjerë.
SIGMA VIG operon në tregun shqiptar që nga viti 1999 si një nga kompanitë e para të sigurimeve Jo-Jetë. Me një histori prej 26 vitesh besueshmëri dhe performancë, dhe si pjesë e Vienna Insurance Group që prej vitit 2007 – një grup me histori 200-vjeçare suksesi në Austri dhe Europën Qendrore e Lindore – SIGMA vazhdon të ndërtojë standarde europiane në tregun shqiptar. Kompania ofron produkte dhe zgjidhje sigurimi për biznese dhe individë, duke garantuar stabilitet financiar dhe mbrojtje për atë që ka më shumë rëndësi për klientin.