nuk dua të dëgjoj

Sipas ekspertes: Si t’i ndalim me mirësjellje këshillat që nuk i kërkuam

Shpesh ndodh që të jemi duke reflektuar mbi një gabim ose duke u përballur me një vendim të vështirë, dhe papritur dikush ndërhyn me një “këshillë të dobishme” që askush nuk e ka kërkuar. Në vend që të ndihemi të mbështetur, ndonjëherë përfundojmë duke u ndjerë të gjykuar ose të nënvlerësuar.

Sipas ekspertes së psikologjisë Shade Zahrai, ka një arsye psikologjike pse këshillat e pa kërkuara shpesh na duken të padëshiruara. Studimet tregojnë se ato cenojnë autonominë dhe mund të dëmtojnë një koncept të rëndësishëm të quajtur vetë-efikasitet, besimi se jemi të aftë të menaxhojmë vetë sfidat tona.

Në thelb, kur dikush ofron udhëzime pa u pyetur, truri e përkthen si: “Ti nuk mund ta përballosh këtë vetë.” Dhe kjo ka peshë, sepse vetë-efikasiteti është një nga shtyllat e besimit tek vetja. Kërkimet e lidhin atë drejtpërdrejt me motivimin, qëndrueshmërinë dhe madje edhe suksesin në karrierë.

Pyetja është: Si të menaxhojmë këshillat e padëshiruara pa krijuar tension? Çelësi, sipas Zahrai, është të përgjigjemi me qetësi dhe respekt, duke ruajtur gjithmonë kontrollin mbi zgjedhjet tona. Ja pesë fraza që funksionojnë në çdo situatë.

1. “Faleminderit që ndave mendimin. Do ta marr parasysh.”

Kjo është mënyra më e butë për të pranuar mendimin e tjetrit pa u angazhuar ta ndjekësh. Ajo ruan mirësjelljen dhe e bën tjetrin të ndihet i dëgjuar, ndërsa vendimmarrja mbetet plotësisht në dorën tënde.
E përshtatshme në situata profesionale ose personale ku dëshiron të mbash paqen, pa hapur derën për më shumë ndërhyrje.

2. “Është një këndvështrim i vlefshëm. Unë preferoj ta menaxhoj kështu.”

Kjo frazë tregon se je duke dëgjuar, por njëkohësisht i qëndron besnik mënyrës tënde të veprimit. Ruhet respekti për tjetrin, por pa sakrifikuar autonominë tënde.
E dobishme sidomos kur këshilla vjen nga një figurë autoriteti, një shef apo mentor. Mund ta shoqërosh me një shpjegim të shkurtër për të forcuar arsyetimin tënd.

3. “E vlerësoj mendimin tënd. Unë tashmë kam një plan se si do të veproj.”

Kjo është një mënyrë e qartë dhe e respektueshme për të treguar se e ke marrë drejtimin në dorë. Përveçse tregon siguri, ul edhe gjasat që personi të të japë përsëri të njëjtën këshillë.
E përshtatshme kur përballesh me këshilla të përsëritura ose insistuese nga kolegë apo të afërm që nuk të lënë hapësirë për vendimet e tua.

4. “Kjo ka shumë vlerë për mua. Por tani do të doja më shumë mbështetje se sa zgjidhje.”

Këtu, sipas Zahrai, ndryshon fokusin e bisedës: nga këshillat tek mbështetja emocionale. Shumë shpesh njerëzit japin zgjidhje nga dëshira për të ndihmuar, por ajo që na duhet realisht është empatia dhe dëgjimi aktiv.
Kërkimet tregojnë se mbështetja emocionale është më efektive për reduktimin e stresit sesa zgjidhjet e gatshme.

5. “Të dëgjova. Nëse do të më duhet më shumë udhëzim, do të të kontaktoj.”

Kjo frazë është e shkurtër dhe e prerë, por gjithsesi e sjellshme. Ajo vendos një kufi të qartë dhe mbyll bisedën, ndërsa lë hapësirë që të rikthehesh te personi nëse e shikon të arsyeshme në të ardhmen.
E dobishme në rastet kur je i bombarduar me “duhet” në punë apo kur dikush e kalon kufirin në jetën personale.

Shade Zahrai thekson se rëndësi të madhe ka mënyra se si e thuhet një frazë. Fjalët e njëjta mund të duken falënderuese ose mbrojtëse, në varësi të tonit të zërit. Prandaj, qetësia dhe respekti janë çelësi që i bën këto përgjigje të funksionojnë.

Në fund të ditës, këshillat do të vijnë gjithmonë në punë, në shtëpi, madje edhe në palestër. Fuqia është tek mënyra se si zgjedhim t’i marrim dhe si i vendosim kufijtë tanë.

CNBC  

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top