Profesor Richard Thompson, një ekspert i mbetjeve detare, thekson se delegatët duhet të veprojnë me vendosmëri në mënyrë që të mund t’u shikojnë brezave të ardhshëm në sy.
Delegatët që marrin pjesë në bisedimet për një traktat ndërkombëtar për ndotjen nga plastika, të organizuara nga OKB në Gjenevë, duhet të arrijnë një marrëveshje ambicioze globale, në mënyrë që të mbrojnë shëndetin e njerëzve dhe të planetit, ka deklaruar një nga ekspertët më të njohur në botë për ndotjen detare nga plastika.
Profesori Richard Thompson, i cili këtë vit u rendit mes 100 njerëzve më me ndikim në botë sipas revistës Time për punën e tij të rëndësishme në fushën e ndotjes nga plastika, u shpreh se është e domosdoshme një veprim vendimtar. Ai foli të hënën, në prag të mbledhjes së përfaqësuesve nga më shumë se 170 shtete, të cilët do të përpiqen të kapërcejnë ndasitë e thella që janë krijuar rreth pyetjes nëse traktati duhet të përfshijë kufizime për prodhimin e plastikës.
Në nëntorin e kaluar, bisedimet në Busan, Kore e Jugut, dështuan pa një marrëveshje përfundimtare. Më shumë se 100 vende janë në favor të një traktati ligjërisht të detyrueshëm që synon uljen globale të prodhimit të plastikës dhe eliminimin e disa kimikateve dhe produkteve plastike njëpërdorimshe.
Por shtete që varen nga industria e karburanteve fosile si Arabia Saudite, Kina, Rusia dhe Irani i kundërshtojnë kufizimet në prodhimin e plastikës dhe kërkojnë një marrëveshje që fokusohet vetëm te menaxhimi më i mirë i mbetjeve dhe riciklimi. Edhe SHBA, si në kohën e Presidentit Biden ashtu edhe tani me Presidentin Trump, ka treguar mbështetje për një marrëveshje me ambicie më të ulëta, pa përfshirë kufizime për prodhimin.
Ndërkohë, një raport i ri i publikuar thekson edhe një herë përmasat e krizës: bota ndodhet përballë një “krize plastike” që po shkakton sëmundje dhe vdekje që nga fëmijëria e deri në pleqëri, duke shkaktuar dëme shëndetësore që kapin shifrën e të paktën 1.5 trilionë dollarëve në vit.
Që nga viti 1950, prodhimi i plastikës është rritur më shumë se 200 herë dhe pritet që deri në vitin 2060 të trefishohet, duke kaluar një miliard tonë në vit dhe pjesa më e madhe e kësaj rritjeje vjen nga plastika njëpërdorimshe, sidomos për ambalazhime, enë ushqimore dhe pijesh.
Profesori Thompson, që drejton Njësinë Ndërkombëtare të Kërkimeve për Mbetjet Detare në Universitetin e Plymouth dhe është ai që i dha emrin mikroplastikave që përfundojnë në natyrë, mori pjesë në bisedimet në Gjenevë si koordinator i Koalicionit të Shkencëtarëve për një traktat efektiv kundër plastikës. Ai theksoi se një traktat ambicioz do të ishte vendimtar për të ardhmen e planetit dhe brezave të ardhshëm.
“Tashmë është e qartë se ndotja nga plastika ka përfshirë gjithë planetin, nga polet deri në ekuator,” tha ai. “Gjejmë mikroplastika në oqeanet më të thella dhe në malet më të larta. Ka prova që tregojnë se njerëzit ekspozohen ndaj tyre që në mitër dhe gjatë gjithë jetës.
“Për të mbrojtur brezat e ardhshëm, duhet të veprojmë tani dhe të arrijmë një traktat serioz kundër ndotjes plastike. Shpresoj vërtet që negociatorët të jenë në gjendje t’i shikojnë në sy brezat e rinj dhe të thonë: ‘Ne vepruam me vendosmëri.’”
Nëse miratohet, traktati global do të jetë një marrëveshje ndërkombëtare dhe ligjërisht e detyrueshme që synon t’i japë fund ndotjes nga plastika duke vendosur objektiva konkrete për shtetet, për të ndalur hedhjen e rreth 11 milionë tonëve plastikë çdo vit në oqeane.
Që nga viti 2022, kur 173 vende ranë dakord të hartonin një traktat të tillë, pesë raunde bisedimesh kanë dështuar në arritjen e një teksti përfundimtar.
Fillimisht, traktati synonte të mbulonte të gjithë ciklin e jetës së plastikës, por me çdo takim janë shtuar edhe lobistët nga industria e plastikës, të cilët kundërshtojnë çdo kufizim në prodhim.
Në bisedimet e Busanit vitin e kaluar morën pjesë 220 përfaqësues të industrisë së karburanteve fosile dhe kimikateve. Numri më i lartë i përfaqësuesve të industrisë deri më tani, i cili ka përfshirë edhe 16 lobistë të industrisë së plastikës që ishin pjesë e delegacioneve zyrtare të shteteve.